Sureja Rrahman 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 1-4

“Rrahmani. Ai mësoi Kuranin. E krijoi njeriun. Ia mësoi atij të folurit dhe të shprehurit (shqiptuarit)”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: 

“Sureja Rahman, prej fillimit deri në fund, ka zbritur në lidhje me neve”

Imam Ali er-Rida ka thënë: “Në këto ajete bëhet fjalë për Urdhëruesin e Besimtarëve, Imam Aliun. Sepse, Allahu i Madhëruar ia ka mësuar të gjitha llojet e të folurit dhe të shprehurit (shqiptuarit)!”

 

Imam Xhafer Sadiku iu drejtua sahabeve duke thënë:

“Betohem në Allah se ne kemi dijeni për çdo gjë që ka në qiej, tokë, Xhenet, Xhehenem dhe në mes tyre!” Njëri prej sahabeve e shikoi me habi dhe Imami tha: “Kjo që sapo ju thashë ekziston në librin e Allahut. Allahu thotë: “Çdo ymmeti do t’ua sjellim dëshmitarin nga lloji i tyre dhe ti do bëhesh dëshmitar kundër tyre. Ne ty ta shpallëm librin, që është sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët. (Nahl, 89)

 

Njëri prej sahabeve e pyeti Imam Ali Zejnelabidin:

“Dëshiroj të pyes për një çështje që nuk po lë rehat”. Imami tha: “Më pyet për atë që nuk po të lë rehat”.

Ai tha: “Dëshiroj që të pyes në lidhje me të parin dhe të dytin. Të gjitha mallkimet e Allahut qofshin mbi ata të dy! Betohem në Allah se ata janë larguar nga kjo botë duke e mohuar Allahun dhe brenda shirkut.

O zotëria ime! A keni ju fuqi për të ringjallur të vdekurin, për ta shëruar të sëmurin e rëndë, sakatin dhe sëmundjen e epilepsisë?”

Imami tha:  “Allahu i Madhëruar ia ka dhënë pejgamberit tonë  Muhamedit (s.a.v.) të gjitha tiparet e pejgamberëve të mëhershëm. Madje, atij ia ka dhënë aq shumë tipare, sa që asnjërit para tij nuk ia kishte dhënë ato. Të gjitha tiparet, Resulullahu (s.a.v.) ia ka dhënë Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut (a.s). Pastaj, këto tipare kanë kaluar te Hasani, Hysejni dhe te Imamët tjerë me radhë. Kjo do të vazhdojë deri në ditën e Kiametit, në mënyrë që të jepen përgjigjet për të gjitha nevojat”

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 7-9

“Ai e ngriti edhe qiellin dhe Ai vuri peshoren. Që të mos kaloni kufirin gjatë matjes mbani me drejtësi peshoren, e mos lëni mangu në peshojë!”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Qielli është Resulullahu (s.a.v.) ndërsa peshorja është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu. I Dërguari (s.a.v.) e ka lënë Aliun si peshore për ymmetin e tij. Kuptimi i padrejtësisë në matje është të mos tregoni mosbindje dhe të mos rebeloheni kundër kalifit i cili është lënë në bazë të vasietit. Nënshtrohuni atij dhe mos e merrni nga ai kalifatin, që është haku i tij!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 13

“E, cilën begati të Zotit tuaj po e përgënjeshtroni?

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Gjegjësisht, cilën begati po e përgënjeshtroni, Muhamedin e zgjedhur apo Aliun?”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 17

“Zoti i dy lindjeve dhe Zoti i dy perëndimeve”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Me dy lindje nënkuptohen Resulullahu dhe Aliu, ndërsa me dy perëndime nënkuptohen Hasani dhe Hysejni!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 19-22

“Ai i lejoi dy detet të puqen ndërmjet vete. Ndërmjet atyre të dyve është një barrierë (berzah) që ata të dy nuk e kapërcejnë. Prej atyre të dyve nxirren margaritarë e rubinë”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Me dy dete nënkuptohen Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, dhe Fatimet-uz Zehra. Barriera (berzah) në mes tyre është Resulullahu (s.a.v.). Prej të dy deteve, gjegjësisht prej Aliut dhe Fatimes, dalin margaritarë (Hasani) dhe rubin (Hysejni)

Për të treguar gjerësinë e Ehli Bejtit, Allahu i Madhëruar i ka ngjasuar ata me detin.

