Sureja Isra
Tevili dhe tefsiri i ajetit 9
“Është e vërtetë se ky Kuran udhëzon për atë rrugë që është më e drejtë”
Imam Ali Zejnel Abidini ka thënë:
“Padyshim që është i pagabueshëm (masum) Imami që është prej neve. Kjo pagabueshmëri nuk është një veti që mund të shihet e njihet nga ana e krijesave haptas. Përkundër kësaj, Imami është zgjedhur haptas!”. Njëri prej të pranishmëve tha: ‘O djali i Resulullahut!
Çka do të thotë masum?’.
Imami u përgjigj: ‘Masum do të thotë lidhja e vetë imamit me litarin e Allahut. Litari i Allahut, Kurani, dhe Imami nuk do të ndahen kurrë njëri prej tjetrit deri në ditën e Kiametit. Imami tregon rrugën që të qon te Kurani dhe Kurani tregon rrugën që të qon te Imami. Për këtë, Allahu ka thënë: “Është e vërtetë se ky Kuran udhëzon për atë rrugë që është më e drejtë”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Me fjalën udhëzon për atë rrugë që është më e drejtë nënkuptohet udhëzon te Imami”.
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Kurani të udhëzon te rruga më e drejtë dhe ajo është velajeti i Aliut”.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 41
“Ne sqaruam në mënyrë të ndryshme këtë Kuran, ashtu që ata të nxjerrin përvojë, por kjo nuk u shtoi atyre tjetër vetëm se neverinë”.
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Kuptimi i ajetit është ky: Sqarimi dhe përmendja që na jep Kurani është Aliu! Përmendja e Aliut nuk u shtoi atyre (mynafikëve) tjetër vetëm se neverinë”.
Në një vend tjetër, Imami ka thënë:
“Allahu i Madhëruar e ka përmendur Aliun (a.s) nëpër ajete. Te ata që nuk e pranuan velajetin e Aliut nuk u shtua asgjë tjetër veçse neveria!”.
Shpjegim:
Mynafikët, që në pamje të jashtme e pranuan pejgamberllëkun e të Dërguarit (s.a.v.), mbas ndërrimit jetë të tij e mohuan haptas dhe fshehtas velajetin e Imam Aliut, të cilën e kishte lënë amanet i Dërguari (s.a.v.). Sepse, velajeti i Imam Aliut gjithmonë kishte krijuar neveri në zemrat e tyre. Për këtë arsye, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë se Aliun mund ta duan vetëm besimtarët dhe se mund ta urrejnë vetëm mynafikët.
Por, velajeti i Imam Aliut është shkaku i vetëm i shpëtimit të ymmetit. Si qartësim të kësaj, mjafton që të përmendim vetëm këtë hadith të të Dërguarit (s.a.v.): “Asnjëri nuk do të mund të kalojë urën e Siratit nëse Aliu nuk i jep leje për të kaluar!” Pra, mos harroni që këtë leje do të jep vetëm velajeti Imamit!
Tevili dhe tefsiri i ajetit 60
“E ëndrrën tënde që ta treguam e kemi bërë vetëm sprovë për njerëz. Edhe pemën e mallkuar të përmendur në Kuran. Ne i frikësojmë ata, por kjo nuk u shton atyre tjetër vetëm se lazdrimin e rebelimin e tyre”.
Duke u bazuar në rrëfime të shquara, i Dërguari (s.a.v.) kishte parë në ëndërr një majmun të ketë hipur në mimberin e tij dhe një majmun tjetër të ketë zbritur prej mimberit. Një gjë e tillë e kishte pikëlluar aq shumë të Dërguarin (a.s) sa që mbas kësaj nuk e kanë parë më atë duke qeshur. Sepse, në mimber nuk i kishte parë Imamët e Ehli Bejtit por ata që e kanë fituar mallkimin e Allahut, në formën e majmunëve. Allahu i Madhëruar ka thënë se do t’i shndërrojë në majmun e derra ata persona që nuk i do dhe që i ka mallkuar.
