Sureja Nexhm 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 1-4

“Pasha yllin kur ai bie! Shoku juaj nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar. Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kurani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

Gjatë kohës kur ishte i sëmurë Resulullahu (s.a.v.) , Ehli Bejti dhe sahabet u afruan dhe i thanë: “O Resulullah! Nëse të ndodhë diçka, kush do të qëndrojë në vendin tënd?” Atë ditë Resulullahu (s.a.v.) nuk dha asnjë përgjigje. Të nesërmen e pyetën pyetjen e njëjtë dhe ai prapë nuk u përgjigj.

 

Kur e pyetën ditën e tretë pyetjen e njëjtë, ai tha: “Nesër do të bie një yll nga qielli dhe do të shihet mbi shtëpinë e njërit prej sahabeve të mijë. Atëherë, do të shihni se kush është ai person. Ai do të jetë kalifi im mbas meje dhe do të vazhdojë urdhrat e mijë në mesin tuaj”. Të gjithë të pranishmit lakmonin që ndonjëri prej tyre ta qojë dorën dhe të thotë për veten e tij që ky është ai person.

 

Ditën e katërt të gjithë qëndronin në shtëpitë e tyre dhe ishin në pritje të yllit. Përnjëherë, zbriti një yll i tillë nga qielli që drita e tij ishte më e fortë se drita që ishte në botë. Ky yll është parë mbi shtëpinë e Aliut (a.s). Disa nga mesi i njerëzve thanë: “Betohem në Allah se ky burrë (Resulullahu) ka devijuar dhe e ka humbur rrugën.

Atë që po e thotë për djalin e axhës së tij (Aliun) nuk është asgjë tjetër veçse një trillim nga ana e tij!” Atëherë, Allahu e shpalli këtë ajet: “Pasha yllin kur ai bie! Shoku juaj nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar. Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kurani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet”

 

Sikur që na bëhet e qartë edhe nga këto ajete, Allahu i Madhëruar është betuar në një yll. I Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Në mesin tuaj Ehli Bejti im është sikur yjet e qiellit! Ashtu sikur që yjet janë bërë vendstrehimi i banorëve të qiellit ashtu edhe vendstrehimi i juaj në këtë botë është Ehli Bejti im”

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 7-18

“Dhe ai (pejgamberi ynë) ishte në horizontin e lartë. Pastaj u lëshua dhe iu afrua. E ishte afër sa dy harqe apo edhe më afër. Dhe i shpalli robit të Tij atë që ia shpalli. Zemra nuk mohoi atë që e pa. A po i bëni polemikë atij për atë që ka parë? Atë e ka parë edhe herën tjetër. Te Sidretul Munteha. Që pranë saj është Xhennetul Me'va. Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai vërtet, ka parë më të madhin prej shenjave të Zotit të vet”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Kur shkova në horizontin më të lartë dhe u afrova sa dy harqe apo edhe më shumë, ashtu që isha shumë afër Zotit tim, Ai më tha: ‘O Muhamed! Kënd e do më së shumti prej mesit të njerëzve?’ Unë i thashë: ‘O Zoti im! Më së shumti e dua Aliun!’ Ai më tha: ‘O Muhamed! Atëherë shiko përreth teje!’ Unë shikova përreth dhe në të djathtën time e pashë Ali bin Ebi Talibin!”

 

Njëri prej dijetarëve të mëdhenj të mez-hebit hanefij, Muvaffak bin Ahmed Ebu’l Muajjed el Huvarezmi, i cili ka jetuar në shekullin 5 H dhe ka vdekur në vitin 568 H, në librin e tij “Menakib emir-el mu’minin Ali bin Ebi Talib” ka regjistruar një hadith të këtillë: 

 

Sahabet e kishin pyetur Resulullahun (s.a.v.):

“O Resulullah! Kur shkove në Miraxh dhe u takove me Allahun e Madhëruar, me gjuhën e kujt të ka folur Allahu?” Resulullahu (s.a.v.) tha: “Allahu i Madhëruar më ka folur me gjuhën e Aliut! Unë e pyeta Allahun: O Zot! A je duke biseduar Ti me mua apo Aliu?’ dhe më erdhi një zë i këtillë: ‘O Muhamed! Unë nuk i ngjasoj asnjë gjësendi dhe nuk jam i barabartë me asgjë. Por, kur erdhe ti afër Meje, Unë shikova zemrën tënde dhe aty nuk pashë asgjë tjetër përveç dashurisë ndaj Aliut. Për të qenë zemra jote e kënaqur, unë fola ty me gjuhën e Aliut!”

