Sureja Huxhurat 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 3

“Ata që i ulin zërat e tyre pranë të dërguarit të Allahut, padyshim që Allahu zemrat e tyre i ka sprovuar me devotshmëri. Ata kanë falje mëkatesh dhe shpërblim të madh”

 

Rrëfen Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu:

“Në ditën e Hudejbijes, paria e Mekës erdhën përpara Resulullahut (s.a.v.) dhe i thanë: ‘O Muhamed! Ti je komshiu ynë, personi me të cilin jemi zotuar dhe djali i axhës sonë. Disa prej djemve, vëllezërve dhe të afërmve na kanë braktisur dhe kanë ardhur te ti. Këta nuk kanë ndonjë dituri apo autoritet në fe. Ata të janë bashkuar vetëm për të shpëtuar prej punëve të tyre. Na i kthe ata mbrapa’.

Resulullahu i tha Ebu Bekrit: ‘O Ebu Bekir, çka thua ti për këtë?’

Ebu Bekri tha: ‘Ata e thonë të vërtetën, o Resulullah! Ti je komshiu i tyre dhe duhet t’ua kthesh atyre ata persona që kanë ardhur te ti!”

Resulullahu e thirri Ymerin dhe e pyeti pyetjen e njëjtë, dhe ai tha: “Këta e thonë të vërtetën, ata që kanë ardhur te ti duhet t’i kthesh mbrapa”.

Kur i dëgjoi këto Resulullahu, zemërimi i tij u bë dukshëm në fytyrën e tij dhe tha: “O grupi i Kurejshëve! A do të hiqni dorë nga kjo gjendje, sepse në të kundërtën Allahu i Lartësuar do t’ju dërgoj njërin, zemra e të cilit është sprovuar me devotshmëri, që t’i godas qafat e juaja”. Ebu Bekri tha: “A jam unë ai person, o Resulullah?”

Resulullahu tha: “Jo, ti nuk je ai”. Ymeri tha: “A jam unë ai person, o Resulullah!” Resulullahu tha: “Jo, ti nuk je ai. Ai person është duke i riparuar sandalet e mia”.

 Imam Aliu ishte ai që i riparonte sandalet e Resulullahut dhe, këtë e dinin të gjithë sahabet”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 6

“O ju që keni besuar, nëse ndonjë mëkatar ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë”

 

Nëna jonë Ajsha, i tha një ditë Resulullahut (s.a.v.):

“Marijës (Gruas së të Dërguarit s.a.v.) është duke i ardhur çdo ditë djali i axhës së tij. Ibrahimi nuk është djali yt! Ai është prej Xhurejhit, një kopti që është duke i shkuar çdo ditë te ajo!” Resulullahu (s.a.v.) u zemërua kur e dëgjoi këtë dhe tha: “Nëse e thua të vërtetën, atëherë më lajmëro kur ai person gjendet te Marija” Ajsha ishte duke ndjekur çdo ditë se kur do të shkojë Xhurejhi në shtëpinë e Marijës. Dhe, një ditë kur Xhurejhi hyri në shtëpinë e Marijës, Ajsha nxitoi te Resulullahu (s.a.v.) për ta njoftuar për këtë. Resulullahu (s.a.v.) e thirri Imam Aliun dhe i tha: “O Ali! Merre këtë shpatë dhe nëse e sheh atë burrë brenda shtëpisë, godite qafën e tij!”

 

Imam Aliu tha: “Kur të hyjë brenda, a ta godas menjëherë atë burrë apo të gjykojë sipas gjendjes?” Resulullahu (s.a.v.) tha: “Së pari hulumtoje gjendjen dhe pastaj vepro sipas nevojës!” Kur Imam Aliu mbërriti te dera e Marijës e pa se dera e saj ishte e mbyllur. E shtyu derën dhe e pa se brenda ishte Xhurejhi. Kur Xhurejhi e pa Imam Aliun te dera, menjëherë u ngrit në këmbë, doli jashtë nga ana e prapme dhe shkoi e hipi mbi një pemë që gjendej aty afër. Kur u afrua Imam Aliu nën atë pemë, Xhurejhi i ngriti rrobat e tij dhe ia tregoi Imam Aliut vendin e tij turpshëm.

 

Kur Imam Aliu e pa se vendi i tij i turpshëm ishte i prerë, ktheu fytyrën nga ai dhe u kthye te i Dërguari (s.a.v) për t’i treguar se çka kishte ndodhur dhe çka kishte parë. Kur u qetësua situata, Xhurejhi erdhi te Resulullahu (s.a.v.) dhe tha: “O Muhamed! Ne koptët, kemi dëshirë që të mbesim vetëm në mes veti dhe mua më ka dërguar babai i Marijës për t’ia larguar mërzinë. Dhe, ti e ke parë gjendjen time (se unë nuk e kam burrërinë)” Resulullahu (s.a.v.) tha: “Falënderimi i takon Allahut që na ka mbrojtur prej papastërtisë dhe të keqes që është dashur të na hidhet”.

 

E pyetën Imam Xhafer Sadikun;

“A ka dashur i Dërguari (s.a.v) që ta vras koptin duke ditur se Ajsha po gënjen apo nuk e ka ditur se është duke gënjyer? Apo ndoshta Allahu e parandaloi vrasjen e koptit përmes Aliut?” Imami iu përgjigj: “Betohem në Allah se i Dërguari (s.a.v) kishte dijeni për të gjitha. Sikur Resulullahu të kishte dërguar Aliun për ta vrarë koptin, Aliu sigurisht që do ta kishte vrarë atë.

