Sureja Junus

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 7

“Ata që nuk presin takimin Tonë, që janë të kënaqur me jetën e Dynjasë dhe kanë gjetur prehje në të, dhe ata që janë indiferentë ndaj argumenteve tona.”

 

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ka thënë:

“Allahu nuk ka ndonjë argument më të madh se unë”.

Të jenë të painformuar myslimanët për velajetin e Aliut është njëjtë sikur të jenë të painformuar për argumentin e Aliut. Sepse, velajeti i Aliut është argumenti më i madh që u është dhënë njerëzve dhe padyshim që ata do të pyeten për këtë.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 15

“Dhe kur atyre u lexohen ajetet Tona të qarta, ata që nuk besojnë takimin tonë, thonë: ‘Sillna një Kuran tjetër ose ndryshoje këtë! Thuaj: ‘Mua nuk më takon që ta ndryshoj këtë, unë e pasoj vetëm atë që më shpallet...”

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Njëri prej armiqve të të Dërguarit (s.a.v.) i tha Resulullahut (s.a.v.) mbrapa shpine: ‘Sillna një Kuran tjetër ose ndryshoje këtë’; gjegjësisht, sikur të kishe bërë Imam ndonjërin tjetër dhe jo Aliun!’.

Si përgjigje për këtë, Allahu tha: Thuaj: ‘Mua nuk më takon që ta ndryshoj këtë; gjegjësisht, imametin e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut. Unë vetëm po e zbatoj atë që më ka shpallur Zoti im në lidhje me Aliun’.

Në një vend tjetër, Imami ka thënë: “Sikur Resulullahu (s.a.v.) të kishte ndryshuar  Imametin e Aliut me Imametin e Ebu Bekrit dhe të Ymerit, ne do t’i pasonim ata”.

Në Ditën e Gadir Humit, i Dërguari (s.a.v.) e emëroi Imam Aliun si Imam dhe kalif, dhe këtë nuk e ndryshoi më. Ai dëshiron që të na bëjë me dije për këtë fakt.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 25

“Allahu thërret për në vendin e shpëtimit, dhe atë që do, e vë në rrugë të drejtë”

 

 

Zejd bin Ali Zejnelabidini ka thënë:

“Rruga e drejtë është Urdhëruesi i Besimtarëve, Ali bin Ebi Talibi”.

Në një rrëfim tjetër ka thënë:

“Rruga e drejtë që e dëshiron Allahu është rruga që të qon te velajeti i Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliu”.

I Dërguari (s.a.v.) ka thënë:

“O Ali! ti je rruga e drejtë. Ti je lajmi më i madh”

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 32

“Pas të vërtetës nuk ka tjetër pos iluzione, e si po ia ktheni shpinën?”

 

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, kishte hipur në mimberin e xhamisë së Kufes, dhe prej aty tha:

“Ne, Ehli Bejti, jemi fjala e devotshmërisë (takva), ne jemi rruga e shpëtimit, ne jemi shembulli më i lartë dhe dëshmia më madhështore; ne jemi dorëza e sigurt që nuk di të këputet dhe ne jemi ata për të cilët Allahu ka thënë: “Pas të vërtetës nuk ka tjetër pos iluzione, e si po ia ktheni shpinën?”

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 35

“Atëherë pra, a është më e drejtë të shkohet pas atij që udhëzon në rrugën e drejtë, apo pas atij që nuk mund të shkojë nëse nuk udhëzohet? Ç'është me ju? Si gjykoni?”

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Ai që të udhëzon në rrugën e drejtë është Muhamedi (s.a.v.) dhe Ehli Bejti i tij. Ata që nuk mund të shkojnë pa u udhëzuar janë ata që kanë kundërshtuar mbas të Dërguarit (s.a.v.), Kurejshët dhe të tjerët”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, kishte dhënë një gjykim që para tij nuk kishte dhënë askush. Ky ishte gjykimi i parë të cilën e kishte dhënë mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.). Përpara Ebu Bekrit e kishin sjellë njërin që kishte pirë pije dehëse.

Ebu Bekri e pyeti atë: ‘A ke pirë atë pije?’. Ai u përgjigj: ‘Po, kam pirë’.

Ebu Bekri e pyeti: ‘E ke pirë duke qenë e ndaluar një gjë e tillë?’.

Ai tha: ‘Kur e pranova Islamin , unë jetoja në një shoqëri ku besonin se pija dehëse është e lejuar. Sikur ta kishar ditur se pija dehëse është e ndaluar, unë do ta kisha braktisur atë’. Ebu Bekri u kthye kah Ymeri dhe tha: ‘O babai i Hafsas!

Çka thua për gjykimin e këtij rasti?’

Ymeri tha: ‘Këtë rast të vështirë mund ta zgjedhë vetëm babai i Hasanit’.

