Sureja Tevbe
Tevili dhe tefsiri i ajetit 3
“Ky është një kumtim nga Allahu dhe i dërguari i Tij drejtuar të gjithë njerëzve në ditën e haxhit të madh”.
Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:
“O Ali! Ti je ajo që është kumtuar te ajetet e Allahut të Madhëruar”.
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:
“Unë jam kumtesa në mesin e njerëzve”.
Në histori, kjo kumtesë ka të bëjë me leximin e sures Tevbe në Meke. Mbasi që kishte zbritur kjo sure, i Dërguari (s.a.v.) e kishte dërguar Ebu Bekrin për të bërë kumtimin e saj dhe Xhebraili (a.s) erdhi te i Dërguari (s.a.v.) dhe i tha:
“Allahu të dërgon përshëndetje dhe thotë: ‘Vendin Tim mund ta plotësojë vetëm ti ose njëri prej teje’. Sapo e dëgjoi këtë, i Dërguari (s.a.v.) e dërgoi Imam Aliun mbas Ebu Bekrit duke i thënë që ta merr prej tij ajetet e sures së shpallur dhe t’ua lexoj idhujtarëve. Kur mbërriti në Meke, Imam Aliu ua lexoi këtë sure idhujtarëve.
Mbas kësaj ngjarjeje, i Dërguari (s.a.v.) tha: ‘Vendin tim mund ta plotësojë vetëm unë ose Aliu’. Kur Ebu Bekri e morri me forcë kalifatin për vete, Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, tha:
“Si mund ta shoh veten të denjë atë pozitë Ebu Bekri kur nuk mund të kumtojë një gjë në vend të të Dërguarit (s.a.v.)?”.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 12
“E nëse ata i thyejnë zotimet e tyre pas marrëveshjes, ofendojnë fenë tuaj, atëherë luftoni krerët e mohuesve. Ata vërtet nuk kanë besë, ndoshta do të heqin dorë”.
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:
“Në luftën e Xhemelit dhe të Siffinit kam luftuar kundër tyre duke u bazuar në këtë ajet: “E nëse ata i thyejnë zotimet e tyre pas marrëveshjes, ofendojnë fenë tuaj...”
Në një rrëfim tjetër, kur Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ndodhej në Basra, para se të fillojë lufta e Xhemelit, ai e lexoi këtë ajet dhe tha:
“Betohem në Allah se Resulullahu (s.a.v.) më ka thënë: ‘O Ali! Ti do të luftosh kundër atyre që do ta thyejnë zotimin, që do të rebelohen dhe që do të dalin nga feja, dhe këta nuk kanë iman!”
Sipas rrëfimeve që na vijnë përmes librave të historisë dhe të hadithit, ata që i kanë thyer zotimet janë Talha, Zybejri dhe Ajsha, të cilët e kanë luftuar Imam Aliun në luftën e Xhemelit. Ata që rebeluan ishin Muavije bin Ebu Sufjani, Amr bin Asi dhe të tjerët përreth tyre, dhe këta luftuan kundër Imam Aliut në luftën e Siffinit. Ata që kishin dalë nga feja, sikur shigjeta që del prej harkut, ishin harixhitë të cilët ishin ndarë nga grupi i Imam Aliut dhe që kanë luftuar kundër tij në luftën e Nehrivanit
Tevili dhe tefsiri i ajetit 16
“A mos menduat se do të mbeten pa u provuar ata që luftuan prej jush dhe që nuk e kanë marrë për mik intim ndonjë tjetër përpos Allahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarët. Allahu e di hollësisht atë që bëni ju”.
Për t’i zbuluar veprat e mynafikëve, në këtë ajet janë përmendur tiparet e besimtarëve. Këtu na bëhet e qartë se mynafikët janë duke vepruar në kundërshtim me kuptimin e ajetit. Allahu i Madhëruar është duke i kanosur mynafikët se është në dijeni për të gjitha veprimet e tyre dhe se do ta zbulojë këtë së shpejti.
Resulullahu (s.a.v.) i kishte thënë Enes bin Malikut, derëtarit të të Dërguarit (s.a.v.):
“O Enes! Shko dhe thirre zotërinë e arabëve, Ali bin Ebi Talibin”.
Ajsha, që ishte prezent aty, tha: A nuk je ti zotëria e arabëve?”.
Resulullahu tha: “Unë jam zotëria e djemve të Ademit të denjë për lëvdatë ndërsa Aliu është zotëria e arabëve”.
Kur erdhi Imam Aliu, i Dërguari (s.a.v.) kërkoi që të thirren ensarët. Mbasi që u mblodhën të gjithë, i Dërguari (s.a.v.) tha:
“O grupi i ensarëve! A dëshironi t’ju tregoj për personin që nëse kapeni për të, kurrë nuk do të devijoni nga rruga e drejtë? Ky është Ali bin Ebi Talibi. Dashuroni atë sikur që më dashuroni mua, respektoni atë sikur që më respektoni mua dhe bëhuni të nevojshëm për të sikur që jeni të nevojshëm për mua. Çdokush që e do Aliun, më ka dashur mua dhe ai që më ka dashur mua, e ka dashur Allahun.
Kush e do Allahun, Allahu do ta përfshijë atë në Xhenetin dhe mëshirën e Tij të gjerë.
Kush e urren Aliun, më ka urryer mua dhe kush më urren mua, padyshim e ka urryer Allahun.
Kush e urren Allahun, Allahu do ta gjuajë atë të përmbysur me fytyrë në Xhehenem dhe do t’ia shijojë dënimin e dhimbshëm. Prandaj, kapuni për velajetin e Aliut dhe mos e bëni mik intim armikun e tij, në të kundërtën do të zbres dënimi i Xhabbarit (xh.xh.) (Ai që e zbaton në mënyrë të dhunshme dëshirën e tij)."
Sikur që na bëhet e qartë prej këtij hadithi sahih, shenja e mynafikëve është armiqësia e tyre ndaj Imam Aliut. Sikur që na ka bërë të ditur i Dërguari (s.a.v.), besimtar është vetëm ai që e do Imam Aliun. Hollësia që duhet vërejtur këtu është se do të bëjë një gabim i madh ai që me të vërtetë e do Imam Aliun dhe që thotë ndonjë fjalë të keqe për të në praninë e armiqve të tij. Përkundër kësaj, të deklarosh dashurinë ndaj tij dhe të luftosh kundër tij është një gabim i pafalshëm. Neve na kanoset dënimi e bërjes mik intim të armikut të tij, athua çfarë është dënimi i luftimit kundër tij?
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 19-22
“A mos e konsideruat dhënien e ujit haxhinjve dhe mirëmbajtjen ndaj xhamisë së shenjtë, si besimin e atij që i besoi Allahut dhe ditës së fundit dhe që luftoi në rrugën e Allahut? Jo, ato nuk janë të barabarta te Allahu. Popullin mizor Allahu nuk e vë në rrugë të drejtë. Ata të cilët besuan, migruan dhe luftuan me pasurinë dhe veten e tyre në rrugën e Allahut, ata kanë pozitë më të lartë te Allahu dhe vetëm ata janë fatlumë. Zoti i tyre i përgëzon ata me mëshirë nga Ai, me dashamirësi ndaj tyre, me xhennete ku ata do të kenë begati të pandërprerë. Ata aty do të jenë përjetë, e te Allahu është shpërblimi i madh”
Imam Muhamed Bakiri ka thënë:
“Ajeti ka zbritur në lidhje me Aliun, Hamzën, Xhaferin, Abbasin dhe Shejben. Abbasi dhe Shejbe filluan që mburren kundrejt Aliut.