Por, Resulullahu (s.a.v.) veproi në këtë mënyrë ashtu që Ajsha të mund të kthehet nga mëkati i saj! Dhe, Ajshes nuk i vinte aspak rëndë që ta derdhi gjakun e një myslimani përmes gënjeshtrës. Kjo ishte edhe shkaku i zbritjes së këtij ajeti”.

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Disa dijetarë thonë se ky ajet ka zbritur në lidhje me Velid bin Ukben. Sipas tyre, ai e kishte gënjyer të Dërguarin se fisi i Beni Huzejmes ishte kthyer nga feja. Por, të gjitha ajetet e Kuranit e kanë kuptimin e tyre të brendshëm e të jashtëm. Tefsiri që gjendet në dorën e njerëzve përmban kuptimin e jashtëm. Ndërsa, ne ju shpjegojmë juve kuptimin e brendshëm!”

 

Gjegjësisht, kuptimin e vërtetë.

Në këtë kuptim, për ata që thonë se ne jemi duke bërë shpifje në lidhje me nënën tonë Ajshen, ne i lutemi që t’i drejtohen librave më të vlefshme që i kanë në duart e tyre. Për Ajshen mund të gjeni njohuri të mjaftueshme në librat e haditheve të Buhariut dhe të Muslimit. Në të gjitha librat burimor të dijetarëve synnit ekzistojnë detaje të shumta në lidhje me Ajshen. Mbasi që nuk kemi vend për një gjë të tillë, ne nuk do të paraqesim këtu të gjitha detajet.

Por, jemi të gatshëm që ta vërtetojmë vërtetësinë e fjalëve tona për çdonjërin që shpreh një dëshirë të tillë. Ne nuk e kemi përgatitur këtë libër për të bërë shpifje për ndonjërin. Në këtë libër kemi dhënë vend vetëm rrëfimeve të sakta që na kanë ardhur nga Imamët e Ehli Bejtit. Jemi të gatshëm që të japim informata më të hollësishme në lidhje me këtë çështje.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 7

“Dhe, dijeni se në mesin tuaj e keni të dërguarin e Allahut. Sikur ai t'ju dëgjonte juve në shumë çështje, padyshim që ju do të pësonit vuajtje. Por Allahu juve ua bëri të dashur besimin dhe ua zbukuroi atë në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin, ua tregoi të shëmtuar. Të tillë janë ata që gjetën rrugën e drejtë”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Imani që Allahu ua bëri të dashur është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu! Ndërsa, mosbesimi, shfrenimi dhe kundërshtimi që e tregoi si të shëmtuar janë i pari, i dyti dhe i treti”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 13

“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete. Nuk ka dyshim se te Allahu më i ndershmi prej juve është ai që ka frikë më së shumti nga Ai. Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i informuar për çdo gjë”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Allahu i Madhëruar na ka ndarë neve në popuj e fise. Mua më ka falur prej fisit më të mbarë. Nuk e them këtë për t’u krenuar por unë jam më i devotshmi prej djemve të Ademit.

Pastaj, Allahu i Madhëruar i ka ndarë fiset në familje dhe mua më zgjodhi prej më të mbarëve, duke thënë: “O Ehli Bejt! Allahu dëshiron të largojë prej juve të gjitha papastërtitë dhe t’ju pastrojë deri në skaj”. Unë dhe Ehli Bejti im jemi pastruar prej të gjitha papastërtive dhe mëkateve!”

 

Në një vend tjetër ka thënë:

“O Fatime! Allahu i Madhëruar më ka zgjedhur prej shtëpisë më të mbarë. Pastaj, e zgjodhi Aliun, Hasanin, Hysejnin dhe ty prej Ehli Bejtit tim. Unë jam zotëria e djemve të Ademit dhe Aliu është zotëria e arabëve.

O Fatime! Ti je e para e grave ndërsa Hasani dhe Hysejni janë zotërinjtë e të rinjve të Xhenetit! O Fatime! Mehdiu është prej pasardhësve tënd dhe ai do ta mbushë botën me drejtësi, njëjtë sikur që të parët e kanë mbushur botën me padrejtësi!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 17

“Ata të shprehin ty mirënjohje që u bënë myslimanë. Thuaj: Pranimin tuaj të fesë islame mos ma njihni mua. Por Allahu është mirënjohës ndaj juve për atë ju udhëzoi në besim, nëse jeni prej të sinqertëve”

 

Njëri prej sahabeve, Xhabir bin Abdullah el-Ansariu, rrëfen:

“Ishim duke e gropuar hendekun dhe unë ndodhesha afër Resulullahut (s.a.v.). Çdonjëri ishte duke gropuar dhe Resulullahu i tha Aliut: “U flijoftë babai im për ty! Kush mundet me qenë si ti? Ti je duke gropuar, Xhebraili është duke e pastruar dheun përpara teje dhe Mikaili është duke të ndihmuar nga mbrapa! Para teje nuk i kanë ndihmuar asnjërit”.

Pastaj, iu drejtua Osman bin Affanit që ishte duke gropuar: “Gropo mirë!”. Osmani u zemërua dhe tha: “U bëmë mysliman prej dorës së tij dhe kjo nuk po i mjafton Muhamedit dhe tani po na shtie që të gropojmë hendekun!” Atëherë, Allahu i Madhëruar e shpalli ajetin e lartpërmendur.

 

Këtu përfundon sureja Huxhurat. Falënderimi i qoftë Allahut në çdo kohë e moment. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin tonë dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.