Sureja Sad

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 28

“A mos do t'i barazojmë ata që besuan dhe bënë vepra të mira me ata që bënë shkatërrime në tokë, apo do t'i konsiderojmë njësoj si të ruajturit prej të këqijave, si ata që janë mëkatarë?”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Ata që besuan dhe bënë vepra të mira janë Imam Aliu dhe sahabet e tij. Ata që bëjnë shkatërrime në tokë janë Habteri, Delami dhe sahabet e tyre”. 

Habteri dhe Delami janë nofkat e të parit dhe të dytit.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 41

“Përkujto edhe robin tonë Ejubin, kur me lutje iu drejtua Zotit të vet: Djalli më ka goditur me mundim e dhembje!”

 

Një ditë, Selman Faresiu shkoi te Imam Aliu dhe kërkoi prej tij që të mësojë diçka për identitetin e Imamit.

Ai tha: “O Selman! Unë jam ai që i ka bërë thirrje ymmeteve të mëhershëm për nënshtrim dhe që i ka dënuar popujt e mëhershëm me zjarrin e Xhehenemit! Unë jam zbatuesi i asaj llogarie!

O Selman! Ata që më njohin mirë, padyshim do të jenë bashkë me mua në pozitën më të lartë!” Duke folur për këtë, erdhën Hasani dhe Hysejni, dhe ai vazhdoi:

“O Selman! Këta janë stolitë e Fronit të Zotit të botëve! Xheneti do të ndriçohet përmes tyre! Nëna e tyre është më e mbara e të gjitha grave! Allahu ka marrë betimin prej robërve përmes meje. Më pranuan ata që më pranuan dhe ata që më mohuan janë brenda zjarrit të Xhehenemit!

Unë jam dëshmia e sigurt dhe fjala e përhershme!

Unë jam i dërguari i të dërguarve!”

Selmani tha: “O Urdhëruesi i Besimtarëve! U flijofshin për ty nëna dhe babai im, unë të kam parë ty në Tevrat dhe në Bibël me këto atribute. Sikur të mos kisha ngurruar prej thënies së këtillë të njerëzve ‘Ky njeri ka shkuar aq larg sa që Allahu qoftë i kënaqur me atë që do ta mbyt atë’, unë do të kisha folur për ty fjalë të tilla sa që shpirtrat do të trishtoheshin prej fjalëve të tilla!

Sepse, ti je dëshmia me të cilën Allahu e ka pranuar pendimin e Ademit! Përmes teje shpëtoi Jusufi prej pusit dhe ti je shkaku i ndërrimit të dhuntive ndaj Ejubit”.

Urdhëruesi i Besimtarëve tha: “O Selman! A e di tregimin e Ejubit dhe shkakun për të cilën është bërë ndërrimi i dhuntive ndaj Ejubit?”

Selmani iu përgjigj: “Allahu dhe ju e dini më mirë, o Urdhëruesi i Besimtarëve!” Imami vazhdoi: “Ejubi kishte rënë në dyshim në lidhje me pushtetin dhe fuqinë time, duke thënë: ‘Ky është një urdhër i rëndë dhe një fjalë e madhe!’

Allahu i tha atij: ‘O Ejub! A je duke dyshuar në lidhje me fytyrën të cilën e kam falur të përhershëm e të qëndrueshëm? Unë e sprovova Ademin me një vështirësi dhe e kam falur vetëm duke e pranuar atë (Aliun) si Urdhërues të Besimtarëve, ndërsa ti thua në lidhje me të (Aliun): ‘Ky është një urdhër i rëndë dhe një fjalë e madhe!’ Betohem me hakun e madhërisë dhe të lartësisë Sime se do ta shijosh dënimin përderisa të pendohesh dhe të nënshtrohesh Urdhëruesit të Besimtarëve!” Pastaj, Imami vazhdoi: “Ejubi e arriti lumturinë atëherë kur tregoi nënshtrim ndaj meje!” 

 

Ditën kur Ymmer bin Hattabi e uzurpoi kalifatin, në shtëpinë e Imam Aliut ishin mbledhur Selmani, Mikdad bin Esved el-Kindi, Muhamed bin Hanefijje, Muhamed bin Ebu Bekri, Ammar bin Jaseri, Hasani dhe Hysejni. Hz Hasani e pyeti Imam Aliun:

“O Urdhëruesi i Besimtarëve! Sylejmani (a.s) kërkoi nga Zoti i tij një pushtet që asnjërit nuk i ishte dhënë deri atëherë dhe Zoti ia plotësoi dëshirën. A nuk e zotëron ti pushtetin e Sylejmanit?”