Ebu Bekri i tha një fëmije që qëndronte aty afër: ‘O Fëmijë!

Shko thirre Aliun!’ Ymeri tha: ‘Urtësia pyetet në vendin e tij’. Të gjithë u quan dhe shkuan te shtëpia e Imam Aliut. Bashkë me ata shkoi edhe Selmani. Kur mbërritën, ata ia treguan rastin dhe Imam Aliu i tha Ebu Bekrit: “Dërgoje njërin bashkë me këtë person në shtëpitë e Ensarëve dhe Muhaxhirëve.

 

Nëse ndonjëri prej tyre thotë se ia ka lexuar atij ndonjë ajet për ndalesën e pijes dehëse, atëherë jepja dënimin. Por, nëse asnjëri prej tyre nuk thotë se ia ka lexuar ajetin për ndalesën e pijes dehëse, atëherë lëshojeni të lirë”.

Ebu Bekri veproi ashtu si tha Imam Aliu dhe kuptoi se askush nuk ia kishte lexuar atij ajetin se pija dehëse është e ndaluar dhe ai u shpall i pafajshëm. Mbasi që e kishte ndjekur të gjitha këto Selmani i tha Imam Aliut: ‘Ti i udhëzove ata!’.

Imam Aliu tha: ‘Unë i udhëzova ata vetëm për ta rikujtuar vlefshmërinë e ajetit që kishte zbritur në lidhje me  mua dhe ata. Ajeti thotë: “Atëherë pra, a është më e drejtë të shkohet pas atij që udhëzon në rrugën e drejtë, apo pas atij që nuk mund të shkojë nëse nuk udhëzohet? Ç'është me ju? Si gjykoni?”

 

I Dërguari (s.a.v.) na ka treguar qartë se Imam Aliu është gjykatësi më i mirë brenda ymmetit. Duke qëndruar afër tyre gjykatësi, a mund të jetë e drejtë caktimi për kalif i atyre që nuk mund të shkojnë në rrugën e drejtë nëse nuk udhëzohen? Sigurisht që nuk është e drejtë; dhe t’ia përshkruajmë këtë Allahut dhe të dërguarit të Tij është padrejtësia më e madhe. Në lidhje me këtë, dëshirojmë që t’i prezantojmë fjalët e Ymerit në lidhje me Imam Aliun.

Ai ka thënë: “Sikur të mos ishte Aliu, Ymeri do të shkatërrohej”. “Kërkoj mbrojtje nga Allahu që të hyjë në çështjet e vështira nëse aty afër nuk gjendet Aliu” dhe një fjalë tjetër e tij thotë: “Gjykatësi më i mirë është Aliu”.  Mjaftojnë këto fjalë të shquara të Ymerit për të treguar pozitën e Imam Aliut. Pozita e Imam Aliut në kalifat është sikur pozita e syrit te koka. Kalifati pa të është sikur njeriu pa sy. Atëherë, a munden me qenë të njëjtë ai që sheh dhe ai që nuk sheh?

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 53

“E ata kërkojnë t'u tregosh: ‘A është e vërtetë ajo’. Thuaj: ‘Po, pasha Zotin tim, ajo është më se e vërtetë, dhe ju nuk do të mund ta pengoni kurrsesi’”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Kuptimi i ajetit është ky: E ata kërkojnë t'u tregosh: A është e vërtetë ajo që thua për Aliun. Thuaj: Po, pasha Zotin tim, ajo që po them për Aliun është më se e vërtetë...”

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Kuptimi i ajetit është ky: O Muhamed! Banorët e Mekes të pyesin se a është me të vërtetë Aliu Imami i tyre. Thuaj: Po, pasha Zotin tim, është më se e vërtetë ajo që kam thënë për imametin e Aliut.”

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 58

“Thuaj: Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t'i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata”.

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Mirësia e Allahut është i dërguari i Tij, Muhamedi (s.a.v.) ndërsa, mëshira e Tij është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu”.

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ka thënë:

“Shiitët tanë le t’i gëzohen mirësisë dhe mëshirës së Allahut. Kjo është më e vlefshme sesa ari dhe argjendi që u është dhënë armiqve tanë”.

 

Pra, shiitët (ithtarët) tanë le t’i gëzohen lidhjes për velajetin dhe dashurisë sonë. Ari dhe argjendi që u është dhënë armiqve nuk do të sjellë atyre kurrfarë dobie. Prandaj, shiitët janë më të mbarë sesa ata”.

