Sureja Furkan

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 8-9

“Zullumqarët madje thonë: Ju vetëm jeni duke e ndjekur një njeri të cilin e ka zënë magjia! Shih se çfarë shembuj të sjellin, andaj ata janë të humbur dhe nuk mund ta gjejnë rrugën e drejtë”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Ata që e kishin uzurpuar hakun e Al-i Muhamedit kishin thënë: Ju jeni duke e ndjekur një njeri të cilin e ka zënë magjia, gjegjësisht Resulullahun (s.a.v.). Prandaj, Allahu i Madhëruar i shpalli të dërguarit të Tij: Shiko se çfarë shembuj janë duke të sjellë, ata kanë devijuar. Ata nuk mund ta gjejnë rrugën deri te velajeti i Allahut! Ndërsa, vetë Aliu është rruga e drejtë!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 11

 “Por, ata e përgënjeshtruan orën (e Kiametit). Ne kemi përgatitur zjarr të fortë për ata që e përgënjeshtrojnë ardhjen e asaj ore”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Allahu i Madhëruar e ka caktuar natën në dymbëdhjetë orë, ditën në dymbëdhjetë orë, muajt dymbëdhjetë, imamët dymbëdhjetë dhe të besueshmit e tyre dymbëdhjetë! Aliu është një orë prej atyre dymbëdhjetë orëve.

Në lidhje me të, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ne kemi përgatitur zjarr të fortë për ata që e përgënjeshtrojnë ardhjen e asaj ore”

 

Në një rrëfim tjetër, Imami ka thënë: 

“Më i ndershmi në mesin e këtyre orëve është Ali bin Ebi Talibi!”

Imam Ali er-Rida ka thënë: 

“Ora të cilin e përgënjeshtrojnë është velajeti i Aliut (a.s), atë e përgënjeshtruan”

 

Shpjegim:

Me të vërtetë, kur të vijë ajo orë, të gjitha urdhrat do të jenë në dorën e Imam Aliut dhe për këtë ekzistojnë edhe hadithe të shumta në librat e synnitëve. Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“O Ali! Ti je ai që do ta ndajë Xhenetin dhe Xhehenemin. Xhenetit do t’i thuash: Merre këtë, është i yti dhe Xhehenemit do të thuash: Merre këtë, është i yti”. Si të mos jetë kështu kur personaliteti i Imam Aliut do ta ndajë atë që ka iman prej atij që është mynafik dhe qafir! Pejgamberi ka thënë: “Nuk do të mund ta kalojë urën e Siratit ai që nuk ka në dorë një leje nga Aliu!” A ka ndonjë dëshmi më të qartë se kjo?

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 20

“Ne bëmë njërin prej jush sprovë për tjetrin për të parë se a jeni të durueshëm. E Zoti yt është Ai që sheh çdo gjë”

 

Një ditë, Resulullahu (s.a.v.) i thirri brenda shtëpisë Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Hysejnin, dhe mbasi që e mbylli derën tha:

“O të afërmit e mijë dhe të afërmit e Allahut! Allahu i Madhëruar ju dërgon selam dhe Xhebraili, që gjendet në këtë dhomë, ju thotë: Allahu i Madhëruar ju thotë që i kam bërë armiqtë e juaj si sprovë për ju, çka thoni në lidhje me këtë? Ehli Bejti tha: O Resulullah! Ne jemi të kënaqur me urdhrin e Allahut dhe me gjykimin që ka zbritur përderisa të dalim përpara Tij dhe ta arrijmë atë sevap.

