Sureja Nebe
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 1-5
“Për çka ata i bëjnë pyetje njëri-tjetrit? Për lajmin e madh e tronditës. Ai është një i lajm i tillë që ata kanë rënë në kundërshtim në lidhje me të. Jo, do të kuptojnë së shpejti; prapë, jo, ata do të kuptojnë së shpejti”
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë: “Allahu nuk ka lajm dhe argument më të madh se unë! Velajeti im i është prezantuar edhe ymmeteve të mëhershëm. Por, nuk e kanë pranuar të gjithë!”
Gjatë luftës së Siffinit, njëri prej ushtarëve të Muavijes e lexoi këtë ajet kur doli në mejdan dhe Imam Aliu i tha atij: “A e di cili është ai lajm i madh për të cilin kanë rënë në kundërshtim?” Ushtari sirian tha: “Jo, nuk e di!” Imami i tha: “Betohem në Allah, se unë jam ai lajmi i madh për të cilën kanë rënë në kundërshtim! Betohem në Allah, se e keni përgënjeshtruar velajetin tim dhe për këtë jeni duke luftuar kundër meje. Më parë e keni pranuar velajetin dhe tani e keni kthyer fytyrën prej tij. Ju ishit të shpëtuar dhe tani jeni shkatërruar me shpatën time. Velajetin tim e keni ditur në ditën e Gadir Humit dhe prapë do ta dini në ditën e Kiametit!” Pastaj, e goditi atë ushtar me shpatën e tij dhe ai u nda në dy pjesë.
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë: “Betohem në Allah se unë jam lajmi i madh për të cilin kanë rënë në kundërshtim! Këtë nuk do ta dinë dhe prapë, këtë nuk do ta dinë, përderisa të qëndrojë në mes Xhenetit dhe Xhehenemit, dhe t’i them Xhehenemit: Ky është i yti dhe ky është i imi”
Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “O Ali! Ti je dëshmia e Allahut, ti je dera e Allahut, ti je rruga që qon deri te Allahu, ti je lajmi i madh, ti je rruga më e drejtë dhe shembulli më i madh! O Ali! ti je Sadiku dhe Faruku më i madh! Ti je kalifi im, ti do ta paguash borxhin tim dhe do t’i plotësosh premtimet e mija! O Ali! Ti je ai ndaj të cilit do të bëhet padrejtësia mbas meje. O Ali! ti je ndarësi! O Ali! Ti je ai që do të braktisesh! Allahu dhe ata që gjenden afër meje u bëfshin dëshmitar se grupi yt është grupi im dhe grupi im është grupi i Allahut!”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 38
“Atë ditë Shpirti dhe engjëjt do të qëndrojnë të rreshtuar, askush nuk flet, pos atij që e lejon Mëshiruesi, dhe i cili e thotë të vërtetën”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Betohem në Allah se ne jemi ata, të cilëve do t’u jepet leje për të folur në ditën e Kiametit dhe të cilët do të flasin të vërtetën!” Njëri prej të pranishmëve pyeti: “Çka do të flitni atë ditë?” Imami u përgjigj: “Atë ditë do të falënderojmë Allahun, do ta përshëndesim pejgamberin e Tij dhe do të ndërmjetësojmë për shiitët tanë! Zoti ynë nuk do ta kthejë mbrapa kërkesën tonë!”
Në një vend tjetër, Imami ka thënë: “Në ditën e Kiametit të gjithë do të tubohen në vendin e njëjtë dhe Allahu do ta tërheqë fjalën La ilahe Ilallah nga çdonjëri përveç prej atyre që kanë besuar në velajetin e Allahut!” Gjegjësisht, fjalët e vërteta do të mund të flasin vetëm shiitët e Imam Aliut!
Tevili dhe tefsiri i ajetit 40
“Atë ditë do të shohin atë çka kanë përgatitur me duart e tyre dhe jobesimtari do të thotë: Ah, sa mirë do të ishte për mua sikur të isha dhé!”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Atë ditë, jobesimtarët do të thonë: Sikur të isha bërë prej shiitëve të Aliut dhe të kisha pranuar Ebu Turabin (Aliun) për prijës”
Shpjegim: Nofka Ebu Turab i është dhënë Imam Aliut nga ana e Pejgamberit tanë (s.a.v.). Kuptimi i Ebu Turabit është Babai i Tokës. Në shekullin ne parë të Islamit, ithtarëve të Imam Aliut ia kishin ngjitur nofkën Turabi. I Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “O Ali! Ti je babai i tokës sipas hakut!” E pyetën Abdullah bin Abbasin: “Pse ia ka dhënë Resulullahu (s.a.v.) këtë nofkë Aliut?” dhe ai u përgjigj: “Sepse, Aliu është pronari i tokës dhe dëshmia e Allahut për të gjithë banorët e saj, mbas Resulullahut (s.a.v.)! Vazhdimësia dhe qetësia e tokës është i varur prej tij sepse, Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Në ditën e Kiametit, jobesimtarët do të shohin se çfarë sevape, lumturi dhe fisnikëri do të fitojnë shiitët e Aliut dhe ata do të thonë: Sikur të isha bërë dhe”. Gjegjësisht, sikur të ishim bërë prej shiitëve të Aliut!
Është për keqardhje që edhe në ditët e sotme kur të përmendet fjala shiitë, menjëherë gufojnë armiqësia dhe shqetësimi. Ne nuk dyshojmë se kjo gjendje do të vazhdojë deri në ditën e Kiametit. Por, përfundimi është më i virtytshëm për të devotshmit. I Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “O Ali! Përshëndeti shiitët tuaj nga ana ime! Ata do të shihen të poshtëruar nga ana e njerëzve (halk) por të lartësuar nga ana e Hakut”
Me ndihmën e Allahut, këtu përfundon sureja Hashr. Falënderimi i takon Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.