Imam Hysejni ka thënë:

“Një ditë, i Dërguari (s.a.v.) hipi mbi deve dhe doli nga shtëpia. Edhe Aliu doli nga shtëpia dhe ishte duke ecur në këmbë. I Dërguari (s.a.v.) e pa atë dhe i tha: “O babai i Hasanit! Ose largohu prej meje ose merre edhe ti devenë tënde. Allahu i Madhëruar më ka urdhëruar: nëse unë i hipi ndonjë kafshe, edhe ti duhet që të hipësh; nëse unë eci në këmbë, edhe ti duhet të ecësh në këmbë; nëse unë ulem, edhe ti duhet që të ulesh. Nuk ka ulje apo çuarje në këmbë për ty veçse brenda kufijve që i ka caktuar Allahu.

 

Çdo gjë që ka bërë fisnike për mua, të ka dhënë edhe ty. Allahu më ka zgjedhur si pejgamber dhe ty të ka zgjedhur si të afërmin tim. Këtë e ka bërë me qëllim të zbatimit të urdhrave të vështira të Tij. Betohem me hakun e dërgimit tim si pejgamber se nuk më ka besuar mua ai që të ka mohuar ty. Ai që nuk të ka pranuar ty dhe hakun tënd, nuk më ka pranuar mua. Ai që nuk të ka besuar ty, nuk i ka besuar Allahut. Mirësia jote është prej mirësisë sime, që për këtë Allahu ka thënë: “Thuaj: Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t'i gëzohen, sepse është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata”. Mirësia e Allahut është nubuveti i pejgamberit dhe mëshira e Allahut është Ali bin Ebi Talibi. Shiitët tanë le t’i gëzohen nubuvetit dhe velajetit. Kjo është më e mbarë për ata sesa pasuria dhe fëmijët e kundërshtarëve të tyre.

 

O Ali! Ti je krijuar për t’u adhuruar Allahu, që të njihen dituritë e fesë dhe që të qartësohet rruga e drejtë. Kush largohet prej teje, ai është larguar plotësisht. Kush nuk të arrin ty dhe velajetin tënd, padyshim nuk do ta arrijë Allahun. Dëshmitar për këtë është Allahu, të cilën e vërteton me këtë ajet: “Nuk ka dyshim se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqendrohet për në rrugën e drejtë”. (Sureja Taha, 82) Pra, të atij që e pranon velajetin e Aliut.

 

Po ashtu, Allahu i Madhëruar më ka urdhëruar: sikur që e kam bërë obligim hakun tim ashtu edhe hakun tënd po e bëjë obligim, dhe le të dihet nga ana e të gjithë besimtarëve se haku yt është bërë obligim për ata. Sikur të mos ishe ti, nuk do të bëhej e qartë grupi i Allahut. Përmes teje janë qartësuar edhe armiqtë e Allahut. Ai që nuk del përpara Allahut i lidhur për velajetin tënd, ai do të jetë i lidhur për një hiq. Allahu i Madhëruar më ka urdhëruar: ““O ti i dërguar! Komunikoje atë që është urdhëruar prej Zotit tënd...”

gjegjësisht, në lidhje me velajetin tënd, “...e nëse nuk bën këtë, atëherë nuk e ke kryer misionin (risalat) e Tij”). (Maide, 67). Sikur të mos kisha kumtuar atë që ka zbritur në lidhje me velajetin tënd, të gjitha veprat e mija do të shkonin huq. Kush del përpara Allahut i privuar prej velajetit tënd, të gjitha veprat e tij do të shkojnë huq. Për persona të tillë nuk ka gjë tjetër veçse drejtimi kah Xhehenemi. Fjalët e mija janë vetëm ato fjalë që i ka folur Allahu. Këto fjalë i ka zbritur Allahu për ty!”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 63-64

“Ata janë që besuan dhe ishin të devotshëm. Atyre u jepet myzhde në jetën e Dynjasë dhe në jetën tjetër. Premtimet e Allahut nuk mund të pësojnë ndryshim. E, ai është sukses i madh”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku i ka thënë shiitëve të tij:

“Atij që do t’i vijë shpirti në gjoksin e tij, do ta sheh’. Ata që ishin prezent thanë: ‘U flijoftë jeta jonë për ty, çka do të sheh?’. Imami tha: ‘Së pari do ta sheh Resulullahun (s.a.v.) dhe ai do të thotë. Unë jam Resulullahu! Pastaj, do ta sheh Aliun dhe ai do të thotë: Unë jam Ali bin Ebi Talibi. Mua më ke dashur sa ishe në jetë dhe mua më është bërë obligim sot që të bëhem i dobishëm për ty’. Shiitët e pyetën: ‘Athua, kur t’i shohim këto, a do të jetë e mundur që të kthehemi prapë në jetë?’. Imami tha: ‘Jo. Nuk do të jetë e mundur. Kush i sheh këta, sigurisht do të vdes’. Disave prej të pranishmëve u erdhën rëndë këto falë dhe e pyetën: ‘A kanë vend në Kuran këto që po i thoni?’. Imami tha: ‘Po, kanë vend. Allahu ka thënë: “Ata janë që besuan dhe ishin të devotshëm. Atyre u jepet myzhde në jetën e Dynjasë dhe në jetën tjetër. Premtimet e Allahut nuk mund të pësojnë ndryshim. E, ai është sukses i madh”.

