Sureja Gafir (Mumin)

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 7

“Ndërsa ata që e bartin Arshin edhe ata që janë përreth e tij, lartësojnë me falënderim Zotin e tyre, i besojnë Atij dhe i luten Atij t'i falë ata që besuan: Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe me diturinë Tënde ke përfshirë çdo send, andaj fali ata që u penduan dhe ndoqën rrugën Tënde, dhe ruaji ata nga dënimi i Xhehenemit!”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: 

“Unë dhe Aliu jemi të parët në sipërfaqen e tokës që kanë besuar. Engjëjt janë lutur për faljen tonë shtatë vjet e tetë muaj para se të besojë ndonjëri nga ymmeti i Muhamedit”

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:

“Shtatë vjet para se të besojë ndonjëri nga ky ymmet, unë i kam besuar Resulullahut (s.a.v.). Engjëjt janë lutur shtatë vjet për ne të dy”.

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Rruga e Allahut është Aliu! Ata që i përmbahen asaj rruge, nuk janë askush tjetër veçse shiitët tanë”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Me ata që pendohen nënkuptohet: Ata që e kanë braktisur rrugën e kalifëve që ishin para Aliut dhe që janë kapur për velajetin e Aliut. Imani është vetëm kapja për velajetin e Aliut”

Në një vend tjetër, Imami ka thënë: “Ata që e bartin Arshin dhe që sillen përreth tij janë Muhamedi, Aliu, Hasani, Hysejni, Ibrahimi, Musa dhe Isa”

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 11-12

“Ata (jobesimtarët) thonë: Zoti ynë, na bëre të vdesim dy herë dhe na ngjalle dy herë. Ne pranuam për mëkatet tona, pra a ka ndonjë rrugëdalje? Shkaku i kësaj është ky: Kur bëhej thirrja për t’u lutur vetëm Allahut Një, ju e mohuat, e nëse i përshkruhej shok Atij, ju besuat. Tani, i tërë sundimi është në duart e Allahut, të Lartit, të Madhëruarit”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Thirrja ndaj velajetit të Aliut është njëjtë sikur thirrja për t’u lutur vetëm Allahut. Përshkrimi i shokut ndaj Allahut është përshkrimi i shokut ndaj velajetit të Aliut nga ana e të tjerëve. Tani, i tërë sundimi është në duart e Allahut, të lartit, të madhëruarit:

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 51

“Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarin tanë dhe ata që besuan në jetën e kësaj bote dhe në ditën kur do të dëshmojnë dëshmitarët”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: 

“Dijeni mirë që çdo pejgamber nuk ka pasur sukses gjatë jetës së tij. Disa kanë pësuar humbje dhe disa edhe janë mbytur. Ky ajet na bën me dije për kthimin e Mehdiut (a.s) në këtë botë. Kur të paraqitet Mehdiu (a.s), të gjithë të dërguarit do të korrin fitore”

Ali bin Ibrahimi thotë në tefsirin e tij:

“Dëshmitarët që përmenden në këtë ajet janë Imamët e Ehli Bejtit. Ata do të jenë dëshmitar për çdonjërin në ditën e Kiametit”

 

Falënderimi qoftë për Allahun. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi të dërguarin tonë, Muhamedin (s.a.v.) dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër. Këtu përfundon sureja Mumin.