Imam Aliu tha: “Me të vërtetë, djali i Davudit (a.s), Sylejmani (a.s), kishte kërkuar nga Zoti i tij një pushtet dhe Allahu ia kishte dhënë atij. Por, unë jam pronari i një pushteti të tillë që asnjëri përveç Resulullahut (s.a.v.) nuk e zotëron atë pushtet, as ata para tij si dhe ata që do të vijnë mbas tij!”

 

Hz Hasani e pyeti: “O Urdhëruesi i Besimtarëve! A nuk do të na tregosh kerametet e virtyteve tua që t’i ka dhënë Allahu?” Imam Aliu u përgjigj: “Inshalla do t’ju tregoj kerametet e mija”

Hz Hasani tha: “O Urdhëruesi i Besimtarëve! Sylejmanit (a.s), djalit të Davudit, ia shprehnin nënshtrimin përmes unazës që e mbante në dorë. Si do t’i shprehet nënshtrimi Urdhëruesit të Besimtarëve?”

Urdhëruesi i Besimtarëve tha: “Unë jam syri me të cilën shikon Allahu mbi sipërfaqen e Tokës! Unë jam gjuha e Allahut në mesin e atyre që janë krijuar! Unë jam drita e Allahut që nuk di të shuhet! Unë jam dera e Allahut nga i cili duhet që të hyhet për të shkuar te Allahu! Unë jam dëshmia e Allahut mbi robërit e Tij!

 

A dëshironi që ta shihni unazën e Davudit (a.s)?”

Të pranishmit thanë: “Po, dëshirojmë!”

Imam Aliu e futi dorën në xhep dhe e nxori një unazë prej ari që kishte një gurë prej rubini të kuq. Përmbi të ishin shkruar emrat Muhamed dhe Ali. Imam Aliu tha: “A dëshironi ta shihni Sylejmanin?”

Ata u përgjigjën “Po, dëshirojmë! Imam Aliu u ngrit në këmbë e doli jashtë dhe ata shkuan mbas tij.

Përnjëherë e panë veten në një kopsht ku kishte pemë të llojllojshëm, zogj të shumtë me ngjyra të ndryshme dhe lumenjtë që rridhnin me ngjyra të ndryshme. Kur zogjtë e vërejtën Urdhëruesi i Besimtarëve, u afruan dhe filluan që të fluturojnë përreth tij.

 

Kur mbërritën në mes të kopshtit, e panë një të ri që ishte shtrirë mbi një shtrojë dhe ishte duke fjetur.

Urdhëruesi i Besimtarëve e nxori unazën nga xhepi i tij dhe e vendosi në gishtin e të riut, i cili ishte Sylejmani. Ai u qua në këmbë dhe tha: “Përshëndetja qoftë mbi ty, o Urdhëruesi i Besimtarëve! O i besueshmi i pejgamberit të Zotit të botëve! Me të vërtetë, ti je Sadiku (i sinqerti) më i madh dhe Faruku (ai që e ndan të vërtetën nga e pavërteta) më i lartësuar! Do të shpëtojnë ata që mbahen për ty dhe do të jenë në humbje ata që të braktisin ty! Unë e kam kërkuar pushtetin nga Allahu për hakun e nderit dhe të kerametit tënd! Dhe, përmes kësaj më është plotësuar dëshira ime!”

 

Kur e dëgjoi këtë Selmani nga vetë goja e Sylejmanit, nuk mundi ta përmbaj veten dhe përnjëherë u hodh te këmbët e Urdhëruesit të Besimtarëve dhe duke i puthur ato tha:

“Falënderimi qoftë për Allahun që më fali prej atyre që i nënshtrohen velajetit të Ehli Bejtit!”

 

Të gjithë të pranishmit i përsëritën fjalët e njëjta!

Është gabim i madh dhe një mëkat e pafalshëm që kerametet e Aliut, që e kanë vlerën e muxhizes, t’i kuptojmë si tregime të trilluara. Sepse, është shumë normale që të shohim keramete të tilla prej një personi që është i pastruar prej të gjitha papastërtive. Ehli Bejti ka ekzistuar para se të ekzistonin të gjitha gjërat prandaj është e mundur për ata që të veprojnë në çdo kohë me gjërat ashtu si duan ata.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 55-64

“Kjo është kështu. E sa u përket atyre që nuk besuan, ata kanë një përfundim shumë të keq: Xhehennemin, që do të hidhen në të; e sa vend i shëmtuar është ai. Ky është ujë i valë dhe i ndyrë; le ta shijojnë atë! Aty i presin edhe të tjerët që janë të ngjashëm me ata. Do të thonë: ‘Ky është një popull që i kanë nxjerrë gjokset e tyre për t’u treguar. Mos paçin rehati as mirëseardhje!’ Ata janë që do të digjen në zjarr. Ata do të thonë: ‘Jo, juve mos u qoftë as mirëseardhja, as rehatia; ju jeni që na e përgatitët këtë!’ Sa vendqëndrim i keq është ai! Ata thonë: ‘O Zoti ynë! Atij që na e bëri këtë, shtoja dyfish dënimin në zjarr!’ Dhe thonë: ‘Pse nuk po i shohim këtu disa burra që ne i konsideronim prej të këqijve dhe që i kemi pas marrë ata në tallje, a mos na u ka larguar shikimi prej tyre?’ Kjo është e vërteta dhe banorët e Xhehenemit do të polemizojnë në mes veti” 