Ne kemi dëgjuar prej Tij se ata që janë të durueshëm do të fitojnë të gjitha të mbarat!” Resulullahu (s.a.v.) vajtoi aq shumë për këtë sa që mund ta dëgjonin edhe ata që ishin jashtë dhomës. Atëherë zbriti ky ajet:  Ne bëmë njërin prej jush sprovë për tjetrin për të parë se a jeni të durueshëm. E Zoti yt është Ai që sheh çdo gjë. Ata do të durojnë”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 27

“Atë ditë zullumqari do t'i kafshojë duart e veta dhe do të thotë: “I mjeri unë, sikur ta kisha marrë edhe unë rrugën bashkë me atë Pejgamberit!”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Rruga bashkë me atë të Pejgamberit është rruga e Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliut (a.s)”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 28-29

“O shkatërrimi im, ah të mos e kisha bërë filanin mik! Me të vërtetë, ai më largoi nga përkujtimi (ziqri) që më erdhi. Shejtani e lë njeriun të vetmuar e të humbur”

 

Në ditën e Kiametit, kur Ebu Bekri dhe pronari i tij Ymerin do të shohin se sa të këqija ishin veprat e tyre dhe se çfarë dënimi i pret për shkak se e kanë marrë hakun e Urdhëruesit të Besimtarëve, Imam Aliut, prej dorës së tij, Ebu Bekri do të thotë:

 

“Sikur të mos e kish bërë mik Ymerin. Me të vërtetë, ai më largoi nga velajeti i Aliut që më erdhi!”

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:

“Unë jam ziqri që Ebu Bekri ka devijuar prej tij, unë jam rruga të cilën e ka braktisur, unë jam imani të cilin ai e ka mohuar, unë jam Kurani prej të cilit ai ka hequr dorë, unë jam feja të cilin ai e ka përgënjeshtruar dhe unë jam Sirati prej të cilit ka dalë ai!”

 

Shpjegim:

Çështja themelore që i ndan synnitët dhe shiitët është çështja e kalifatit. Synnitët e mbrojnë pikëpamjen sipas të cilit i Dërguari (s.a.v.) nuk ka lënë amanet ndonjë kalif që do ta trashëgojë atë ndërsa shiitët e thonë të kundërtën. Përfundimi që ka dalë prej kësaj është se sipas shiitëve, Ebu Bekri, Ymeri dhe ata që i pasuan këta, i kundërshtuan imamët që i kishte lënë si amanet i Dërguari (s.a.v.).

Rrëfimi që e përmendëm më lart, ka ardhur drejtpërdrejtë prej Imamëve të Ehli Bejtit. Ne nuk kemi shtuar asgjë prej neve. Në një vend tjetër, Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë në mënyrë më të qartë: “I pari (Ebu Bekri) do të thotë: Sikur të isha mbajtur për pejgamberin dhe velajetin e Aliut dhe të mos e kisha bërë mik të dytin (Ymerin). Me të vërtetë, ai më largoi prej ziqrit, prej velajetit të Aliut, që më erdhi. Shejtani, gjegjësisht, i dyti, e lë njeriun të vetmuar e të humbur”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 30

“Dhe i dërguari tha: O Zot im, vërtet populli im e konsideroi këtë Kuran si të braktisur”

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu (a.s) ka thënë:

“Unë jam Kurani të cilën e ka konsideruar si të braktisur Ebu Bekri!”

Gjegjësisht, duke qenë Urdhëruesi i Besimtarëve libri (imami) të cilin duhej ndjekur ymmeti, më së pari këtë e ka shkelur Ebu Bekri.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 55

“...jobesimtari ndihmon atë që është kundër Rabbit (Zotit) të vet”

 

Në tefsirin e Ali bin Ibrahimit shkruan:

“Ai që është kundër Rabbit të tij, gjegjësisht kundër Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliut, është i dyti (Ymeri)”. Ai ishte ndihmësi më i madh i Ebu Bekrit gjatë caktimit të tij si kalif”.