Abbasi tha: ‘Unë jam më i virtytshëm se ti sepse dhënia ujë e haxhinjve është në dorën time’, ndërsa Shejbe tha: ‘Unë jam më i virtytshëm se ti sepse mirëmbajtja e Mesxhidi Haramit është në dorën time’. Imam Aliu tha: ‘Unë jam më i virtytshëm se ju të dy, sepse i kam besuar Allahut para juve dhe kam luftuar e migruar për Të’.
Të dytë thanë: ‘Ne do ta pranojmë gjykimin e Resulullahut (s.a.v.) në lidhje me këtë’. Të tretë shkuan te i Dërguari (s.a.v.) dhe mbasi që i përsëritën fjalët e tyre, Allahu i shpalli këto ajete: “A mos e konsideruat dhënien e ujit haxhinjve dhe mirëmbajtjen ndaj xhamisë së shenjtë, si besimin e atij që i besoi Allahut dhe ditës së fundit dhe që luftoi në rrugën e Allahut? Jo, ato nuk janë të barabarta te Allahu...”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 36
“Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë, ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë. Atëherë, mos i bëni zullum vetvetes në këto (katër muaj)”.
Njëri prej sahabeve të Imam Muhamed Bakirit e pyeti Imamin për tevilin e këtij ajeti, dhe ai tha:
“O Xhabir! Viti është gjyshi im Resulullahu (s.a.v.). Muajt e viti janë dymbëdhjetë. Ata janë Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, djemtë e tij Hasani dhe Hysejni, babai im Aliu që ishte djali i Hysejnit, unë, djali im Xhaferi (es-Sadiku), djali i tij Musa, djali i tij Aliu, djali i tij Muhamed el-Hadi, djali i tij Hasani dhe djali i tij el-Mehdiu. Ata janë dymbëdhjetë Imamët.
Këta janë dëshmitë e Allahut mbi njerëzit, dituria e Tij dhe amanetet për shpalljen e Tij. Ata që janë të shenjtë janë vetë feja e drejtë dhe i kanë emrat e njëjtë: Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu; djali i Hysejnit, Aliu; djali i Musës, Aliu dhe djali i Muhamedit, Aliu. Vendimi që jepet duke u drejtuar në këta persona është esenca e fesë. Prandaj, mos i bëni zullum vetes përmes tyre. Nëse i mbështetni ata, do ta gjeni rrugën e drejtë”.
Mbrapa atyre emrave me të cilat betohet Allahu janë Imamët e Ehli Bejtit. Në shumë vende të Kuranit Allahu betohet në gjërat e krijuara dhe ne duhet që të dimë se në të gjitha rastet kemi të bëjmë vetëm me Ehli Bejtin. Ata janë prej dritës së Tij që nuk ka fillim.
Dallimi është se Ai është që nuk ka fillim. Dielli, hëna, yjet, qytetet, malet dhe të gjitha ato gjëra të krijuar në të cilat betohet Allahu, në kuptimin e vërtetë janë Imamët e Ehli Bejtit. Këta janë shembuj dhe ne shpresojmë që kjo çështje nuk do të keqkuptohet.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 74
“Ata betohen në Allahun se nuk kanë thënë asgjë të keqe. Në të vërtetë, ata kanë thënë fjalë të pabesimit dhe ata janë bërë jobesimtar mbasi që ishin bërë mysliman. Ata u përpoqën me një gjë (vrasjen e pejgamberit) që nuk e arritën...”
Në ditën e Gadir Humit, mbasi që e caktoi Imam Aliun si Imam dhe kalif të ymmetit mbas tij, disa mynafik ishin zotuar se do ta prishin betimin që ia kishin dhënë Imam Aliut, mbasi që të ndërrojë jetë i Dërguari (s.a.v.), dhe se nuk do t’ua lënë kalifatin Ehli Bejtit.
Ata nuk mjaftuan me kaq dhe ata kishin planifikuar që para e të mbërrijë i Dërguari (s.a.v.) në Medine dhe ta shpallë edhe një njëherë kalifatin e Imam Aliut, ta rrëzojnë në humnerë bashkë me devenë e tij duke kaluar afër një vendi të rrezikshëm. Të gjitha marrëveshjet e tyre Allahu ia bëri me dije të Dërguarit (s.a.v.) dhe i thirri ata mynafik për të pyetur në lidhje me këtë. Ata e betuan se nuk kanë bërë një gjë tillë dhe Allahu e shpalli këtë ajet:
“Ata betohen në Allahun se nuk kanë thënë asgjë të keqe. Në të vërtetë, ata kanë thënë fjalë të pabesimit dhe ata janë bërë jobesimtar mbasi që ishin bërë mysliman. Ata u përpoqën me një gjë (vrasjen e pejgamberit) që nuk e arritën...”
Njëri prej sahabeve të mëdhenj, Huzejfet-ul Jemmane, rrëfen në lidhje me këtë ngjarje një rrëfim të shquar. Ai ishte personi i vetëm që i Dërguari (s.a.v.) ia kishte treguar emrat e të gjithë mynafikëve të ymmetit. Prej rrëfimeve që vijnë përmes kanaleve të Ehli Bejtit, Huzejfe kishte bërë të ditur identitetet e mynafikëve mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.).
Përkundër kësaj, prapëseprapë këta persona gëzonin respektin e ymmetit, me apo pa dije. Në lidhje me këtë çështje dëshirojmë që të bëjmë një shpjegim. Në tefsirin e dijetarit synnit, Ibn Kethir, kemi këtë interpretim në lidhje me këtë ajet:
“Bejhaki në librin me titull ‘Delail-un Nubuvve’, përmes Muhamed bin Is-hakut... prej Huzejfe ibn el-Jemmanit (r.a.) rrëfen: Unë isha përpara duke e tërhequr devenë e të Dërguarit të Allahut (s.a.v.) dhe Ammari ishte mbrapa. Kur mbërritën te shpati i një mali, përpara të Dërguarit (s.a.v.) dolën dymbëdhjetë kalorës. E informova të Dërguarin (s.a.v.) për këtë dhe ai i thirri ata, por ata u kthyen mbrapa dhe ikën. Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘A i njohët kush ishin ata?’.
Ne thanë: ‘Jo, sepse i kishin të mbuluara fytyrat. Por ne i njohëm prej kuajve të tyre’.
I Dërguari (s.a.v.) tha: ‘Ata janë mynafikët deri në ditën e Kiametit. A e dini se çka kanë kërkuar?’.
Ne thamë ‘Jo’. Ai tha: ‘Ata dëshiruan që ta gjuajnë të Dërguarin prej shpatit të malit në humnerë’.
Ne thamë: ‘O i Dërguari i Allahut! A nuk do ta dërgosh ndonjërin te të parët e fisit të tyre që t’ju sjellin kokat e tyre’.
Ai tha: ‘Jo, sepse unë nuk kam dëshirë që arabët të thonë në mes veti: Muhamedi luftoi me një fis. Mbasi që Allahu doli fitues mbi ta, ai i mbyti ata”.
(Tefsiri i Ibn Kethirit i përkthyer në gjuhën turke: vëllimi 7, faqe 3375, Stamboll).