 

Ali bin Ibrahimi në tefsirin e tij thotë: 

“Abbasitët, që janë prej banorëve të Xhehenemit, do të drejtohen Emevitëve me këto fjalë: Ju na e keni hapur rrugën e uzurpimit të të drejtave të Ehli Bejtit. Ndërsa, Emevitët do të kërkojnë që të shumëfishohet dënimi i të parit dhe i të dytit sepse ata e kishin hedhur hapin e parë në uzurpimin e të drejtave të Ehli Bejtit. Pastaj, këta banorë të Xhehenemit nuk do t’i shohin në Xhehenem shiitët e Ehli Bejtit, të cilët në këtë botë i kanë konsideruar si të këqij, dhe do të thonë: Pse nuk po i shohim këtu disa burra që ne i konsideronim prej të këqijve?”

 

Imam Xhafer Sadiku ishte ulur bashkë me sahabet e zgjedhur dhe njërin prej tyre e pyeti:

“A e dini se cilët njerëz janë më të këqij prej mesit të njerëzve?” Ai u përgjigj: “O djali i Resulullahut! Ne jemi ata!” Fytyra e Imamit u mërrol dhe zemërimi vërehej te ai. Pastaj, pyeti prapë: “A e dini se cilët njerëz janë më të këqij prej mesit të njerëzve?”.

Personi i njëjtë i tha: “Betohem në Allah se unë nuk të përgënjeshtrova ty por neve po na tregojnë si më të këqijtë prej mesit të njerëzve, sepse ata po na thonë neve (shiitëve) qafir dhe të dalë nga feja (rafizi)!” Imami tha: “Kur t’ju qojnë juve në Xhenet dhe ata në Xhehenem, këta të fundit do të thonë: Pse nuk po i shohim këtu disa burra që ne i konsideronim prej të këqijve?

 

Atëherë, si do të jetë gjendja juaj? Nëse ndonjëri prej juve do të vijë te Allahu me gabimin e tij, ne do të ndërmjetësojmë te Allahu për ta falur atë person! Betohem në Allah se as dhjetë veta prej juve (shiitëve të sinqertë) nuk do të hyjnë në Xhehenem! Betohem në Allah se as pesë veta prej juve (shiitëve të sinqertë) nuk do të hyjnë në Xhehenem!

Betohem në Allah se as tre veta prej juve (shiitëve të sinqertë) nuk do të hyjnë në Xhehenem! Betohem në Allah se as njëri prej juve (shiitëve të sinqertë) nuk do të hyjnë në Xhehenem! Prandaj, qëndroni të rehatshëm për shkak të gradës së lartë që e zotëroni dhe qëndroni larg prej gjërave të dyshimta të armiqve! Betohem në Allah se ju që njiheni si më të këqij në mesin e njerëzve, do të jeni në Xhenetin e Allahut!”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Personin që do ta kërkojnë dhe që nuk do të mund ta gjejnë në Xhehenem është Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu”

 

Shpjegim:

Padyshim që shiitët që përmenden në këto hadithe janë shiitët që i nënshtrohen Imamëve të Ehli Bejtit! Nuk është e drejtë që të tregohen si shiitë ata persona që i pasojnë epshet e pasionet e tyre dhe që si referencë i marrin Imamët e Ehli Bejtit. Kush i nënshtrohet atyre, do të bëhet prej shiitëve të tyre dhe kush i kundërshton ata, do të bëhet prej armiqve të tyre! Me të vërtetë, shiitët që janë të lidhur për Imamët e Ehli Bejtit shikohen me syrin e keq në të gjitha vendet myslimane. Dhe, në mesin e grupit të synnitëve mysliman është i përhapur mendimi se shiitët janë prej banorëve të Xhehenemit. Por, sikur që ka thënë Imami i nderuar, banorët e vërtetë të Xhehenemit janë ata që e kundërshtojnë Ehli Bejtin. Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“O Ali! Ti dhe shiitët tuaj do të vini në ditën e Kiametit duke qenë Allahu i kënaqur me ju dhe ju të kënaqur me Allahun”.

 

Dhe, në një vend tjetër ka thënë:

“O Ali! Allahu të ka falur ty, pasardhësit e tu, fëmijët, familjen tënde, shiitët dhe ata që i duan shiitët. Këtë po ta japi si myzhde!”

