Sureja Fet’h 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 1-2

“Ne ty të dhamë një fitore të sigurt, derisa Allahu t’i fali të gjitha mëkatet e mëhershme dhe të mëvonshme” 

 

Resulullahu (s.a.v.) tha:

“O Ali! Allahu i Madhëruar më ka ngarkuar me mëkatet e të gjithë shiitëve tuaj dhe m’i ka falur të gjitha ato mëkate! Këtë e ka thënë në këtë mënyrë: Allahu t’i fali të gjitha mëkatet e mëhershme dhe të mëvonshme” 

 

E pyetën Imam Xhafer Sadikun në lidhje me këtë ajet dhe ai tha:

“Betohem në Allah se pejgamberi i Tij nuk ka asnjë mëkat! Por, Allahu i Madhëruar e bëri atë dorëzanë (kefil) për të gjitha mëkatet e shiitëve të Aliut dhe përmes tij i fali të gjitha mëkatet e mëhershme dhe të mëvonshme”

 

I Dërguari (s.a.v.) ka thënë:

“O Ali! Unë i jam lutur Allahut që t’i pranojë pendimet prej shiitëve tënd, madje edhe nëse shpirti i tyre është duke dalë prej trupit të tyre; dhe, Allahu e pranoi lutjen time”

 

E pyetën Imam Musa el-Kazimin:

“Nëse e shohim ndonjë arif prej shiitëve tuaj duke pirë pije dehëse dhe duke mëkatuar, a duhet që të largohemi dhe të heqim dorë prej tij?” Imami iu përgjigj: “Qëndroni larg vetëm prej veprimit të tij dhe mos qëndroni larg prej tij. Dashuroni atë person por urreni veprën e tij!”

 

Personi që e kishte pyetur tha: “A mund të themi për një person të tillë mëkatar ose devijues?” Imami iu përgjigj: “Jo, sepse mëkatarët dhe devijuesit i mohojnë ata që na duan! Allahu i Madhëruar nuk tregon kënaqësi që miku i ynë të bëhet mëkatar dhe devijues! Kur të shihni ndonjë të tillë, thoni: Me vepër mëkatar e devijues; person me iman por kryes i veprave të këqija, me shpirt e me trup të bukur! Betohem në Allah që prej kësaj bote mund të shkojë i pastër vetëm miku ynë me të cilën është i kënaqur i dërguari i Allahut dhe ne.

Allahu i Madhëruar do ta ringjallë mikun tonë me fytyrë të bardhë përkundër mëkateve të tija! Ai do të migrojë nga kjo botë me frikë e pikëllim të larguar dhe pjesën e tij të turpshme do ta ketë të mbuluar.

Sepse, miqtë e këtillë i largojnë vuajtjet e tyre në këtë botë përmes pasurisë së kësaj bote, fëmijëve të tyre apo duke vuajtur ndonjë sëmundjeje dhe në këtë mënyrë i pastrojnë mëkatet e tyre.

 

Ose, Allahu i Madhëruar ia jep një ëndërr të frikshme dhe ai zgjohet në mëngjes i frikësuar duke menduar për të. Kjo frikë do të pranohet si zëvendësim për mëkatet e tij në këtë botë dhe përmes saj do të pastrohen mëkatet e tij. Ose, do të shohë një frikë nga pushteti zullumqar ose vdekja e tij do të rëndohet.

 

Në këtë mënyrë, Allahu i Madhëruar do të siguroj që të dalin para Allahut, Resulullahut (s.a.v.) dhe Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut, pa pasur asnjë frikë. Pastaj, përpara tij do të jenë dy rrugë: arritja e mëshirës së Allahut që është më e gjerë sesa e të gjithë atyre që gjenden mbi sipërfaqen e botës dhe madhësia e botës; dhe, rruga e dytë është arritja e ndërmjetësimit të Resulullahut (s.a.v.) dhe e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut. Edhe nëse shkon te mëshira e Allahut, sigurisht që do ta arrijë edhe ndërmjetësimin e pejgamberit dhe të Aliut. Dhe, në këtë mënyrë, do ta kaplojë atë mëshira e gjerë e Allahut”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Dashuria ndaj Aliut do t’i shkatërrojë mëkatet sikur zjarri që e shkatërron drurin”.