 

Ekzistojnë rrëfime të ndryshme në lidhje atë shkuarjen e pejgamberit në pozitën më të lartë, takimin me Allahun e Madhëruar, dhe për atë se a e ka parë dhe si e ka parë Atë. Ka dallime në rrëfimet e të dy grupeve dhe ne i përmbahemi rrëfimeve që na kanë përcjellë Imamët e Ehli Bejtit. Imam Aliu ka thënë: “Unë nuk i bëjë ibadet një gjëje që nuk e shoh! Por, atë nuk duhet shikuar me shikimin e syrit por me shikimin e zemrës!” Pra, i Dërguari (s.a.v.) e ka parë Zotin e vet në pozitën më të lartë përmes shikimit të zemrës. Aty nuk ekziston asnjë kufi i rrethimit.

 

Është aq e gjerë sa që vetëm ata që janë prej dritës së Zotit mund të hyjnë aty. Sikur që ka thënë Xhelaludin Rumiu: “Në hakikat, Aliu është lidhja në mes dy botëve. Ai e pa fshehtësinë e Muhamedit (s.a.v.) kur ai, sulltani i dy botëve, gjendej në haremin e takimit në natën e afërsisë ndaj Hakut (miraxhit). Fjalimin e Aliut e dëgjoi prej Aliut. Në atë vend ku takohet me Aliun, tjetri nuk mund të gjendet”. (Shtypur nga Ministria e Arsimit në librin me titull “Pjesë të zgjedhura nga Divani Kebiri”)

 

Konfirmimin e fjalëve të Mevlanës më herët e ka bërë i Dërguari (s.a.v.) në hadithin e tij: “O Ali! Vetëm unë dhe ti e kemi njohur Allahun sipas hakut! Mua më keni njohur sipas hakut vetëm Allahu dhe ti. Dhe, ty të kemi njohur sipas hakut vetëm unë dhe Allahu!”

 

Kur t’i analizojmë këto fjalë që kanë vlera që nuk mund të çmohen, do të shohim se ymmeti është larguar shumë prej esencës së Islamit. Sepse, shumica e ymmetit nuk mund të durojë për të dëgjuar ndonjë fjalë që përmban virtyte në lidhje me Imam Aliun. Kjo gjendje e tanishme nuk dallon aspak nga situata në kohën e të Dërguarit (s.a.v.). Sikur të kishte parë i Dërguari (s.a.v.) se sahabet janë duke i shfaqur më shumë dashuri e nënshtrim ndaj Imam Aliut, ai sigurisht do të kishte folur edhe më shumë për virtytet e vërteta të Imam Aliut.

 

Gjatë kohës së rrethimi të Taifit, i Dërguari (s.a.v.) ishte tërhequr me Imam Aliun në një vend larg prej syve dhe kishin biseduar një kohë të gjatë, aq gjatë sa që sahabet kishin filluar të bëjnë thashetheme. Ymeri i tha sahabeve: “Shumë gjatë është duke folur me djalin e axhës së tij!”

 

Kur i Dërguari (s.a.v.) dëgjoi thashethemet e sahabeve, i thirri të gjithë ata në një vend dhe u tha: “Betohem në Allah se unë nuk kam folur fshehtas me Aliun por Allahu ka folur fshehtas me Aliun!” Ky hadith është përmendur edhe në librin ‘Sahih’ të Tirmiziut. Thënë shkurt, te shumica e sahabeve nuk ekzistonte një nënshtrim dhe një dashuri ndaj Imam Aliut.

 

Këtu, nuk mund të mos e përmendim një ndodhi në lidhje me Miraxhin që na vjen nga ana e Imamëve të Ehli Bejtit. Urdhëruesi i Besimtarë  ve, Imam Aliu, kishte zakon që të ulet në mesin e popullit dhe të mbante ligjërata nga fushat e ndryshme të diturisë. Një ditë foli për Miraxhin e pejgamberit në këtë mënyrë: “Pejgamberi ishte duke dalë nga dera për të shkuar në Miraxh dhe rrobat e tij u kapën për ibrikun e ujit, të cilin e rrëzoi dhe uji filloi që të derdhet nga ibriku.