Ebu Zeri kishte bërë tevilin e ajeteve, njëjtë sikur që e kishte bërë Imam Xhafer Sadiku, dhe pastaj shtoi: “Nuk është e mundur që t’i shohësh këta persona të bekuar e mos t’i dashurosh ata. Por, ata i duan vetëm besimtarët dhe i urrejnë vetëm jobesimtarët. Bëhuni besimtar duke e dashur Ehli Bejtin dhe ruajuni nga hedhja në zjarrin e Xhehenemit duke i urryer ata!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 26-27

“Çdo gjë që është mbi sipërfaqen e tokës është e përkohshme. E përhershme është vetëm fytyra e Zotit tënd, që është i madhëruar e i nderuar”

 

Imam Ali Zejnel Abidini ka thënë:

“Ne jemi fytyra që të qon te Allahu”

Njëri erdhi te Imam Ali er-Rida dhe i tha: “O djali i Resulullahut! Sipas një rrëfimi, sevapi i La ilahe illallah-ut qenka sikur të shikuarit e fytyrës së Allahut të Madhëruar. Çka do të thotë kjo?”

Imami iu përgjigj: “Kanë devijuar në pabesim ata që e kanë përshkruar fytyrën e Allahut si fytyrën e njeriut. Fytyra e Allahut janë pejgamberët (nebi dhe resul) dhe dëshmitë (huxhet) e Tij. Sepse, vetëm përmes tyre mund të arrihet njohja dhe feja e Allahut.

Allahu i Madhëruar ka thënë:  “Çdo gjë që është mbi sipërfaqen e tokës është e përkohshme. E përhershme është vetëm fytyra e Zotit tënd, që është i madhëruar e i nderuar”

 

Këtu fytyra e Allahut të Madhëruar është përcaktuar si një drejtim nga ana e Imamëve të Ehli Bejtit. Ata që dëshirojnë për të arritur deri te Allahu, ata mund të shkojnë vetëm përmes drejtimit të treguar. Dhe, ky drejtim është pejgamberët dhe të besueshmit e tyre.

Feja të cilën këta ia kanë sjellë njerëzve do të mbetet e përhershme. Ne jemi duke parë që njerëzit janë të përkohshëm por feja është duke qëndruar ende në këmbë. Kuptimi i vërtetë i fesë është pejgamberët dhe të besueshmit të tyre. Islami, në kuptimin e parë, do të thotë pejgamberi dhe Ehli Bejti i tij. Para dhe mbas kësaj nuk ka asgjë tjetër!

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 31

“O ju dy anë të rënda, së shpejti do të merremi me llogarinë tuaj”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Dy anë të rënda janë Kurani dhe ne”

Gjatë haxhit lamtumirës, Resulullahu (s.a.v.) ka thënë përpara dhjetëra mijëra myslimanëve:

“O Njerëz! Në mesin tuaj po ju lë dy gjëra të rënda, që nëse mbaheni për ato dy gjëra, kur nuk do të dilni nga rruga e drejtë. E para është Kurani dhe e dyta Ehli Bejti im! Këta do të bashkohen me mua te burimi i Kevtherit dhe deri atëherë nuk do të ndahen njëra prej tjetrës”

 

Një rrëfim që është përmendur në Sahih-un e Muslimit, thotë: “Po ju përkujtoj prej tani për dënimin e Allahut në lidhje me qëndrimin tuaj ndaj Ehli Bejtit”. Këtë e ka përsëritur tri herë.

Sigurisht, që pejgamberi nuk e ka lënë amanet Kuranin dhe Ehli Bejtin e tij përpara dhjetëra mijëra sahabeve vetëm formalisht. Dhe, sigurisht që do të pyetemi për hakun e këtyre dy amaneteve të rënda.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 39

“Atë ditë nuk pyetet as njeriu as xhini për mëkatin e tij”

 

Mejseme, njëri prej sahabeve të Imam Ali Rizasë, kishte dëgjuar Imamin duke thënë:

“Betohem në Allah se as dy prej juve (shiitëve) nuk do të shihen në Xhehenem. Jo, Betohem në Allah se njëri prej juve (shiitëve) nuk do të jetë në Xhehenem!”

Mejseme tha: “Në cilin vend të Kuranit është shkruar kjo?”

Imami u përgjigj: “Përgjigja e kësaj pyetjeje ndodhet në suren Rrahman. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Atë ditë nuk pyetet prej juve as njeriu as xhini për mëkatin e tij”.