Sigurisht, se një person që e do Ehli Bejtin do të qëndrojë larg prej mëkateve të mëdha. Ne nuk dyshojmë aspak në këtë. Po ashtu, do të jetë gabim që të mendojmë se të gjithë shiitët gjenden në gradën e njëjtë. Një pasues i Ehli Bejtit që është duke i kryer veprat e bukura gjatë tërë jetës së tij nuk mund të jetë i barabartë me një pasues të Ehli Bejtit që gjatë tërë jetës së tij është duke mëkatuar. Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

 

“Imani ndahet në dhjetë shkallë. Shkallën më të lartë e ka arritur Selmani. Keni kujdes e mos i shikoni prej së larti ata që janë në shkallën më të ultë. Përndryshe, do të degradoheni në pozitën më të ultë prej tyre”

 

Sikur që na ka treguar Imami, gradat e imanit janë të ndryshme. Një shiitë është duke lëvizur brenda gradave. Nuk është e drejtë që të turpërojë një besimtar që është në gradën më të ultë prej tij. Edhe gjatë kohës së Ehli Bejtit ka pasur dallime në gradat e imanit te personat që ishin të lidhur për ata. Si shembull mund ta përmendim Ebu Zerrin dhe Selmanin.

 

Imam Aliu ka thënë:

“Selmani e ka arritur diturinë e të gjithë të parëve dhe të mëvonshmëve. Sikur të kishte ditur Ebu Zeri diturinë e Selmanit, ai do të shkatërrohej prej saj”. Gjegjësisht, thellësia e diturisë së Selmanit do ta kishte shkatërruar atë! Në një vend tjetër, Imami ka thënë: “Ai që na njeh neve sipas hakut, e ka njohur Zotin e tij! Njohja jonë është njohja e Allahut!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 18

“Vërtet, Allahu ishte i kënaqur me besimtarët që ishin duke u zotuar nën hijen e atij druri. Ai e dinte se çka përmbanin zemrat e tyre andaj u dhuroi qetësimin dhe së shpejti do t’i shpërblejë me një fitore”

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu (a.s), ka thënë: “Unë jam veziri i Resulullahut (s.a.v.) që është përmendur në Tevrat dhe Bibël! Unë jam i pari që i është zotuar pejgamberit nën hijen e drurit!”

Xabir bin Abdullah el-Ansari rrëfen: “Kur zbriti ky ajet në ditën e Hudejbijes, më i denji i këtij ajeti ishte Ali bin Ebi Talibi. Sepse, në ajet është thënë së shpejti do t’i shpërblejë me një fitore dhe kjo fitore u realizua nga dora e Aliut në Hajber”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 25

“Dhe sikur të ishin të ndarë njëri prej tjetrit, Ne do t'i dënonim me një dënim të rëndë ata prej tyre të cilët nuk besuan”

 

Njëri i tha Imam Xhafer Sadikut:

“A nuk kishte fuqi e mundësi Aliu (a.s) që të luftojë në emër të fesë së Allahut kundër Ebu Bekrit dhe Ymerit?” Imami iu përgjigj: “Ai nuk luftoi kundër tyre sepse luftimin kundër tyre e ndaloi një ajet”. Personi që kishte pyetur tha: “Cili është ai ajet?”

Imami iu përgjigj: “Ajeti është ky: “Dhe sikur të ishin të ndarë njëri prej tjetrit, Ne do t'i dënonim me një dënim të rëndë ata prej tyre të cilët nuk besuan” Allahu i Madhëruar ka bërë që besimtarët të vijnë prej pasardhësve të mynafikëve dhe jobesimtarëve. Përderisa ata dolën prej pasardhësve të tyre, Aliu nuk luftoi kundër tyre.

Dhe, kur besimtarët dolën prej pasardhësve të tyre, atëherë Aliu i luftoi ata. E njëjta do të përsëritet edhe në kohën e Mehdiut (a.s). Kur të përfundojë dalja e besimtarëve prej pasardhësve të mynafikëve dhe jobesimtarëve, atëherë do të mbyten të gjithë mynafikët dhe jobesimtarët!”

 

Vërtetësinë e kësaj na dëshmojnë ajetet e shumta. Edhe djemtë dhe gratë e pejgamberëve janë bërë jobesimtar. Po ashtu, edhe pejgamberët kanë lindur prej pasardhësve të jobesimtarëve dhe mynafikëve. Shembujt më të mëdhenj janë Kabili dhe Habili. Muhamedi, i biri i Ebu Bekrit, ishte prej kundërshtarëve të babait të tij. Në luftën e Sifinit ai kü

ÿÿe luftuar në radhët e Imam Aliut. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ai e nxjerrë të gjallin nga i vdekuri dhe të vdekurin nga i gjalli” (Rum, 19).

