Sureja Saffat
Tevili dhe tefsiri i ajetit 24
“Ndalni ata, sepse do të merren në përgjegjësi”
Abdullah bin Abbasi ka thënë:
“Ata do të merren në përgjegjësi në lidhje me velajetin e Ali bin Ebi Talibit!”
Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:
“Në ditën e Kiametit, Allahu i Madhëruar do t’i tubojë të gjithë njerëzit në një vend dhe do ta vendos urën e Siratit buzë Xhehenemit. Urën e Siratit do të mund të kalojnë vetëm ata që kanë leje nga Ali bin Ebu Talibi!”
Në një vend tjetër, ka thënë:
“Në ditën e Kiametit, asnjë rob nuk do të bëjë asnjë hap pa u pyetur për katër çështje: Si e ka kaluar jetën e tij; për çka ka qenë i lidhur (i dhënë mbas) trupi i tij; ku e fitoi dhe ku e harxhoi mallin e tij dhe për dashurinë ndaj neve, Ehli Bejtit”. Ymeri e pyeti: “O Resulullah! Cila është shenja e dashurisë ndaj juve mbas teje?” Resulullahu (s.a.v.) e vendosi dorën e tij mbi supet e Imam Aliut dhe tha: “Dashuria ndaj neve shprehet përmes dashurisë ndaj tij dhe nënshtrimi ndaj meje shprehet përmes nënshtrimit ndaj tij!”
Pejgamberi (s.a.v.) është duke e parë se si është duke vepruar ymmeti me Imam Aliun mbas tij, të cilit ia kishte dhënë aq shumë rëndësi. Ymmeti e kishte harruar Imam Aliun dhe e kishte lënë mbrapa shpine. Kjo nuk vlen për të gjithë por është për keqardhje se vlen për shumicën. Synnitët e duan Imam Aliun njëjtë si të gjitha sahabet tjera, duke e parë këtë si të mjaftueshme, dhe nuk flasin aspak për vlerën e tij të vërtetë. Shumë pak prej tyre janë duke menduar për atë se Imam Aliu do t’i pres ata te ura e Siratit.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 83
“Me të vërtetë, Ibrahimi i takonte atyre që ishin në rrugën e tij”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Ibrahimi (a.s) ishte prej shiitëve të Imam Aliut (a.s)” Gjegjësisht, ishte në rrugën e tij.
Në një rrëfim thuhet:
“Me lejen e Allahut, Ibrahimi kishte shikuar përreth arshit dhe e kishte parë dritën e Ehli Bejtit. Prej Zotit të tij ai kërkoi kështu: “O Allahu im! Bëmë prej shiitëve të Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut!”
Në një vend tjetër, Imami ka thënë:
“Të gjithë do të jenë në zjarr përveç Resulullahut, neve dhe shiitëve tanë!”
Saktësinë e këtyre fjalëve na e konfirmon i Dërguari (s.a.v.) në këtë mënyrë:
“Sikur të ishin mbledhur njerëzit përreth dashurisë ndaj Ali bin Ebi Talibit, Allahu nuk do ta krijonte fare Xhehenemin”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 130
“Selami qoftë mbi familjen e Jasinit”
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:
“Resulullahu (s.a.v.) është Jasini! Ndërsa, ne jemi ajo familje që përmendet në ajet!”
Kalifi abbasit, Mamuni, i kishte tubuar dijetarët në një vend dhe kishte kërkuar që të polemizojnë me Imam Ali Rizanë. Mamuni kishte kërkuar nga Imami që të vërtetojë përmes ajeteve të Kuranit se Al-i Muhamedi është Ehli Bejti. Imami i pyeti dijetarët që ishin mbledhur:
“Për kënd është fjala në ajetin e Kuranit, ku Allahu thotë: Ja-Sin. Betohem në Kuranin Famëlartë?”
Të pranishmit i thanë: “Askush prej neve nuk dyshon se Ja-Sini është Resulullahu (s.a.v.)!”
Imami vazhdoi: “Allahu ua ka dhënë një lavd aq të madh për Muhamedin dhe Al-i Muhamedin sa që vetëm ata që kanë mend mund ta kuptojnë këtë. Allahu i Madhëruar ua dhënë selamin vetëm pejgamberëve, duke thënë: “Selami qoftë mbi Nuhin brenda botëve”.
Në një vend tjetër:
“Selami qoftë mbi Ibrahimin”, si dhe në një vend tjetër: “Selami qoftë mbi Musën dhe Harunin”.
Në asnjë ajet, Allahu i Madhëruar nuk e ka përshëndetur familjen e të dërguarit. Por, familjen e Ja-Sinit e ka përshëndetur. Me këtë është menduar vetëm për Al-i Muhamedin”
Mamuni tha: “E kam ditur se këtë mund ta shpjegoj vetëm njëri që vjen nga miniera e pejgamberëve!”