Në këtë rrëfim kemi shumë elemente që mund të na tregojnë të vërtetën. Cilët ishin ata fise që donin ta vritnin të Dërguarin (s.a.v.)? A nuk na mjafton si dëshmi njohja e kuajve të dymbëdhjetë kalorësve nga ana e Huzejfes, që na tregon se ata ishin persona të afërm me të Dërguarin (s.a.v.) në jetën e tij të përditshme? Duke e marrë parasysh faktin se diheshin edhe cilit fis i takonin, a nuk nënkuptohet me këtë se ata ishin prej rretheve më të afërta me të Dërguarin (s.a.v.)? Përgjigjet në këto pyetje na i kanë dhënë Imamët e Ehli Bejtit.
Madje, Huzejfe i ka të bërë të ditur të parëve të ymmetit emrat e të gjithë mynafikëve mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.). Cilat janë shkaqet e fshehjes së emrave të tyre nga e ana Ibn Kethirit dhe të tjerëve? Sikur emrat e tyre të mos ishin emrat e atyre personave të caktuar, këta emra do të na ishin bërë të njohura deri më sot.
Por, ata janë duke i fshehur emrat e tyre sepse me zbardhjen e emrave të tyre do të shkatërrohej tërë besimi i tyre dhe për këtë arsye janë munduar që ta mbajnë sa më të fshehtë. Në lidhje me këtë, do të përcjellim një rrëfim nga librat e Ehli Bejtit, ashtu sikur që e kemi përcjellë rrëfimin e Ibn Kethirit. Qëllimi është që të tregohet se si është bërë falsifikimi i rrëfimit dhe ngjashmëria në mes tyre. Ne nuk po shkruajmë nga vetja asgjë, vetëm dëshirojmë që t’ua prezantojmë ndërgjegjes së pastër të lexuesve atë që shkruan nëpër libra.
Mbasi që ishte vrarë kalifi i tretë, Osmani, Imam Aliu ishte bërë kalif. Në kohën e tij, Osmani e kishte caktuar Huzejfen si kryetar të Medainit dhe Imam Aliu ia dërgoi atij një letër ku kërkonte prej tij që të mbajë ende këtë pozitë. Përveç kësaj, letra përmbante edhe plot këshilla. Mbasi që e pranoi letrën e Imam Aliut, Huzejfe i tuboi njerëzit dhe ua tregoi të gjithëve për këtë letër.
Pastaj, hipi në mimber, e falënderoi Allahun, dhe tha:
“Falënderimi qoftë për Allahun që e ka vrarë të padrejtën dhe e ka ringjallë të vërtetën. Ai erdhi me drejtësi, e largoi zullumin dhe i dëboi zullumqarët plot urrejtje.
O njerëz! Udhëheqësi i juaj është vetëm e vetëm Allahu, pejgamberi i Tij dhe Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu. Ata janë pronarët e denjë të kësaj pozite. Mbas të Dërguarit (s.a.v.), Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, është më i mbari prej të gjithëve, më i afërmi i njerëzve prej të gjithëve; më i denji për kalifat; më i afërmi kah drejtësia; pronari i rrugës më të drejtë; pronari i mjeteve më të shumta për t’u afruar te Allahu.
O njerëz! Nxitoni për t’ia dhënë betimin atij që ka qenë i pari prej njerëzve që ka besuar. Ai është më i dituri në mesin e tyre; pronari i rrugës më të shkurtë; më i lartë se ata në iman; pronari bindjes më të bukur; ai që e urdhëron të mirën më së shumti; ai është në rendin e parë gjatë luftimit; ai është pronari i pozitës së lartësuar, vëllai dhe djali i axhës së pejgamberit; babai i Hasanit dhe i Hysejnit; burri i Betul Zehrasë, zonjës së grave, Fatimes. O njerëz! Jepjani betimin atij në bazë të Librit të Allahut dhe synnetit të pejgamberit. Këtu është kënaqësia e Allahut dhe këtu është paqja për ju”.
Të gjithë u quan në këmbë dhe ia dhanë betimin Imam Aliut në mënyrën më të bukur. Mbasi që përfundoi dhënia e betimit, në reshtin më të fundit qëndronte një i ri persian, i cili e kishte emër mysliman dhe ishte prej shërbëtorëve të ensarëve. Ai iu drejtua Huzejfes në këtë mënyrë:
“O Urdhërues! Dëgjuam se ke thënë: Udhëheqësi i juaj është vetëm e vetëm Allahu, pejgamberi i Tij dhe Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu. A nënkuptohet me këtë se kalifët e mëparshëm nuk kishin të drejtë që të bëhen urdhërues të besimtarëve.
Na e qartëso këtë dhe mos na fsheh asgjë, mëshira e Allahut qoftë mbi ty! Sepse, ti ke qenë dëshmitar ndërsa ne të jemi bërë barrë mbi qafat e juaja. Edhe Allahu është dëshmitar i përcjelljes së lajmeve të drejta dhe këshillave nga i Dërguari (s.a.v.)”.
Atëherë, Huzejfe filloi të flasë:
“O ti njeri! Mbasi që po e di kaq shumë dhe po më pyet për këtë, atëherë edhe unë do të përgjigjem, prandaj më dëgjo mirë! Emërimi me titullin Urdhëruesi i Besimtarëve i kalifëve të mëparshëm ishte bërë vetëm nga ana e njerëzve. Ndërsa, Ali bin Ebi Talibi është emëruar me këtë titull nga ana e Allahut nëpërmes Xhebrailit (a.s) dhe Resulullahu (s.a.v.) ishte dëshmitari i dhënies së përshëndetjes ndaj Aliut me këtë titull nga ana e Xhebrailit (a.s). Edhe sahabet i drejtoheshin Aliut me këtë titull gjatë kohës sa ishte në jetë i Dërguari (s.a.v.)”.
Atëherë, i riu pyeti: “Allahu të mëshiroftë ty, na trego se si është realizuar kjo?“.
Huzejfe tha: “Para se të zbriste urdhri i mbulesës, njerëzit hynin e dilnin te Resulullahu (s.a.v.) kur të dëshironin ata. Një ditë, Resulullahu (s.a.v.) ishte me Dihje bin Halifet-ul Kelbin dhe nuk dha leje sahabeve që të hyjnë brenda. Ai ishte duke shkruar letër mbretërve të bizantinëve, Beni Hanifes dhe Beni Gassanit, përmes dorës së Dihjes. Ndërsa, Xhebraili (a.s) shkonte te i Dërguari (s.a.v.) në pamjen e Dihjes dhe për këtë arsye ua kishte ndaluar myslimanëve që të hynë brenda kur Dihje ndodhej brenda. Një ditë kisha një punë të rëndësishme dhe dëshirove që ta takoja të Dërguarin (s.a.v.). Rrugës dëshiroja që ta gjejë të vetëm të Dërguarin (s.a.v.) dhe sapo mbërrita në shtëpinë e tij e qova perden e derës dhe desha të hyjë brenda. Por, e pashë që Dihje ishte brenda dhe i Dërguari (s.a.v.) ishte duke fjetur, me kokën e vendosur mbi prehrin e tij.
U ktheva mbrapa dhe rrugës e takova Ali bin Ebi Talibin. Ai më tha: ‘O djali i Jemmanit! Prej nga je duke ardhur?’.
‘Po vijë prej Resulullahut (s.a.v.)’.
Aliu më pyeti: ‘Çfarë pune ke pasur me të?’.
‘Desha që ta pyes në lidhje me disa punë të mia, por...’. Aliu më ndërpreu duke më pyetur: ‘Pse je kthyer mbrapa?’.
Unë i tregova se Dihje ishte me të dhe kërkova prej tij që të më ndihmojë për ta takuar të Dërguarin (s.a.v.). Bashkë me Aliun shkuan te i Dërguari (s.a.v.) dhe kur u afruam te dera, Aliu e ngriti perden e derës dhe hyri brenda.