 

Këto dy ajete kanë dy kuptime: kuptimi i parë është ashtu sikur që lexohet, pra Allahu e nxjerrë nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin dhe kuptimi i dytë është se i vdekuri është i padijshmi ndërsa i gjalli është pronari i diturisë. Pra, nga besimtari del i padijshmi dhe jobesimtari ndërsa nga jobesimtarit del i dijshmi dhe besimtari.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 26

“...dhe ata (besimtarët) i bëri prej atyre që qëndrojnë mbi fjalën e devotshmërisë. Ata janë më meritor dhe më të denjë për këtë”

 

Imam Ali er-Rida ka thënë:

“Devotshmëria është velajeti i Imam Aliut! Mbi velajetin e tij mund të qëndrojnë vetëm shiitët tanë. Sepse ata janë më meritor dhe më të denjë për këtë”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Kur shkova në Miraxh dhe dola përpara Allahut të Madhëruar, Ai më tha: ‘O Muhamed! Unë i sprovova krijesat e Mijë përmes vështirësive të ndryshme; cilin prej tyre e ke gjetur që ka treguar më së shumti bindje ndaj teje?’ Unë i thashë: ‘O Zoti im! Mbas sprovave, Aliun e gjeta me bindjen më të madhe ndaj meje’. Allahu më tha: ‘

E ke thënë të vërtetën, o Muhamed! A e ke zgjedhur si kalif mbas teje, që do t’ia tregoj ymmetit vendin tënd dhe që do t’ua mësoj të paditurat nga libri Im?’ I thashë: ‘Jo, nuk e kam zgjedhur. O Zoti im! Zgjedhja jote është zgjedhja ime, më njofto për atë që ke zgjedhur’. Allahu më tha: ‘Unë të kam zgjedhur ty Aliun. Bëre atë kalifin dhe të besueshmin tënd sepse Unë ia kam dhuruar atij prej diturisë dhe urtësisë Sime.

Ai është Urdhëruesi i Besimtarëve me meritë. Këtë gradë nuk e ka arritur asnjëri para tij dhe nuk do ta arrijë askush mbas tij! O Muhamed! Aliu është flamuri i udhëzimit, Imami i atyre që më nënshtrohen Mua, drita e miqve të mijë dhe fjala mbi të cilën qëndrojnë të devotshmit. Ai që e do atë, padyshim më ka dashur Mua dhe ai që e urren atë, padyshim më ka urryer Mua! O Muhamed! Përgëzoje Aliun me këto fjalë që të kam thënë ty! Sikur të mos ishte Aliu, nuk do të bëheshin të njohur miqtë dhe të dërguarit e Mijë”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 28

“Ai është që e dërgoi të dërguarin e Vet me udhëzim të plotë dhe me fenë e vërtetë. Mjafton Allahu si dëshmitar që të triumfojë mbi të gjitha fetë”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Dërgimi i pejgamberit nga ana e Allahut me udhëzimin e plotë dhe me fenë e vërtetë është shenjë se e ka dërguar Aliun me velajetin dhe vasietin e Tij! Sepse, velajeti i Tij dhe lënia e tij sipas vasietit është feja e vërtetë. Allahu i Madhëruar do ta lartësojë këtë fe mbi të gjitha fetë me Mehdiun (a.s), e pëlqefshin apo jo këtë jobesimtarët. Pabesimi i vërtetë është kundërshtimi i velajetit të Aliut!”

 

Feja islame ka fituar qëndrueshmëri me komunikimin e pejgamberit. Por njëkohësisht, kjo fe e vërtetë ka mbetur në këmbë përmes luftërave kundër atyre që kanë dashur që ta shkatërrojnë atë. Gradën më të lartë gjatë këtyre luftërave e ka fituar Imam Aliu, mbas të dërguarit tonë. Përparësia e Imam Aliut në këtë drejtim ka vazhduar edhe mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.). Sipas kësaj pikëpamjeje, velajeti i Imam Aliut është një çështje juridike islame. Kundërshtimi i këtij velajeti do të thotë kundërshtimi i Islamit. Sigurisht që përfundimi i kësaj do të jetë pabesimi i sigurt. Nënshtrimi ndaj Imam Aliut është një detyrë fetare. Mbajtja për velajetin e tij do të thotë vetë Islami.

 

Këtu përfundon sureja Fetih. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë dhe mbi Ehli Bejt e tij të pastër.