Sureja Dehr (Insan) 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 8-9

“Ata janë që u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër, edhe pse vetë kanë nevojë për të. Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim”

 

Ekzistojnë rrëfime të shumta në të dy grupet se ky ajet ka zbritur në lidhje me Imam Aliun, Fatimen, Hasanin, Hysejnin dhe shërbëtoren e tyre Fudda. E përbashkëta e atyre rrëfimeve  është kjo:

 

Imam Hasani dhe Imam Hysejni ishin sëmurë dhe ata filluan që t’i vizitojnë Resulullahu (s.a.v.) dhe të parët e arabëve. Resulullahu (s.a.v.) i kishte rekomanduar Imam Aliut që të bëjë ndonjë nezër (zotim) për shërimin e tyre dhe Imam Aliu vendosi si nezër se do të agjërojë për tre ditë me radhë kur të shërohen fëmijët.

 

Këtë vendim e pëlqyen edhe Hz Fatimja dhe shërbëtorja e saj Fudda, dhe u bashkëngjitën edhe ato në këtë nezër. Në ditën e parë të agjërimit, e vendosën në sofër bukën e përgatitur nga thekra dhe para se të fillonin për të ngrënë erdhi një i varfër te dera dhe tha se ishte i uritur. Ata ia dhanë bukën që e kishin përgatitur dhe e bënë iftarin vetëm me ujë. Në ditën e dytë të agjërimit, gjatë kohës së iftarit erdhi te dera një jetim dhe kërkoi diçka për të ngrënë. Atij ia dhanë bukën që e kishin përgatitur dhe e bënë edhe atë ditë iftarin me ujë.

 

Në ditën e tretë erdhi një rob dhe kërkoi diçka për të ngrënë. Edhe atij ia dhanë bukën e përgatitur për atë ditë dhe prapë e bënë iftarin vetëm me ujë. Ditën e katërt, Imam Aliu i merr për dore Hasanin e Hysejnin dhe shkon te Resulullahu (s.a.v.). Kur i sheh ata, Resulullahu (s.a.v.) fillon të vajtojë dhe Xhebraili e shpallë këtë ajet.

 

Dhënia nga zemra dhe në mënyrë të sinqertë ekziston vetëm te Imamët e Ehli Bejtit. Këtë tipar nuk mund ta zotërojë askush tjetër përveç tyre.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 30

“Po ju nuk mund të doni gjë, pos nëse do Allahu, e Allahu është shumë i dijshëm, shumë i urtë”

 

Imam Ali er-Rida ka thënë:

“Allahu i Madhëruar i ka bërë zemrat e Imamëve të Ehli Bejtit vendin e vullnetit të Tij. Nëse Ai do diçka, edhe ata e duan të njëjtën”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 31

“Atë që e do Ai, e shtie në mëshirën e Vet”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Atë që e do Ai, e shtie në velajetin e Ali bin Ebi Talibit”

 

Shpjegim:

Dëshirojmë që të bëjmë me dije edhe një herë se mëshira më e madhe e Allahut është velajeti. Nuk është e mundur që të kemi një besim pa velajet. Sikur që nuk mund të paramendohet nubuveti (pejgamberllëku) pa velajet, ashtu edhe imani nuk mund të paramendohet pa velajet. Po, ata që duan të hyjnë në mëshirën e Allahut padyshim që duhet të hyjnë në velajetin e Imam Aliut. Mos të harrojmë se i Dërguari (s.a.v.) e ka lënë amanet për tërë ymmetin e tij Imam Aliun si prijës. Ja pra, ky është velajeti i Imam Aliut. 

 

Këtu përfundon sureja Dehr. Falënderimi më i lartë qoftë për Allahun, për këtë dhunti të Tij. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.