Unë isha duke pritur jashtë dhe dëgjova Aliun duke dhënë përshëndetje, ndërsa Dihje ia ktheu: ‘Përshëndetja, mëshira dhe paqja e Allahut qoftë edhe mbi ty o Urdhëruesi i Besimtarëve. Pranoje kokën e vëllait dhe djalit të xhaxhait dhe vendose në prehrin tënd, sepse ti je i denjë për këtë prej mesit të njerëzve’. Aliu u ulë në tokë, e vendosi kokën e të Dërguarit (s.a.v.) mbi prehrin e tij dhe i tha Huzejfes: ‘O Huzejfe! Tani mund të hysh brenda’.
Para se të hyja brenda, Dihje doli nga dera e shkoi. Atëherë, i Dërguari (s.a.v.) u zgjua nga gjumi dhe duke buzëqeshur e shikoi fytyrën e Aliut, dhe tha: ‘O babai i Hasanit, prej prehrit të kujt e ke pranuar kokën time’. Aliu tha: ‘Prej prehrit të Dihjes’.
Pejgamberi (s.a.v.) tha: ‘Ai ishte Xhebraili (a.s). Çka i ke thënë atij kur hyre brenda?’. Aliu tha: ‘Unë e përshëndeta dhe ai më përshëndeti me ‘Përshëndetja, mëshira dhe paqja e Allahut qoftë edhe mbi ty o Urdhëruesi i Besimtarëve’.
Atëherë, i Dërguari (s.a.v.) tha: “O Ali! Engjëjt e qiellit të kanë përshëndetur si Urdhëruesi i Besimtarëve. Banorët e qiellit të kanë emëruar Urdhëruesi i Besimtarëve më përpara sesa banorët e tokës. O Ali! Xhebraili e bëri këtë në bazë të urdhrit të Allahut të Madhëruar. Para se të hyje ti këtu, Allahu më shpalli t’i urdhërojë të gjithë myslimanëve që të thirrin ty në këtë mënyrë. Dhe, inshalla do ta bëjë këtë së shpejti’.
Pastaj, Huzejfe vazhdoi:
“Të nesërmen, i Dërguari (s.a.v.) më dërgoi në krahinën e Fedekut për një punë. Mbas disa dite u ktheva në Medine dhe dëgjova se i Dërguari (s.a.v.) kishte urdhëruar të gjithë myslimanëve që Aliun ta thërrasin me Urdhëruesi i Besimtarëve. Ata thoshin se Xhebraili (a.s) e kishte përcjellë nga Allahu i Madhëruar. Unë i thashë atyre: ‘Resulullahu (s.a.v.) ka thënë të vërtetën sepse edhe unë isha prezent kur Xhebraili (a.s) e thirri Aliun me atë titull.
Duke i treguar njerëzve këtë ndodhi, Ymer bin Hattabi më dëgjoi dhe pyeti: ‘A e ke parë ti Xhebrailin dhe ke dëgjuar atë që ka thënë ai? Ke kujdes për atë çka je duke folur sepse ke thënë një fjalë të madhe ose të është përzier mendja’.
Unë thashë: ‘Po, unë e kam parë Xhebrailin dhe kam dëgjuar atë që ka thënë. Ai që e sheh këtë si të shëmtuar, Allahu e tërheqtë zvarrë hundën e tij në tokë’.
Ymeri tha: ‘O Eba Abdullah! Ti ke parë e dëgjuar gjëra të mahnitshme’. Huzejfe tha: ‘Edhe Burejde ibn el Husajb el-Eslemi ka dëgjuar këtë që po ju tregoj’. Burejde u afrua afër meje dhe tha: ‘O djali i Jemmanit, Betohem në Allah se i Dërguari (s.a.v.) ka urdhëruar që të gjithë ta përshëndesin Aliun me titullin Urdhëruesi i Besimtarëve’.
Unë thashë: ‘O Burejde! A ishe ti dëshmitar i kësaj?’. Burejde tha: ‘Po, isha dëshmitar i kësaj ngjarjeje prej fillimit deri në fund’. Unë i thashë: ‘Mëshira e Allahut qoftë mbi ty o Burejde, unë nuk isha në Medine kur ndodhi kjo, më trego për këtë ndodhi’.
Burejde tha:
“Unë me vëllanë tim ishim bashkë me të Dërguarin (s.a.v.) te pyjet e Beni Nexhxharit. Ali bin Ebi Talibi erdhi dhe na dha përshëndeti. Ne ia kthyem përshëndetjen dhe i Dërguari (s.a.v.) tha: ‘O Ali, ulu këtu!’ Pastaj, erdhën disa burra dhe i Dërguari (s.a.v.) i urdhëroi ata që Aliun ta përshëndesin si Urdhëruesi i Besimtarëve dhe ata ia dhanë përshëndetjen pa kundërshtuar fare. Pastaj, erdhën Ymeri e Ebu Bekri dhe na dhënë përshëndetjen.
I Dërguari (s.a.v.) i tha edhe atyre që ta përshëndesin Aliun si Urdhëruesi i Besimtarëve dhe ata thanë: ‘A është urdhri i Allahut dhe i pejgamberit të Tij?’.
I Dërguari (s.a.v.) tha: ‘Po’. Pastaj, erdhën Talha dhe Sad bin Maliku dhe i Dërguari (s.a.v.) i urdhëroi ata që ta përshëndesin Aliun si Urdhëruesi i Besimtarëve. Ata të dytë thanë: ‘A është urdhri i Allahut dhe i pejgamberit të Tij?’.
I Dërguari (s.a.v.) tha: ‘Po’ ndërsa ata thanë: ‘Dëgjuam dhe besuam’.
Pastaj, erdhën Selman Farisiu dhe Ebu Zerri dhe na përshëndetën. I Dërguari (s.a.v.) kërkoi prej të ta përshëndesin Aliun si Urdhëruesi i Besimtarëve dhe ata pa u hamendur fare e përshëndetën Aliun me atë titull. Pastaj, erdhën Huzajme bin Sabiti dhe Ebu Hajsem bin Tejhani dhe na përshëndetën. I Dërguari (s.a.v.) kërkoi prej tyre që ta përshëndesin Aliun si Urdhëruesi i Besimtarëve dhe të dytë e përshëndetën menjëherë.
Pastaj, erdhën Ammari e Mikdadi dhe i Dërguari (s.a.v.) kërkoi të njëjtën edhe prej tyre. Ata e përshëndetën Aliun me atë titull pa thënë asnjë fjalë. Pastaj, erdhën Osmani e Ebu Ubejde dhe na përshëndetën. I Dërguari (s.a.v.) i tha edhe atyre që ta përshëndesin Aliun si Urdhëruesi i Besimtarëve dhe ata thanë: ‘A është urdhri i Allahut dhe i pejgamberit të Tij?’. I Dërguari (s.a.v.) tha: ‘Po’
Huzejfe në vazhdim tha:
“Pastaj, Burejde vazhdoi duke i përmendur emrat e të gjithë Ensarëve dhe Muhaxhirëve. I Dërguari (s.a.v.) kishte kërkuar prej të gjithëve që ta përshëndesin Aliun si Urdhëruesi i Besimtarëve.
Disa e përshëndetnin pa mëdyshje ndërsa disa e pyetnin se a është urdhri i Allahut dhe i të Dërguarit (s.a.v.) dhe i Dërguari (s.a.v.) çdo herë përgjigjej me ‘Po’.
