Sureja Dharijat 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 5

“S'ka dyshim se ajo që u premtohet është e vërtetë”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“S’ka dyshim se velajeti i Aliut që u premtohet këtij ymmeti, është i drejtë”

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 6-9

“Dhe se shpërblimi do të ndodhë patjetër. Betohem me qiellin plot rrugë, se ju gjendeni në një thënie kontradiktore. Nga ai zmbrapset ai që ishte zmbrapsur”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Shpërblimi që do të ndodhë patjetër është vetë Urdhëruesi i Besimtarëve, Ali bin Ebi Talibi, i cili do të jetë mbi kundërshtimet. Qielli me plot rrugë është Resulullah Muhamedi (s.a.v.). Padyshim se ky ymmet gjendet brenda kundërshtimeve në lidhje me të drejtën e velajetit të Imam Aliut. Kush qëndron mbi velajetin e Aliut padyshim do të hyjë në Xhenet, ndërsa kush kthehet prej velajetit të tij, padyshim do të hyjë në Xhehenem! Ai që kthehet nga velajeti i Aliut, do të kthehet nga Xheneti!”

 

Sikur që e qartësuam edhe më parë, vlera e velajetit të Imam Aliut është prej vlerave më të rëndësishme për të cilën do të pyeten në këtë dhe në botën tjetër. Pasimi i këtij velajeti nuk do të realizohet vetëm përmes dashurisë ndaj Imam Aliut.

Kuptimi i vërtetë i velajetit është me qenë nën urdhrin e pronarit të velajetit, në të kundërtën nuk është e drejtë që të flasim për velajetin. Çdo mysliman duhet që ta marrë si shembull Imam Aliun në punët e tij fetare dhe botërore. Ai është urdhëruesi i këtij ymmeti.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 36

“Po nuk gjetëm aty ndonjë mysliman përveç një shtëpie”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“Askush nuk ka mbetur mbi këtë veti, përveç Ehli Bejtit të Muhamedit (s.a.v.)”

 

Ky ajet na tregon për fjalët e engjëjve në lidhje me popullin e Lutit (a.s). Engjëjt shkuan për të dënuar atë popull dhe duke shkuar kaluan afër shtëpisë së Ibrahimit (a.s). Ibrahimi (a.s) i pyeti engjëjt se a është e drejtë që të dënohet një popull i tërë dhe engjëjt iu përgjigjën se aty nuk kishte ndonjë mysliman përveç një shtëpie.

 

Prandaj, ia dhanë dënimin e merituar. Imam Muhamed el-Bakiri e ka përngjarë gjendjen e këtij ymmeti njëjtë sikur me gjendjen e ymmetit të mëhershëm. Sepse, Luti (a.s) e kishte këshilluar popullin e tij por ata nuk e kishin dëgjuar atë dhe ishin rebeluar kundër tij.

 

Edhe i Dërguari (s.a.v) kishte lënë amanet ymmetit të tij Ehli Bejtin e tij dhe ua kishte tërhequr vërejtjen që t’i pasojnë ata, por ymmeti nuk i pasoi ata dhe e përsëritën gabimin e popujve të mëhershëm.

 

Sigurisht që ka të tillë që nuk e shohin si shumë të keqe gjendjen e këtij ymmeti por ne mund të tregojmë në mënyrë konkrete se çka ka bërë ky ymmet mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.): Ata nuk kanë bërë asgjë tjetër përveç se i kanë thyer zemrat e njëri tjetrit! Ehli Bejti bashkë me Kuranin Fisnik që është lënë amanet nga i Dërguari (s.a.v) është shtyrë në një qoshe dhe ymmeti ka mbetur i painformuar prej tyre.

 

Në cilat xhamia është duke u shpjeguar fikhi (rregullat fetare) i Ehli Bejtit? Në cilat xhamia është duke u folur xhematit për virtytet dhe vlerat e tyre? Ne vlerësojmë se është më me vend që vetë lexuesit tanë të nderuar t’i përgjigjen këtyre pyetjeve.

 

Me ndihmën e Allahut, këtu përfundon sureja Dharijat. Falënderimi qoftë për Allahun deri në pafundësi dhe në çdo moment. Paqja dhe përshëndetja e Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë Muhamedin dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.