 

Ende pa u ftohur shtrati i tij dhe pa u zbrazur uji nga ibriku, ai shkoi te Zoti i tij, u takua me të dhe u kthye mbrapa!” Njëri prej hebrenjve që ishte duke e dëgjuar Imam Aliun, tha në vete: “Ama po shpif Aliu nga vetja! Ende pa u zbrazur uji nga ibriku i rrëzuar shkoi deri te Allahu dhe u kthye! Kjo nuk është e mundur për asnjërin!”

 

Duke menduar kështu, hebreu shkoi në shtëpi. Gruaja e tij kishte marrë një enë, e kishte mbushur me miell dhe kërkoi ujë për të gatuar. Kur e pa se nuk kishte ujë, ajo kërkoi prej burrit të saj që të shkojë te burimi i ujit për të sjellë ujë. Hebreu shkoi te burimi dhe e mbushi ibrikun e tij me ujë dhe mbasi që e vendosi në tokë i hoqi rrobat e tij dhe hyri në ujë për t’u freskuar. Mbasi që i hoqi rrobat, padashur i gjuajti mbi ibrikun e mbushur me ujë.

 

Ibriku u rrëzua dhe filloi të derdhet uji nga ibriku ndërsa hebreu e futi kokën në ujë. Kur e qoi kokën nga uji, e pa veten se ishte bërë grua dhe qëndronte lakuriq në bregun e detit. Filloi që të shikojë i habitur djathtas e majtas dhe e pa se afër saj ishte duke kaluar një grua e moshuar. Kësaj gruaje u dhimbs ky hebre dhe mbasi që ia dha disa rroba, e mori në shtëpinë e saj. Hebreu nuk mundte të kuptonte se çka ishte duke ndodhur.

 

Kaloi një kohë dhe bukuria e hebreut, që kishte kaluar në formën e gruas, u dëgjua përreth. Njëri u martua me të dhe brenda gjashtë vitesh ai i lindi gjashtë fëmijë. Një ditë shkoi për t’u larë në det dhe u gjuajt në ujë. Kur e nxori kokën nga uji, ai e pa veten te burimi i ujit dhe afër tij ishte ibriku i ujit, që e kishte lënë aty gjashtë vjet më parë.

 

Uji nga ibriku nuk ishte zbrazur ende plotësisht. Ai u habit shumë kur e pa se të gjitha këto i kishte përjetuar për një kohë kaq të shkurtër dhe mbasi që e mbushi ibrikun me ujë, ai shkoi në shtëpi. Në shtëpi e priste gruaja dhe mbasi që ia dha ibrikun, ai shkoi te Imam Aliu, i cili ishte ende duke folur për Miraxhin.

Hebreu tha: “O Urdhëruesi i Besimtarëve! Më falë mua. Brenda vetes, unë i kisha përgënjeshtruar ato që kishit thënë në lidhje me Miraxhin e pejgamberit Muhamed!” Imam Aliu, duke buzëqeshur, i tha: “A më ke besuar mbasi që i ke lindur gjashtë fëmijë?”

 

Allahu i Madhëruar nuk është i varur nga koha dhe hapësira. Ai e bën atë do dhe në mënyrën si e do Ai. Mendja është e paaftë për të kuptuar të bërën e Tij. Ai i di të gjitha të bërat e mendjeve. Sikurse që është prezent në këtë moment këtu, në të njëjtën kohë Ai është prezent edhe në të gjitha vendet tjera. Mendja nuk mund ta përshkruajë esencën e ekzistencës së Tij. Zatin e Tij e di vetëm Zati i Tij. Në çdo kohë, Ai është në gjendjen e njëjtë, as nuk ndërrohet as nuk ndërron vendin.

Në çdo kohë, Ai është në gjendjen e njëjtë dhe ai nuk ndien nevojë për lëvizje të tilla. Ai shfaqet në vendin që do Ai dhe fshihet në vendin që do Ai. Ne dëshmojmë se Allahu është një, është tek dhe se nuk ka të ngjashëm si Ai. Nuk ka lindur dhe nuk lind. Koha nuk vlen për Të. Koha nuk e ndërron Atë dhe nuk ndikon te Ai. Ai sundon me kohën, ndërsa ne jemi nën sundimin e kohës.

 

Me ndihmën e Allahut këtu përfundon sureja Nexhm. Falënderimi i takon vetëm Allahut. paqja dhe përshëndetja e tij qofshin mbi pejgamberin e Tij dhe mbi Ehli Bejtin të tij të pastër.