Aq shumë njerëz kishin ardhur sa që nuk kishte më vend për të gjithë. Disa prej tyre jepnin betimin dhe ktheheshin dhe disa prej tyre qëndronin në skajin e rrugës. Atëherë, i Dërguari (s.a.v.) tha: ‘O Burejde! Qohu dhe bashkë me vëllanë përshëndete Aliun si Urdhëruesi i Besimtarëve. Burejde dhe vëllai i tij e përshëndetën Aliun pa thënë asnjë fjalë. Burejde rrëfen: Mbasi që u ktheva te vendi im, i Dërguari (s.a.v.) na mbajti një fjalim:
“Dëgjoni mirë fjalët e mija dhe mbani në mend!
Unë ju kam urdhëruar që ta përshëndetni Aliun si Urdhëruesi i Besimtarëve. Disa më pyetën se a është ky urdhri i Allahut dhe i Dërguarit (s.a.v.). Dijeni mirë që Muhamedi nuk është njëri që flet sipas dëshirës së tij. Ai e flet vetëm atë që ka shpallur e urdhëruar Allahu!
Betohem në Atë, në Dorën e të cilit është jeta ime, se nëse prishni këtë bejat do të bëheni prej qafirëve, dhe nëse e mohoni këtë do të bëheni prej atyre që kanë mohuar se unë jam dërguar unë nga ana e Allahut. Kush do, le të besojë dhe kush do le të mohojë”.
Burejde vazhdoi:
“Kur u shpërndamë, ata që e kishin pyetur të Dërguarin se a ishte urdhri i tij apo i Allahut, bashkë me pjesëtarët e fisit Kurejsh, zemrat e të cilëve nuk ishin zbutur ende nga Islami, u mblodhën në një vend dhe unë dëgjova me veshët e mijë atë që folën në mes veti.
Njëri prej tyre i tha shokut të tij: ‘A e keni parë se si Muhamedi e ngriti djalin e axhës së tij në pozita të larta? Betohem në Allah, se po të kishte në dorë, ai do ta vendoste atë edhe si pejgamber mbi neve mbas tij’. Shoku i tij tha: ‘Mos fol ashtu! Këto fjalë janë të rënda për ty. Kur të ndahet Muhamedi prej neve, na do ta nëpërkëmbim bejatin që ia kemi dhënë’.
Huzejfe vazhdoi:
‘Pastaj, Burejde shkoi në Siri dhe u kthye më vonë. Kur hyri në Medine, mësoi se i Dërguari (s.a.v.) kishte ndërruar jetë dhe njerëzit ia kishin dhënë bejatin Ebu Bekrit. Ai shkoi drejt mesxhidit dhe aty e pa Ebu Bekrin të hipur mbi mimber dhe Ymerin duke qëndruar mbi një shkallë mbrapa tij. Ai u foli atyre me zë të lartë: ‘O Ebu Bekir dhe Ymer!’
Ata thanë: ‘Çfarë ke o Burejde, a mos të kanë lënë mendja?’
Burejde tha: ‘Betohem në Allah se nuk më ka lënë mendja, po ku mbeti bejati i juaj që ia kishit dhënë më herët Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut?’
Ebu Bekri tha: ‘O Burejde! Mbi një ndodhi vjen ndodhia tjetër. Ti nuk ishe këtu, por ne ishim dëshmitar. Sigurisht që dëshmitarët e dinë më mirë sesa ata që nuk ishin këtu!’. Burejde u tha atyre: ‘Ju e keni parë atë që nuk e kanë parë Allahu dhe i Dërguari i Tij. Domethënë, ju e keni zbatuar atë fjalë të shokut tuaj, i cili tha se mbasi që të ndërrojë jetë Muhamedi, do ta nëpërkëmbim betimin që ia kemi dhënë! Mbasi që e dëshmova këtë, përderisa të vdes, Medina qoftë e ndaluar për mua!’
Huzejfe vazhdoi:
‘Mbas kësaj, Burejde e mblodhi familjen dhe pasurinë e tij, dhe shkoi te fisi i tij Beni Esleme. Aty qëndroi përderisa erdhi koha e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut, dhe në atë kohë Burejde shkoi në Irak, te Imam Aliu. Pastaj, kur u vra Urdhëruesi i Besimtarëve, ai shkoi në Horasan dhe aty kaloi në mëshirën e Allahut. Ja pra, o burrë i ri, ky është lajmi të cilën ke dëshiruar që të mësosh prej meje”.
Burri i ri tha:
“Nuk do të kenë kurrfarë shpërblimi ata që i kanë dëgjuar fjalët për Aliun nga i Dërguari (s.a.v.) dhe që kanë tradhtuar. Ata e kanë marrë kalifatin prej të besueshmit të pejgamberit dhe këtë pozitë ia kanë dhënë atij që nuk është i denjë për të.
Betohem në Allah, se këta nuk do të gjejnë shpëtim kurrë”.
Atëherë, Huzejfe zbriti nga mimberi dhe i tha burrit të ri: ‘O vëllai im Ensar, kjo gjendje ishte shumë më e rëndë sesa që po mendon ti. Betohem në Allah se sytë ishin lodhur, bindja ishte asgjësuar, kundërshtarët ishin shtuar dhe ndihmëtarët e të vërtetës ishin pakësuan”.
Burri i ri tha: “Po, mirë. Ju që e keni parë këtë gjendje, a nuk i keni nxjerrë shpatat tuaja për të luftuar kundër atyre që janë ndarë nga e vërteta përderisa të vijë në vendin e tij ai të cilin ka dashur Allahu, i dërguari i Tij dhe ju?
Sepse, aty ose do të vriteshit, ose do ta arrinit atë që keni dashur’. Huzejfe tha: ‘O burrë i ri, Betohem në Allah, se neve na erdhi sikur të kishte shkuar prej neve dëgjimi e shikimi dhe neve na erdhi rëndë vdekja. Jeta e kësaj bote na është dukur e zbukuruar. Ne i lutemi Allahut të na mbulojë gabimet tona dhe të na mbrojë prej gabimeve të tilla deri në fundin e jetës që na ka mbetur. Ai është Malik dhe Rahim’. Pastaj, Huzejfe shkoi në shtëpi dhe njerëzit u shpërndanë.
Mbas një kohe të gjatë, Huzejfe ishte shtrirë nga sëmundja dhe ky burë i ri shkoi për ta vizituar atë. Huzejfe u gëzua kur e pa atë dhe kërkoi që të dalin jashtë vizitorët tjerë që ishin afër tij. Pastaj, burri i ri tha: ‘O Ebu Abdullah! Unë isha në dyshim në lidhje me një gjë: Një ditë, ishte dhënë urdhri për përshëndetjen e Aliut si Urdhëruesi i Besimtarëve dhe Burejde kishte dëgjuar dy shokë duke folur në mes veti: Muhamedi ia dha djalit të axhës së tij një pozitë shumë të lartë, ndërsa i dyti tha: Mos fol, mbasi që të vdes Muhamedi do ta nëpërkëmbim urdhrin e tij.
Dyshimi im është ky: athua këta dy shokë janë ata dy që kishin hipur mbi mimber mbas ndërrimit jetë të Dërguarit (s.a.v.) dhe të cilëve u kishte folur Burejde?’
Huzejfe tha: ‘Po, dyshimi yt është me vend. Ai që kishte folur ishte Ymeri dhe ai që ia kishte dhënë përgjigjen ishte Ebu Bekri’.