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Në tefsirin e fshehtë të Kuranit, ajeti interpretohet në këtë mënyrë: Aliu, përmes lidhjes së velajetit, është Rabbi i tij! Rabbi është krijues dhe nuk mund të përshkruhet me asgjë. Aliu është argument për Muhamedin (s.a.v.). Muhamedi (s.a.v.) është thirrësi për në velajetin e Aliut. A nuk e ke dëgjuar fjalën e Resulullahut (s.a.v.): “Urdhëruesi (mevla) i kujt jam unë edhe Aliu është urdhëruesi i tij. O Allah! Kush e pranon dhe e ndihmon Aliun, ndihmoje edhe Ti atë, dhe kush e mohon atë e bëhet armiku i tij, mohoje edhe Ti atë e bëhu armiku i tij!”

 

Sipas pikëpamjes së velajetit, Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, është rabbi i ymmetit mbas Allahut dhe pejgamberit të Tij. Ky velajet është velajeti i Allahut. Ai që e mohon këtë, e ka mohuar Allahun.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 70

“Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues dhe Ai falë shumë”

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:

“O Asbag bin Nabate! Miku ynë është miku i Allahut. Kur të ndërrojë jetë miku ynë, Allahu do t’ia japë atij ujë prej një burimi, uji i të cilit është më i ftohtë se bora dhe më e ëmbël se mjalti!”. Asbagu tha: “U flijoftë shpirti im për ty o Urdhëruesi i Besimtarëve, edhe nëse ai mik ka bërë të këqija?”

Imami iu përgjigj: “Po, a nuk e ke lexuar se çka ka thënë Allahu: Allahu të këqijat ua shndërron në të mira”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Dashuria ndaj Ehli Bejtit i pastron të këqijat dhe i shumëzon të mirat. Allahu i Madhëruar do t’i shpaguajë dëmet dhe zullumet e robërve besimtar që na duan neve dhe do t’u thotë të këqijave: Bëhuni mirësi dhe bukuri”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 74

“Edhe ata që thonë: Zoti ynë, na bën që sytë tonë të jenë të gëzuar në lidhje me gratë dhe pasardhësit tonë, e neve na bën shembull (imam) për të devotshmit”

 

Resulullahu (s.a.v.) e pyeti Xhebrailin (a.s):

“Çka nënkuptohet me gratë?” Dhe Xhebraili (a.s) tha: “Hatixhja!”. Resulullahu (s.a.v.) pyeti: “Çka nënkuptohet me pasardhësit tonë?” dhe Xhebraili (a.s) tha: “Fatimja!”. Resulullahu (s.a.v.) pyeti: “Çka nënkuptohet me sytë tonë të jenë të gëzuar?” Xhebraili (a.s) tha: “Hasani dhe Hysejni”.  Resulullahu (s.a.v.) pyeti: Çka nënkuptohet me shembull (imam) për të devotshmit?” Xhebraili (a.s) tha: “Ali bin Ebu Talibi!”

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Të devotshmit që përmenden në ajet janë shiitët tanë”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 75

“Për shkak se duruan, të tillët shpërblehen me një shkallë të lartë të Xhenetit dhe aty priten me përshëndetje dhe shëndet”

 

Resulullahu (s.a.v.) i tha njërit prej sahabeve të tij, Abdulla bin Mesudit:

“O Ibn Mesud! Pozitat më të larta të Xhenetit i takojnë Ali bin Ebi Talibit dhe shiitëve të tij, që e duan atë dhe që qëndrojnë larg prej armiqve të tij. Kjo është kështu sipas fjalës së Allahut: “Për shkak se duruan, të tillët shpërblehen me një shkallë të lartë të Xhenetit dhe aty priten me përshëndetje dhe shëndet”. Për shkak se i kanë duruar vështirësitë e kësaj bote, ata do ta meritojnë atë pozitë!”

Me të vërtetë nuk ka pasur një grup tjetër që ka i ka duruar padrejtësitë sikur shiitët. Librat e historisë i kemi në duart tona!

 

Me ndihmën e Allahut po e përfundojmë këtu suren Furkan. Falënderimet më të larta qofshin për Allahun. Paqja dhe përshëndetja më e lartësuar qoftë mbi habibin dhe nurin e Tij, Muhamedin (s.a.v.) dhe mbi Ehli Bejtin e tij.