 

Të gjitha këto hadithe i kemi gjetur në librat autentik synnitë. Përkundër kësaj qartësie, prapëseprapë ka autor të tillë që shiitët i përmendin si qafira dhe rafizi në librat e tyre. Nëse shiitët e akuzojnë anën e kundërt si të pafe, kjo është prej asaj se nuk i pasojnë Imamët e Ehli Bejtit. Sepse, urdhri i Pejgamberit (s.a.v.) tonë për nënshtrim ndaj Ehli Bejtit është regjistruar në librat e të dy grupeve përmes haditheve të vërteta (sahih). Sikur që e dëshmuam disa herë, sahabet për të cilët mbahen synnitët nuk janë të drejtë. Mbasi që asnjë grup nuk ka vërejtje në lidhje me drejtësinë e Ehli Bejtit atëherë padyshim që do të jetë më e drejtë që të mbahemi për ta.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 67-68

“Thuaj: Ky është një lajm i madh! Por, ju po e ktheni fytyrën prej tij” 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“Këto ajete kanë zbritur në lidhje me Urdhëruesin e Besimtarëve, Aliun. Sepse, Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ka thënë: Nuk ka ndonjë lajm apo argument më të madh se unë!”

Në tefsirin e Ali bin Ibrahimit shkruan: “Lajmi i madh është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu (a.s)! Por, ata e kanë kthyer fytyrën prej tij!”

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “O Ali! Në fillimin e krijimit, të gjitha krijesat pranuan njëshmërinë e Allahut dhe profecinë time. Por, kur erdhi radha te imameti yt, ata mohuan!”

Gjegjësisht, edhe gjatë fillimi të krijimit ishte mohuar imameti i Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut (a.s) dhe prej kësaj ata e kanë kthyer fytyrën.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 75

“Tha: O Iblis, çka të pengoi ty t'i bësh sexhde atij që Unë vetë e krijova? A bëre kryeneçësi, apo je bërë prej atyre të lartësuarve?”

 

Një ditë, Resulullahu (s.a.v.) ishte ulur bashkë me sahabet, dhe njëri u afrua e tha:

“O Resulullah! Më informo në lidhje me këtë fjalë të Allahut: “Tha: O Iblis, çka të pengoi ty t'i bësh sexhde atij që Unë vetë e krijova? A bëre kryeneçësi, apo je bërë prej atyre të lartësuarve?” O Resulullah! Më trego edhe për atë kush janë më afër Allahut sesa engjëjt?” Resulullahu (s.a.v.) tha: Më afër engjëjve janë unë, Aliu, Fatimja, Hasani dhe Hysejni.

Të gjithë ne e lartësonim Allahun nën hijen e Fronit njëmijë vjet pa u krijuar Ademi. Engjëjt e lartësonin Allahun përmes lartësimit tonë. Pastaj, Allahu e krijoi Ademin dhe i urdhëroi engjëjt që t’i bëjnë sexhde. Ne jemi shkaku i bërjes së sexhdes ndaj Ademit. Të gjithë engjëjt i bënë sexhde dhe vetëm Iblisi refuzoi.

Allahu i tha atij: “O Iblis, çka të pengoi ty t'i bësh sexhde atij që Unë vetë e krijova? A bëre kryeneçësi, apo je bërë prej atyre të lartësuarve?” Gjegjësisht, a u lartësove sikur këta pesë persona që gjenden nën hijen e fronit? Ne jemi dyert që të qojnë te Allahu! Ata që dëshirojnë që ta arrijnë udhëzimin, këtë mund ta bëjnë vetëm përmes neve. Allahu i do ata që na duan neve dhe të tillët do t’i banor të përhershëm të Xhenetit të Tij. Allahu i urren ata që na urrejnë neve dhe të tillët do t’i bëjë banor të zjarrit. Neve na duan vetëm ata fëmijë që lindin hallall!” Gjegjësisht, neve nuk na duan vetëm fëmijët jashtëligjor. 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 87-88

“Ky nuk është tjetër vetëm se përmendje (ziqr) për botët. E ju gjithsesi do ta mësoni lajmin e tij pas pak kohe”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Përmendja (ziqr) për botët është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu (a.s)! Lajmin e tij do ta mësoni vetëm me paraqitjen e Mehdiut (a.s)!”

Shpjegim: Identiteti i vërtetë i Imam Aliut do të bëhet e qartë me paraqitjen e Imam Aliut. Sepse, atë ditë nuk do të mbetet pushteti i asnjë qafiri dhe feja e Allahut do të mbizotërojë mbi të gjitha fetë tjera. Në atë kohë do ta marrim të vërtetën prej të së vërtetës.

 

Me ndihmën e Allahut këtu përfundon sureja Sad. Falënderimi i takon vetëm Allahut dhe paqja e përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin tonë Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij të pastër.