Burri i ri tha: ‘Prej Allahut kemi ardhur dhe te Allahu do të kthehemi! Betohem në Allah se ky popull është shkatërruar dhe të gjitha veprat e tyre kanë shkuar kot!’.
Huzejfe tha: ‘Ky popull ka mbetur vazhdimisht jashtë fesë dhe Allahu di veprimet e tyre’. Burri i rri tha: ‘Kisha pasur dëshirë që të mësojë më shumë për veprimet e tyre por nuk dua me të lodhë sepse je i sëmurë’.
I riu u ngrit për të shkuar por Huzejfe i tha atij: ‘O djali i vëllait tim, ulu dhe dëgjoji prej meje lajmet për ata. Unë dua që të tregoj sepse kjo po më pikëllon mua dhe se shumë shpejt do të ndahem prej juve. Unë nuk dua që ti të mashtrohesh mbas madhështisë së tyre në mesin e njerëzve. Këshilla ime është borxhi im për nënshtrimin ndaj Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut dhe Resulullahut (s.a.v.)’.
Burri i ri tha: ‘O Ebu Abdullah! Më trego për ata ashtu që të hapet syri i mendjes sime’. Huzejfe tha: ‘Betohem në Allah që do të tregoj për ata lajme të tilla që do të jetë e qartë për ty se ata nuk kanë besuar as për një moment të vetëm. Në vitin e 10 H. Allahu i Madhëruar kishte dhënë urdhër që populli të niset për në haxh bashkë me të Dërguarin (s.a.v.): ‘Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta’ (Haxh, 27).
Dhe, Resulullahu kishte dërguar thirrësit dhe kishte bërë thirrje çdo grupi që të shkojnë bashkë me të në haxh dhe me këtë dëshironte që të tregonte njerëzve mënyrën e kryerjes së haxhit, i cili do të vazhdojë deri në ditën e Kiametit. Resulullahu (s.a.v.) u nis për në Meke me masën e tubuar të njerëzve.
Kur mbërritën aty, i Dërguari (s.a.v.) ua mësoi njerëzve të gjitha rregullat e haxhit, ashtu si ka vepruar Ibrahimi (a.s) dhe duke i mënjanuar të gjitha bidatet që i kishin shtuar idhujtarët. Pastaj, qëndroi një ditë në Meke dhe Xhebraili (a.s) erdhi dhe ia shpalli ajetet e para të sures Ankebut:
“Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Elif, Lam, Mim. A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” Ne i sprovuam edhe ata që ishin para tyre. Sigurisht që Allahu i di të drejtët dhe sigurisht që i di edhe gënjeshtarët. A mos menduan ata që bëjnë vepra të këqija se do të na shpëtojnë? Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre!” (Ankebut, 1-4). Resulullahu (s.a.v.) pyeti: ‘O Xhebrail! Çka është kjo nxitje (fitne)?
Xhebraili (a.s) tha: ‘O Muhamed! Allahu të dërgon selam dhe të thotë: ‘Të gjithë të dërguarve që i kam dërguar para teje Ua kam urdhëruar që ta emërojnë kalifin që do të kalojë në vendin e tyre, mbasi që të ndahen nga kjo botë, i cili do t’i ringjallë synnetet dhe rregullat fetare të tyre. Të drejtët janë ata që u janë nënshtruar urdhrave të të dërguarve në këtë gjendje. Ndërsa ata që e kanë kundërshtuar urdhrin e të dërguarit kanë qenë gënjeshtarët.
Edhe ty, o Muhamed, të është afruar koha e shkuarjes në Xhenet dhe te Zoti yt. Ai të urdhëron ty që të emërosh Ali bin Ebi Talibin si kalif të ymmetit mbas teje. Aliu do të bëhet lideri i ymmetit mbas teje, pa marrë parasysh a do t’i nënshtrohen atij apo do të rebelohen kundër tij. Kjo është nxitja të cilën e kemi përmendur. Allahu i Madhëruar të urdhëron ty: Mësoji Aliut të gjitha dituritë që të kam mësuar ty dhe jepja Aliut të gjitha vendimet që t’i kam dhënë ty.
Ai është pronari i besueshëm i amanetit. O Muhamed! Ty të kam zgjedhur prej mesit të robërve dhe të kam caktuar si pejgamber, dhe Aliun e kam zgjedhur si trashëgimtar të besueshëm”.
Resulullahu (s.a.v.) e thirri Aliun dhe atë ditë qëndroi në katër sy me të duke ia mësuar të gjitha dituritë dhe urtësitë. Atij ia tregoi atë çka i kishte thënë Xhebraili (a.s).
Atë ditë e kishte radhën Ajsha, vajza e Ebu Bekrit, dhe ajo tha: ‘O Resulullah! Sot ke qëndruar vetëm me Aliun një kohë të gjatë’.
Resulullahu (s.a.v.) e ktheu kokën prej saj dhe ajo tha: ‘O Resulullah, a po e kthen kokën prej për shkak të ndonjë arsyeje të mbarë?’
Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Po, e ke thënë të vërtetën, sepse kjo është një punë e tillë që nëse lidhen për të atëherë do t’ua sjellë atyre lumturi. Kush e pranon atë dhe i beson atij, do të bëhet i lumtur. Mua më është urdhëruar që t’u bëjë thirrje të gjithë njerëzve drejt Aliut. Kur ta përhapi në mesin e njerëzve edhe ti do ta dish këtë’.
Ajsha tha: ‘O Resulullah! Pse nuk po më tregon tani, ashtu që të mund t’i besojë atij përpara të gjithë njerëzve’.
Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Unë do të tregoj ty. Por, ti nuk duhet t’i tregosh asnjërit para se ta bëjë këtë publike!
Nëse ti i pranon këto që do t’i them ty dhe nëse mundohesh për të vepruar sipas saj, atëherë do t’i arrish të mbarat më shumë se të tjerët, por nëse i humb këto që do t’i them dhe nëse i tregon të tjerëve para meje, padyshim që do jesh në pabesim kundrejt Zotit dhe të gjitha veprat e tua do të shkojnë kot; borxhi i Allahut dhe i pejgamberit të Tij do të largohen prej teje; do të bëhesh prej të humburve dhe kjo nuk do ta dëmtojë aspak të Allahun dhe të dërguarin e Tij’.
Ajsha ia dha fjalën se nuk do t’i tregoj askujt këto fjalë dhe se do të veprojë sipas tyre. Atëherë, i Dërguari (s.a.v.) tha: ‘Allahu i Madhëruar më ka bërë të njohur se jeta ime është kah fundi dhe më urdhëroi t’ia mësojë Aliut të gjithë dituritë që i kam.
Ai më urdhëroi që ta emërojë si Imam të ymmetit dhe, sikur edhe pejgamberët tjerë që e kanë caktuar kalifin e tyre, ashtu edhe unë ta emërojë kalifin tim. Unë u drejtova kah zbatimi i urdhrit të Zotit tim. Këto që po t’i tregoj duhet ta ruash në vendin më të thellë të zemrës përderisa Allahu të më urdhërojë që ta bëjë këtë publike’. Ajsha u betua se nuk do t’i tregojë askujt.
Allahu i Madhëruar ia bëri me dije të Dërguarit (s.a.v.) se çka do t’i vijë atij prej Ajshes dhe Hafsës. Dhe, ashtu edhe ndodhi: pa pritur fare, Ajsha ia tregoi Hafsës se çka do të bëhet dhe pastaj të dyja ia treguan baballarëve të tyre. Baballarët e tyre i thirrën mynafikët dhe ata, zemrat e tyre ishin zbutur me para, dhe ua treguan se çka do të bëhet. Ata e shikuan njëri tjetrin dhe thanë: ‘Muhamedi po mundohet që çështjen e Ehli Bejtit të tij ta kthejë në synnetin e bizantinëve të Kusras dhe Kajserit.