Një hadith i Imamëve të Ehli Bejtit thotë:

“Kur të vdes ndonjëri prej ithtarëve tanë, personat e parë që do t’i shoh do të jenë Resulullahu (s.a.v.) dhe Aliu. Prej tyre do ta sheh ndërmjetësimin menjëherë”.

Sigurisht, që ky është shpëtimi më i madh.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 87

“Ne i thamë Musës dhe vëllait të tij t'i bëni vend në Egjipt popullit tuaj, shtëpitë tuaja t'i bëni faltore e ta falni namazin rregullisht. Dhe, përgëzoi besimtarët!”

 

 

Imam Ali Riza ka thënë:

“Resulullahu i kishte mbyllur të gjitha dyert e sahabeve dhe të axhallarëve të tij që ishin të hapur për në mesxhid. Kur e dëgjoi këtë axha i tij Abbasi, erdhi dhe tha: ‘O Resulullah! A po na përjashton neve nga mesxhidi ndërsa Aliun po e lë brenda?’ Resulullahu tha: ‘Unë nuk ju kam nxjerrë juve prej mesxhidit dhe e kam lënë Aliun brenda. Por, Allahu ju ka nxjerrë jashtë dhe e ka lënë atë brenda”.

Në një rast tjetër ka thënë:

“Pozita e Aliut afër meje është sikur pozita e Harunit afër Musës”.

Dhe, në një vend tjetër ka thënë: “Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është dera e tij. Ai që kërkon dituri, le të vijë te dera e tij. Virtytin, nderin dhe zgjedhjen tonë kundrejt Allahut mund ta mohojë vetëm inatçinjtë”.

Mbyllja e dyerve të mesxhidit është një ngjarje e madhe në historinë islame. Por, ata që nuk i shohin shenjat e mëdha nuk mund të shohin këto shenja të holla. I Dërguari (s.a.v.) i kishte mbyllur të gjitha dyert e sahabeve duke përfshirë edhe dyert e Ebu Bekrit, Ymerit, Osmanit, Talhës, Ebu Ubejde bin Xherrahit dhe të ngjashmëve, që ishin të hapura përreth mesxhidit. Mbas kësaj ngjarjeje, Ebu Bekri shkoi në një fshat afër Medinës me emrin Sunh, për të jetuar aty. Nuk i përshtatet mendjes dhe logjikës së shëndoshë që ta pranojë për imam njërin që është larguar aq larg nga meshxidi dhe pastaj është kthyer për t’u bërë imam.

Por, ata që i kanë shpërdorë librat e historisë dhe të hadithit janë munduar që ngjarjet e këtilla t’i fshehin dhe t’i mbulojnë padrejtësitë e tyre. Çështja e mbylljes së dyerve të mesxhidit nuk përfundon me kaq. Ndoshta do të mund të shkruanim një libër të veçantë për këtë sepse, ka pasur të tillë që e kanë ‘kthyer mbrapa’ Ebu Bekrin për të treguar se ai ishte aty edhe mbas mbylljes së dyerve. Në mesin e tyre, fatkeqësisht, është edhe autori i Sahih-ut, Buhariu.

 

Por, ekspertët e historisë na kanë vërtetuar se kemi të bëjmë me një falsifikim e shtrembërim. Ka rrëfime sahih që na tregojnë se axha i të Dërguarit (s.a.v.), Hz Hamza, ishte ende në jetë gjatë kohës së mbylljes së dyerve të mesxhidit. Hz Hamza kishte rënë dëshmor në luftën e Uhudit dhe prej kësaj po rrjedh që ngjarja e mbylljes së dyerve të mesxhidit kishte ngjarë para luftës së Uhudit. Nuk ka asnjë dëshmi historike që na tregon se i Dërguari (s.a.v.) i ka hapur ato dyer që kanë të mbyllura më herët. Por, për të mos mbetur jashtë Ebu Bekri dhe për të mos ia ulur vlerën e tij përpara Hz Aliut, ata kanë shkruar nëpër libra fjalë të cilët nuk i ka folur i Dërguari (s.a.v.). Allahu na mbrojt prej shpifjeve dhe nxitjeve të tilla.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 101

“Thuaj: Vështroni me vëmendje çka ka në qiej e në tokë. Po argumentet dhe qortimet nuk bëjnë dobi ndaj një populli që nuk beson”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Argumentet që përmenden në ajet janë Imamët e Ehli Bejt ndërsa, qortimet janë të dërguarit”.

 

Me mirësinë dhe mëshirën e Allahut këtu përfundon sureja Junus.