Sureja Xhin 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 16-17

“Sikur ata t'i përmbaheshin rrugës së drejtë, Ne do t'iu lëshonim atyre ujë me bollëk, për të sprovuar me të. E kush ia kthen shpinën përmendjes së Zotit të tij, Ai e shpie atë në vuajtje të padurueshme”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: 

“Kuptimi i këtij ka të bëjë me atë se, sikur të ishin përmbajtur velajetit të Imam Aliut gjatë krijimit, atyre do t’ua kishim dhënë dituri të begatshme nga Ehli Bejti. Edhe mynafikët do të sprovohen përmes Aliut. Kush e kthen kokën nga përmendja e Allahut, që është velajeti, Allahu do t’ia dërgojë një dënim të rëndë që nuk do të mund ta bartë”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 18

“Dhe, me të vërtetë, vendet e sexhdes janë të Allahut, e mos thirrni në to askënd tjetër bashkë me Allahun”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Imamët e Ehli Bejtit që vijnë njëri mbas tjetrit, janë mesxhidet (vendet e sexhdes) e Allahut. Tani më, mos i përmendni të tjerët në ato vende, bashkë me ata, sepse do të bëheni sikur ata që e përmendin Allahun bashkë me të tjerët!”

 

Këtu është dhënë shembulli më i mirë i pastërtisë dhe i sinqeritetit të zemrës. Është i shquar hadithi që thotë se Allahun nuk mund ta përmbajnë qiejt dhe toka por një zemër e pastër dhe e sinqertë e një besimtari mund ta përmbajë atë. Në këtë mënyrë duhet që t’i drejtohemi Imamëve të Ehli Bejtit.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 13 dhe të ajeteve 21-24

“Dhe ne, sapo e dëgjuam udhëzimin, i besuam atij. Kush i beson Zotit të vet, ai nuk i frikësohet ndonjë pakësimi të shpërblimit e as ndonjë padrejtësie...” 

“Thuaj: Unë nuk kam në dorë që t'ua largoj dënimin, as t'ju sjell dobi!’ Thuaj: ‘Është e vërtetë se nëse i bëjë padrejtësi Allahut, mua nuk mund të më mbrojë askush prej dënimit të Tij dhe përveç Tij unë nuk mund të gjej ndonjë vendstrehim. Mua më takon vetëm kumtimi nga ana e Allahut dhe njoftimi i juaj me gjykimet e Tij. Kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, i tij është zjarri i Xhehenemit, aty do të jenë përgjithmonë, pa mbarim. Derisa kur ta shohin atë që u premtohet, atëherë do të kuptojnë se kush është më i dobët në ndihmë dhe më i vogël në numër”

 

E pyetën Imam Musa el-Kazimin:

“Çka nënkuptohet me udhëzim që përmendet në këtë ajet?” Imami u përgjigj: “Udhëzim do të thotë velajet. Besimi ndaj tij do të thotë besimi ndaj Prijësit tuaj. Kush i beson velajetit të Prijësit të tij, ai nuk i frikësohet ndonjë pakësimi të shpërblimit as ndonjë padrejtësie”. Pyetësi kishte pyetur prapë: “A ka zbritur ajeti në këtë mënyrë?”

Imami iu përgjigj: “Jo, ky është tevili i ajetit”.

Pyetësi tha: “Çfarë kuptimi ka ‘Unë nuk kam në dorë që t'ua largoj dënimin, as t'ju sjell dobi’. Imami tha: Kur i dërguari i bëri thirrje njerëzve për ta pranuar velajetin e Aliut, një grup i Kurejshëve i thanë të Dërguarit (s.a.v.) që t’i lë rehat ata.

I Dërguari (s.a.v.) tha: “Nuk është në dorën time me ju lënë juve rehat, por është në dorën e Allahut”.

Atëherë zbriti ky ajet: Thuaj: ‘Është e vërtetë se nëse i bëjë padrejtësi Allahut, mua nuk mund të më mbrojë askush prej dënimit të Tij dhe përveç Tij unë nuk mund të gjej ndonjë vendstrehim.

Mua më takon vetëm kumtimi nga ana e Allahut në lidhje me gjykimet për hakun tim dhe të Aliut”.

Pyetësi tha: “A zbriti në këtë mënyrë ajeti?” dhe Imami iu përgjigj: “Po, ashtu ka zbritur. Për ta përforcuar këtë, ka zbritur edhe një ajet në vazhdim:  Kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij në lidhje me hakun e Aliut, i tij është zjarri i Xhehenemit, aty do të jenë përgjithmonë, pa mbarim. Derisa kur ta shohin atë që u premtohet, atëherë do të kuptojnë se kush është më i dobët në ndihmë dhe më i vogël në numër”. Gjegjësisht, kur të paraqitet Mehdiu me sahabet e ti, atëherë do të kuptohet se kush është më i dobët dhe kush është më i fortë!”

 

Ajo ditë është dita e Ehli Bejt. Ajo ditë është dita e të vërtetës. Ajo ditë është dita e Islamit. Ajo ditë është dita e Zylfikarit. Ajo ditë është dita e zhdukjes së pavërtetës.

 

Me ndihmën e Allahut, këtu përfundon sureja Xhin. Falënderimi i takon Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.