Betohem në Allah se nëse kjo çështje kalon te Ali bin Ebi Talibi, atëherë juve nuk do të mbetet asnjë hise! Mos harroni që Muhamedi po vepron me ju sipas pamjes suaj të jashtme. Por, Aliu nuk është i tillë, ai do të veprojë kundër juve ashtu si di vetë.
Prandaj, ndërmerrni masat dhe tregoni pikëpamjet e juaja në lidhje me këtë’. Aty debatuan pikëpamje të ndryshme dhe në fund vendosën që ta gjuajnë në humnerë pejgamberin afër shpatit të malit Harsha, duke e frikësuar devenë e tij. Njëjtë, sikur që vepruan në luftën e Tebukit. Edhe aty deshën që ta gjuajnë pejgamberin prej devesë së tij në një luginë të thellë, por Allahu ua prishi planet e tyre. Pastaj, u munduan në mënyra të ndryshme që ta eliminojnë pejgamberin, madje i kanë provuar edhe mënyrat e helmimit.
Pra, këta mynafikë kishin vendosur që ta gjuajnë në humnerë pejgamberin. Numri i tyre ishte katërmbëdhjetë. I Dërguari (s.a.v.) e kishte vendosur Aliun në krye, për të udhëhequr karvanin në Medine. Mbasi që kaluan dy ditë e dy net, erdhi Xhebraili (a.s) dhe i tha që ta lexoj fundin e sures Hixhr: “Pasha Zotin tënd, ata të gjithë do t'i marrim në përgjegjësi për atë se çka vepruan. Publiko haptas atë për të cilën urdhërohesh, e hiqju idhujtarëve.
S'ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen”. (Hixhr, 92-95). Mbas kësaj, i Dërguari (s.a.v.) kërkoi që të nxitohet për të mbërritur në Medine dhe për ta emëruar Imam Aliun si kalif të tij për njerëzit. Kah fundi i natës së katërt të udhëtimit, erdhi Xhebraili (a.s) dhe ia lexoi këtë ajet: “O ti i dërguar! Komunikoje atë që është urdhëruar prej Zotit tënd, e nëse nuk bën këtë, atëherë nuk e ke kryer misionin (risalat) e Tij”. Allahu të mbron ty prej njerëzve. Padyshim, që Allahu nuk e udhëzon grupin e jobesimtarëve” (Maide, 67).
Këta ishin ata që donin ta vritnin të Dërguarin (s.a.v.). I Dërguari (s.a.v.) tha: ‘O Xhebrail, a nuk po e sheh se jam duke nxituar për të mbërritur në Medine dhe për ta shpallur kalifatin e Aliut?’
Xhebraili (a.s) u përgjigj: ‘Allahu i Madhëruar të urdhëron që velajetin e Aliut ta publikosh nesër te vendndalesa e parë që arrin!’.
Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Po, o Xhebrail. Inshallah nesër do ta zbatojë këtë urdhër menjëherë’. Pastaj, Resulullahu (s.a.v.) vazhdoi udhëtimin derisa mbërriti te vendi i quajtur Gadir Hum. Aty e fali namazin dhe i thirri njerëzit që të tubohen përreth tij. Afër tij e morri Aliun dhe duke ia ngritur dorën e tij të djathtë e publikoi kalifatin e Aliut. Ai e qartësoi udhëheqësin e njerëzve dhe urdhëroi që asnjëri të mos i kundërshtojë atij. Ai kumtoi se ky është urdhri i Allahut dhe tha: ‘A nuk jam unë më afër besimtarëve sesa vetë ata?’. Ata thanë: ‘Po, je më i afërm’. Pastaj, vazhdoi: ‘Udhëheqësi i kujt jam unë edhe Aliu është udhëheqësi i tij.
O Allah! Pranoje velajetin e tij, dashuroje atë që e dashuron atë, ndihmoje atë që e ndihmon atë dhe bëhu armiku i armikut të tij!’. Pastaj, urdhëroi që t’i japin bejatin të gjithë të pranishmit dhe asnjëri prej tyre nuk kundërshtoi. Ebu Bekri dhe Ymeri kishin vazhduar rrugën për në krahinën e tyre dhe i Dërguari (s.a.v.) i thirri ata që të kthehen. Kur u afruan te i Dërguari (s.a.v.), ai i urdhëroi ata në mënyrë të ashpër: ‘O djali i Ebi Kuhafes dhe o Ymer, jepjani bejatin Aliut dhe pranojeni atë si kalifin tuaj mbas meje!’. Ata thanë: ‘A është ky urdhri i Allahut dhe i dërguarit të Tij?’. I Dërguari (s.a.v.) tha: ‘A mundet me qenë një gjë e tillë jashtë urdhrit të Allahut dhe të dërguarit të Tij? Jepjani bejatin atij menjëherë’. Ata ia dhanë bejatin dhe u larguan. Edhe i Dërguari (s.a.v.) e vazhdoi rrugën dhe gjatë natës mbërritën në majën më të lartë të malit Hersha.
Grupi që kishin bërë marrëveshje në mes veti ishte duke e pritur te kthesa e malit. Me vete kishin marrë torba të vogla të mbushura me gurrëza. Në atë moment, i Dërguari (s.a.v.) më thirri mua dhe Ammar bin Jaserin dhe tha që Ammari ta mbajë kapistrën e devesë ndërsa unë të qëndrojë mbrapa devesë. Kur arritëm te vendi më i thiktë i malit, ai grup i gjuajti torbat e tyre me gurrëza te këmbët e devesë. Deveja u shqetësua shumë dhe deshi ta rrëzojë pejgamberin prej shpinës së saj, por i Dërguari (s.a.v.) i bërtiti asaj: ‘Qetësohu! Nuk do të pësosh asnjë dëm’.
Deveja ia ktheu në gjuhën arabe dhe këtë e dëgjuan të gjithë: ‘Betohem në Allah, o pejgamber, se as nuk do ta lëvizi këmbën nga vendi ku e kam vendosur, as nuk do të lëviz unë nga vendi përderisa ti je mbi shpinën time’. Kur e dëgjoi këtë ai grup, lëvizën drejt neve për ta rrëzuar devenë me duart e tyre. Ajo natë ishte e errët. Kur i nxorën shpatat për të luftuar kundër tyre, ata ikën. I thashë të Dërguarit (s.a.v.): ‘O Resulullah! Kush ishin këta që deshën ta bënin atë që e pashë?’. Resulullahu tha: ‘O Huzejfe! Këta janë mynafikët në këtë dhe në botën tjetër!’. I thashë të Dërguarit (s.a.v.): ‘O Resulullah!
A nuk do të dërgon ndonjë grup që të sjellë kokat e tyre?’ Pejgamberi tha: Allahu i Madhëruar më ka urdhëruar që ta kthejë kokën prej tyre. Unë nuk dëshiroj që njerëzit të thonë: I dërguari ua ka bërë thirrje njerëzve dhe sahabeve për fe dhe ata iu nënshtruan atij; mbasi që korri fitore ndaj armiqve, ai i mbyti ata. Lëri ata o Huzajfe. Padyshim, që Allahu është duke i vështruar ata. Ata kanë vetëm një afat të shkurtër dhe pastaj do ta shijojnë dënimin e dhimbshëm’. Unë thashë: ‘Kush janë këta mynafikë? A janë prej Ensarëve apo Muhaxhirëve?’.