Mejseme tha: “Por, në ajet nuk përmendet ‘prej juve’. Imami iu përgjigj: “Këtë e ka larguar ndonjëri prej të devijuarve. Sepse ky ajet është dëshmi kundër atij të devijuari. Sikur të mos ishte fjala ‘prej juve’, atëherë Allahu nuk do t’i merrte në pyetje robërit e Tij! Sipas gjykimit të tanishëm të ajetit, askush nuk do të mund të merret në pyetje”

 

Sikur që ka thënë Imami i nderuar, vetëm ata që janë të lidhur për Ehli Bejtin nuk do të merren në pyetje në ditën e Kiametit, ndërsa të gjithë të tjerët do të merren në pyetje.

Në mesin e shiitëve, gjegjësisht në mesin e ithtarëve të Imamëve të Ehli Bejtit, ka edhe mëkatar. Imamët e Ehli Bejtit na kanë treguar se të gjitha mëkatet e tyre do të pastrohen në këtë botë.

 

Ato do të pastrohen përmes ndonjë sëmundjeje, dëmeve materiale apo vuajtjeve të ndryshme ndaj tyre apo të dashurve të tyre. Imamët e Ehli Bejtit na kanë treguar në shumë vende se si duhet që të sillen shiitët.

 

Duke iu drejtuar shiitëve, Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Në mesin e njerëzve na përfaqësoni neve më mënyrën më të bukur! Keni kujdes që të mos na turpëroni përpara tyre!”

 

Duke i përshkruar shiitët, Imam Aliu ka dhënë këshilla dhe vërejtje, përmes të cilave janë mbushur fleta të shumta. Shiitë do të thotë të jesh më i pastri dhe më i ndershmi në mesin e njerëzve. Në të kundërtën, nuk do të ketë asnjë lidhje me shiitët e Ehli Bejtit. Së fundi, në lidhje me shiitët e Imam Aliut, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë:

 

“O Ali! Ti dhe shiitët tuaj jeni më të mbarët prej njerëzve!”

“Betohem në Allahun, në dorën e të cilit është shpirti im, se Aliu dhe shiitët e tij janë prej atyre që e kanë arritur shpëtimin në ditën e Kiametit!”

“O Ali! Në ditën e Kiametit, kur të vini përpara Allahut të Madhëruar, Ai do të jetë i kënaqur me ju dhe juve do të bëjë të kënaqur prej Tij! Ndërsa, atë ditë armiqtë tuaj do të sillen për të dhënë përgjegjësi të zemëruar, të etshëm dhe me kokat e ngritura lart”

“O Ali! Allahu të ka falur ty dhe pasardhësit, fëmijët, të afërmit, shiitët dhe ata  që i duan shiitët e tuaj”.

 

Burimet e haditheve të lartpërmendura janë:

1- Ibni Xherir et-Tabari në tefsirin “Xhami-ul Bejan”.

2- Sujuti në tefsirin “Durr-el Mensur”.

3- Ibn Asakiri në librin e historisë “Tarih”

4- Ibn Marduvejhi në librin e tij “Tefsir”

5- Muttaki el-Hindi në librin e tij “Kenz”

6- Tabarani në librin e tij “Mu’xhem”

7- Dejlemi në librin e tij “Firdevs”

8- Munavi në librin e tij “Kunuz”

9- Hejsemi në librin e tij “Mexhma”.

10- Ebu Nu’ajm el-Isfahani në librin e tij “Tefsir”.

11- Ibn Haxheri el-Hejtemi në librin e tij “Savaik”.

12- Hafëz Xhemaleddin Zarendi në librin e tij “Hadis”.

13- Huvarezmi në librin e tij “Menakib”, dhe në shumë libra tjerë.

 

Të gjitha këto libra që i përmendëm janë librat më burimor të dijetarëve synnit. Ne po ua lëmë ndërgjegjes së lexuesve që të mendojnë për përfundimet e hidhura të shpifjeve që u janë bërë shiitëve të Ehli Bejtit dhe që janë duke vazhduar ende. Padyshim që armiqtë më të mëdhenj të shiitëve do të mbesin përgjithmonë në vendin më të thellë të Xhehenemit.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 78

“I lartësuar është emri i Zotit tënd, të madhëruar e të nderuar”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“Ne jemi madhëria dhe nderi i Allahut të Madhëruar! Neve na ka bërë pronar të kësaj madhështie duke i urdhëruar robërit që të tregojnë nënshtrim ndaj neve”

 

Këtu përfundon sureja Rrahman. Falënderimi qoftë për Allahun. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin tonë Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij të pastër.