Sureja Jasin

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 12

“Ne kemi numëruar çdo gjë në një libër të qartë”

 

Kur zbriti ky ajet, Resulullahu (s.a.v.) ua lexoi sahabeve që ishin përreth tij. Ebu Bekri dhe Ymeri u ngritën dhe thanë:

“O Resulullah! A është ky libër Tevrati?”

Resulullahu (s.a.v.) u përgjigj: “Jo”.

Pastaj, e pyetën: “A është ky libër Bibla?”

Resulullahu (s.a.v.) u përgjigj: “Jo”.

Pastaj, e pyetën: “A është ky libër Kurani?”

Resulullahu (s.a.v.) u përgjigj: “Jo”.

Mbasi që e tha këtë, mbërriti Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, dhe i Dërguari (s.a.v) tha: “Libri në të cilën është numëruar çdo gjë në mënyrë të qartë, është ky imam”

 

Ebu Zerri rrëfen:

“Një ditë isha duke kaluar nëpër një luginë bashkë me Urdhëruesin e Besimtarëve dhe aty pashë një numër të madh të milingonave. Unë u habita shumë dhe thashë: ‘Allahu ekber! I lartë është ai që e di numrin e këtyre milingonave!’

Urdhëruesi i Besimtarëve më tha: Mos fol ashtu. Thuaj: I lartë është ai që i krijoi këta milingona! O Ebu Zerr! Betohem në atë që të ka dhënë formën ty se unë e di numrin e këtyre milingonave, meshkujve dhe femrave. Këtë e di me lejen e Allahut”.

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“O Mufaddal! A i ke njohur zotësitë e Muhamedit, Aliut, Fatimes, Hasanit dhe Hysejnit në mënyrë të duhur?”

Mufaddali e pyeti: “O zotëria ime! Cilët janë zotësitë e tyre në kuptimin e vërtetë?”

Imami iu përgjigj: “O Mufaddal! Kush i njeh ata në mënyrë të duhur, do të bëhet besimtar dhe do ta arrijë gradën e lartë”.

Mufaddali tha: “O zotëria ime! Sikur të më kishe mësuar zotësitë e tyre të vërtetë?”.

Imami tha: “O Mufaddal! Këta persona janë të informuar për të gjitha krijesat që i ka krijuar Allahu i Madhëruar! Ata janë vetë fjala e devotshmërisë! Ata janë ruajtësit e thesarit të qiejve, tokës, maleve, shkretëtirave dhe deteve! Ata e dinë se sa yje dhe sa engjëj ka në qiell! Ata e dinë peshën e maleve dhe sasinë e ujit të deteve, lumenjve dhe të gjithë burimeve! Ata kanë njohuri për çdo fletë që bie në tokë dhe për çdo farë që gjendet brenda tokës!

Çdo gjë që është e thatë dhe lagët është në një libër të qartë! Të gjitha këto janë në diturinë e tyre dhe në këtë mënyrë ata kanë njohuri për çdo gjë!”

Mufaddali tha: “O zotëria ime! Unë i mësova këto, i pranova si të vërtetë dhe besova në këtë!”

Imami tha: “Po, o Mufaddal! I tillë je ti. Ti je fisnik, ke sjellje të mirë dhe je i dashur. Ty dhe të tillëve si ti Xheneti u është bërë i bukur dhe i denjë!”

 

Imamët e Ehli Bejtit i kanë zotëruar të gjitha këto aftësi përmes emrit më të madh (Ismi Azam) të Allahut. Këtë na e ka treguar Imam Muhamed el-Bakiri në këtë mënyrë:

“Emri më i lartë i Allahut përmban shtatëdhjetë e tre shkronja. Asaf bin Berhija e dinte vetëm një shkronjë dhe përmes kësaj e kishte sjellë fronin e Belkises për kohën sa hap e mbyll sytë. Ne i dimë shtatëdhjetë e dy shkronjat të emrit më të madh të Allahut! Allahu e ka mbajtur për vete një shkronjë të vetme dhe aty është i përfshirë tërë dituria e fshehtë. La havla vela kuvvete illa billahil Alijjul Adhim!”

 

Në fund mund të themi se: Të gjitha dituritë që i ka zotëruar i Dërguari (s.a.v), të njëjtat i ka zotëruar edhe Imam Aliu dhe Imamët tjerë të Ehli Bejtit. Ata janë dyert e diturisë!

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 20

“Dhe prej skajit më të largët të qytetit erdhi një njeri që ngutej e tha: ‘O populli im, dëgjoni të dërguarit!”

 

Isa (a.s) kishte dërguar në Antakija dy të dërguar. Si përforcim për këta dy, dërgoi edhe të dërguarin e tretë. Populli nuk deshi t’i dëgjojë ata dhe prej skajit më të largët të qytetit erdhi një person i bekuar me emrin Habib en-Nexhar dhe kërkoi prej popullit të tij që t’i dëgjojë e pasojë këta dy të dërguar. Por, populli i tij e gjuajti me gurë Habibin dhe si pasojë e kësaj ai vdiq. Ata ishin duke e goditur trupin e tij të pajetë ndërsa ai i vështronte ata nga Xheneti i Adnit dhe thoshte: “Ah, sikur ta dinte populli im, për çka më fali Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve!” (Jasin 26-27)

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Të sinqertët (ata që prijnë në sinqeritet) janë tre: Hezakili, që ishte nga familja e faraonit; Habib en-Nexhari, besimtari që ishte nga familja e Jasinit dhe Ali bin Ebi Talibi, që është më i virtytshmi prej të gjithëve”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 52

“E thonë: ‘Të mjerët ne! Po kush na ngriti nga vendi që ishim të shtrirë?’ E, kjo është ajo që premtoi i Mëshirshmi dhe të dërguarit e kanë thënë të vërtetën”

 

Imam Ali er-Rida ka thënë:

“Allahu i Madhëruar kishte marrë fjalë nga miqtë e Tij se do të jenë të durueshëm gjatë qeverisjes së një pushteti të padrejtë. O shiitët tanë! Duroni edhe ju kundrejt padrejtësisë së këtij pushteti që jeni duke e parë! Kur të paraqitet zotëria e njerëzve (Mehdiu), zullumqarët do të thonë: “Të mjerët ne, kush na ngriti nga vendi që ishim shtrirë? Kjo është ajo që premtoi i Mëshirshmi dhe të dërguarit e kanë thënë të vërtetën”

 

Këtu përfundon sureja Jasin. E falënderojmë Allahun për begatinë që na ka dhënë dhe tek Ai kërkojmë strehë. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dërguarin (s.a.v.) tonë dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.