Atëherë, i Dërguari (s.a.v.) i tregoi emrat e tyre një nga një. Unë isha shumë i shqetësuar që në mesin e tyre ishin edhe ata që u përmendën. Këtë e vërejti i Dërguari (s.a.v.) dhe tha: ‘O Huzejfe! Sikur je duke dyshuar për ata emra që i përmenda. Qoje kokën tënde drejt tyre!’. Unë e qova kokën dhe ata ishin duke pritur te kthesa e malit kur papritmas shkrepi vetëtima dhe e ndriçoi tërë rrethinën për një kohë të gjatë. Betohem në Allah se i pashë të gjithë ata me sytë e mijë dhe ata ishin katërmbëdhjetë persona, ashtu sikur që i tregoi i Dërguari (s.a.v.).
Nëntë ishin prej Kurejshëve dhe të tjerët i takonin grupeve tjera’.
I riu që e kishte dëgjuar deri më këtu Huzejfen, i tha atij: ‘Allahu të mbuloftë me mëshirën e Tij. Sikur të kishe treguar emrat e tyre’.
Huzejfe tha: ‘Ata që i takonin Kurejshëve ishin:
Ebu Bekri, Ymeri, Osmani, Talha, Abdurrahman bin Avfi, Sa’d bin Ebi Vakkasi, Ebu Ubejde bin Xherrahi, Muavije ibn Ebu Sufjani dhe Amr bin Asi.
Ndërsa, prej harixhive ishin:
Ebu Musa el-Esh’ari, Mugire bin Shu’be, Evs bin Hudsan el-Basri, Ebu Hurejre ve Ebu Talha el-Ansari!”
Këtë rrëfim mund ta lexoni në librin Bihar-ul Envar, kapitullin 28, faqe 94-101. Ky rrëfim mund të gjendet në shumë libra të dijetarëve që janë të lidhur për Imamët e Ehli Bejtit. Rrëfime të ngjashme mund t’i lexoni edhe në librat synnite. Dallimi në mes tyre është se librat synnite e kanë përmendur vetëm ngjarjen e luftës së Tebukit dhe aty nuk përmenden emrat e mynafikëve. Por, sipas librave më burimore synnite, Huzejfe ishte ai që i dinte më së miri emrat e mynafikëve. Ai i kishte treguar shumë njerëzve emrat e tyre mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.). Ne kemi përcjellë vetëm ato që janë shkruar dhe përfundimet e analizat po ua lëmë ndërgjegjes së lirë të lexuesve.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 105
“Thuaj: Veproni, Allahu, i dërguari i Tij e besimtarët do ta shohin veprën tuaj”.
Njëri prej sahabeve me emrin Abdullah, i kishte thënë Imam Ali Rizasë:
‘Sikur të ishe lutur për mua dhe për Ehli Bejtin tim!’ Imami tha: ‘A mendon se nuk jam duke u lutur? Betohem në Allah se të gjitha veprat e juaja më prezantohen çdo ditë dhe çdo natë. Kjo fjalë e Imamit iu dukë si e tepërt, dhe Imami tha: ‘A nuk e ke lexuar librin e Allahut të madhëruar? Aty shkruan kështu: “Thuaj: Veproni, Allahu, i dërguari i Tij e besimtarët do ta shohin veprën tuaj”. Betohem në Allah se me besimtarët nënkuptohet Urdhëruesi i Besimtarëve, Ali bin Ebi Talibi”.
Imam Muhamed Bakiri ka thënë:
“Betohem në Allah se me besimtarët që përmendet në ajet nënkuptohet Ali bin Ebi Talibi”.
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Kur të vdes besimtari apo qafiri, padyshim që vepra e tij i prezantohet të Dërguarit (s.a.v.) dhe Aliut. Kjo do të vlejë për të gjithë Imamët tjerë të Ehli Bejtit”.
Në një rrëfim tjetër, Imami ka thënë:
“Në ditën e Kiametit do të vendoset një mimber prej 24 shkallëve. Pastaj, Imam Aliu me flamurin e falënderimit do të hip mbi ato shkallë dhe do të ulet mbi mimber. Populli do të vijë përpara tij për të dhënë llogari. Kush e njeh Aliun, do të shkojë në Xhenet dhe kush e mohon atë, do të shkojë në Xhehenem. Tefsiri i kësaj gjendet në Kuran: “Thuaj: Veproni, Allahu, i dërguari i Tij e besimtarët do ta shohin veprën tuaj”... dhe Betohem në Allah se ai është Urdhëruesi i Besimtarëve, Ali bin Ebi Talibi”.
Është gabim që të kuptohet se Imam Aliu nuk i njeh ata persona që nuk i ka parë. Ne kemi përmendur më herët se ai kishte ardhur fshehtas me të dërguarit e mëhershëm dhe haptas me të dërguarin e fundit, Muhamedin (s.a.v.). Sikur që është dëshmia e Allahut për të gjithë myslimanët, ai është dëshmia e Allahut edhe për Hebrenjtë dhe të Krishterët.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 119
“O ju besimtarë! Ta keni frikë Allahun dhe të jeni me ata të sinqertit”
Kur zbriti ky ajet, Selman Farisiu e kishte pyetur pejgamberin:
“O Resulullah! A është fjala për persona të caktuar apo ky ajet vlen për çdonjërin?”. I Dërguari (s.a.v.) tha: “Me besimtarë që përmenden në ajet nënkuptohen të gjithë besimtarët. Atyre u është dhënë urdhri që të jenë bashkë me ata që janë të sinqertë (sadik). Ndërsa, të sinqertët janë personat e caktuar: vëllai dhe trashëgimtari im Aliu dhe ata që do ta trashëgojnë atë”.
Imam Muhamed Bakiri ka thënë:
“Me urdhrin të jeni me ata të sinqertit nënkuptohet që të jenë bashkë me Urdhëruesin e Besimtarëve, Ali bin Ebi Talibin”.
Imam Ali Riza ka thënë: “E kanë pyetur për të sinqertit që përmenden në ajet. Ai ka thënë: të sinqertit janë Aliu, Fatimja, Hasani, Hysejni dhe pasardhësit e pastër që do të vijnë deri në ditën e Kiametit”.
Urdhri për të qenë me ata të sinqertët është njëri prej urdhrave më të rëndësishme që duhet zbatuar. Sepse, këta të sinqertët janë personat e zgjedhur të Allahut.
Ata e flasin vetëm të vërtetën dhe bëjnë thirrje kah e vërteta. Fjala e tyre është hak sepse fliten nga ana e hakut. Ata nuk flasin nga vetvetja. Ata gjithmonë e flasin të vërtetën dhe bëjnë thirrje kah e vërteta. Këtë vlerë të lartësuar e zotërojnë vetëm Imamët e Ehli Bejti brenda ymmetit dhe kjo vërtetohet përmes haditheve më të sakta. Vetëm ata janë të sinqertët brenda ymmetit dhe vetëm ata që i nënshtrohen atyre mund ta dinë kuptimin e sinqeritetit. Prandaj, le t’i pasojmë ata të gjithë dhe ta marrim fenë prej tyre. Paqja dhe përshëndetja e Allahut qoftë mbi ta dhe mallkimi i rëndë qoftë mbi armiqtë e tyre.
Me ndihmën e Allahut po e përfundojmë suren Tevbe.