Gjegjësisht, Imam Riza është nga miniera e pejgamberëve.
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 165 - 166
“Dhe, me të vërtetë, ne jemi të rreshtuar. Dhe, me të vërtetë, ne jemi ata që lartësojmë”
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:
“Ne, Al-i Muhamedi, ishim një dritë përreth arshit. Allahu na urdhëroi që të bëjmë lartësimin (tesbih) dhe engjëjt e bënë lartësimin me lartësimin tonë. Pastaj, na zbriti mbi sipërfaqen e tokës dhe aty na urdhëroi që ta lartësojmë Atë. Ne e bëmë lartësimin dhe të gjitha krijesat e tokës e mësuan lartësimin prej neve dhe me të njëjtën e bënë lartësimin e Allahut. Sigurisht, që ne jemi të rreshtuarit dhe sigurisht që ne jemi ata që lartësojnë!”
E kishin pyetur Abdullah bin Abbasin në lidhje me tefsirin e këtij ajeti dhe ai kishte thënë:
Një ditë ishim ulur bashkë me Resulullahun (s.a.v.) dhe erdhi Ali bin Ebi Talibi. Kur e pa atë, Resulullahu (s.a.v.) buzëqeshi dhe tha: “Merhaba, ti i cili je krijuar dyzet mijë vjet para Ademit”.
Unë e pyeta: “O Resulullah! A ka qenë djali më herët se babai i tij”.
Resulullahu (s.a.v.) iu përgjigj: “Po, ka qenë më herët! Dyzetmijë vjet para se ta krijojë Ademin, Allahu më ka krijuar mua dhe Aliun. Pastaj, i krijoi të gjitha gjërat dhe ato ishin në errësira. Ato i ndriçoi përmes dritës time dhe të Aliut. Neve na vendosi në anën e djathtë të Arshit dhe pastaj i krijoi engjëjt. Ne lartësuam (tesbih) dhe engjëjt lartësuan bashkë me neve. Ne e shqiptuam tahlilin (La ilahe illaalah) dhe engjëjt e shqiptuan tahlilin bashkë me neve.
Ne e thirrëm tekbirin (Allahu Ekber) dhe engjëjt e thirrën tekbirin bashkë me neve. Të gjitha këto ua kemi mësuar engjëjve unë dhe Aliu. Prej diturisë që qëndron përpara Allahut është bërë e qëndrueshme se ai që ndjen dashuri ndaj meje dhe ndaj Aliut nuk do të hyjë kurrë në Xhehenem dhe ata që na urrejnë nuk do të hyjnë kurrë në Xhenet! Kur Allahu i Madhëruar i krijoi engjëjt, atyre ua dha ibrikë me ujë të jetës nga Firdevsi.
Të gjithë shiitët e Aliut janë të pastër; ata kanë ardhur në këtë botë të pastruar nga nëna e babai i tyre dhe i kanë besuar Allahut në mënyrë të sinqertë. Kur njëri prej baballarëve të shiitëve i afrohet gruas së tij dhe bashkohet me të, një engjëll vjen dhe e derdh ujin nga ibriku në enën e babait. Babai e pinë atë ujë dhe në këtë mënyrë lulëzon imani në zemrën e tij njëjtë sikur që lulëzojnë bimët.
Këta shiitë janë argumente për Zotin, për pejgamberët, për të besueshmin e të dërguarve, Fatimen, Hasanin, Hysejnin dhe për të gjithë Imamët që vijnë mbas tyre!”
Unë e pyeta Resulullahun: “O Resulullah! Kush janë ata imamë?”
Resulullahu u përgjigj: “Ata janë njëmbëdhjetë, të gjithë janë prej meje dhe babai i tyre është Ali bin Ebu Talibi! Falënderimi qoftë për Allahun që dashurinë e Aliut e ka bërë të mbarë për dy gjëra!” Gjegjësisht, hyrjen në Xhenet dhe shpëtimin nga Xhehenemi!
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Ne jemi fillimi i parë i Allahut! Ne jemi shkaku i krijimi të ekzistencës! Ne jemi shkaqet e adhurimit dhe të lartësimit të djemve të Ademit! Përmes neve është njohur Allahu, është ditur njëshmëria e Tij, përmes neve është adhuruar Allahu, përmes neve ua ka falur fisnikëri robërve, përmes neve ua ka dhënë dënimin dhe përmes neve e ka bërë të vërtetë përfundimin”
Këtu përfundon sureja Saffat. Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja qoftë mbi pejgamberin tonë dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.