Dhe, personat e mallkuar ia ka treguar të Dërguarit (s.a.v.) në ëndrrën e tij në formën e majmunëve. Athua kush ishin këta persona? Sipas rrëfimeve të shquara, ata ishin Emevitët. Pjesa e ajetit të lartpërmendur na e konfirmon se këta do të dalin prej mesit të myslimanëve dhe se ëndrra e tij është një sprovë për myslimanët, ku Allahu po i frikëson ata që të mos ndërmarrin një gjë të tillë.
Këtu kemi të bëjmë me një kërcënim të hapur se nëse ndonjëri tjetër, përveç imamëve të Ehli Bejtit, do të hip në mimber mbas të Dërguarit (s.a.v.), ai do të shndërrohet në majmun. Përkundër kësaj qartësie, ky frikësim nuk u as shtoi atyre mynafikëve asgjë tjetër veçse lazdrimin e rebelimin. Se kjo do të ndodhë kështu, na e ka bërë të ditur edhe Imam Ali Zejnel Abidini në mënyrë të hapur.
Atë e kishin pyetur: ‘O djali i vajzës së Resulullahut! Si keni gdhirë sot?’. Imami ishte përgjigjur: ‘Betohem në Allah se kam gdhirë sikur Beni Israili në kohën e familjes së Faraonit. Fëmijët e tyre vriten, gratë e tyre janë bërë të lejuara, më i mbari i njerëzve mbas të Dërguarit (Imam Aliu) mallkohet nëpër mimberë dhe i merren të gjitha të drejtat e atyre që na duan!’.
Po, historinë e kemi në dorë. Kur erdhën në pushtet Emevitët, në krye me Muavijen, të drejtat e Ehli Bejtit janë marrë, djemtë e tyre janë prerë, janë larguar prej qyteteve ata që i kanë dashur ata dhe nuk ka pasur siguri për mallrat e jetët e tyre. Dhe, çka është më e keqja, më i dashuri i të Dërguarit (s.a.v.), vëllai, veziri, i besueshmi i tij, më i mbari prej njerëzve mbas pejgamberit, Imam Aliu, është mallkuar prej mimberëve të xhamive, sipas urdhrit të Muavijes. Disa dijetar synnit nuk dëshirojnë që t’ia përshkruajnë Muavijes as me më të voglin mëkat. Mbas Ebu Sufjanit, djali i tij Muavija ishte personi që ia kishte shkaktuar Islamit goditjen më të madhe nga ana e brendshme.
Pejgamberi ka thënë qartë: “Ai që lufton kundër Aliut, ai ka luftuar kundër meje!”
Përkundër kësaj, kundërshtimi i të mallkuarit me emrin Muavije nuk qenka prej nderit të myslimanit!
Pejgamberi (s.a.v.) ka thënë: “Ai që e ka sharrë Aliun, më ka sharë mua”.
Personalisht Muavija kishte dhënë urdhër që të bëhet sharja e Imam Aliut nëpër të gjitha xhamitë e myslimanëve. Mallkimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi të gjithë ata që mendojnë sikur ai. Ata që janë duke e mbrojtur Muavijen, padyshim që do të japim llogarinë bashkë me të.
Shikoni se çka është duke thënë Ibn Kethiri, avokati i Muavijes:
“Muavija është një perde për sahabet e tjerë. Nëse bie ajo perde, të gjitha sahabet tjerë do të abuzohen!”. Pikëpamja e Ibn Kethirit është njëra prej pikëpamjeve më të vështira që mund të kuptohen sot. Nuk kemi të bëjmë me çështjen e të vërtetës dhe të pavërtetës, por me çështjen e kompromisit. Athua nuk po na vërteton Ibn Kethiri se edhe ata që ishin para Muavijes ishin të tillë? Po, Ibn Kethiri na ka treguar me fjalët e tij se edhe sahabet e dashur të mëparshëm ishin sikur Muavija!
Edhe një herë, Ibn Kethiri na ka treguar me fjalët e tij se edhe sahabet e dashur të mëparshëm ishin sikur Muavija! Nuk kemi nevojë që rastësisht të kuptojmë një të vërtetë prej fjalëve të Ibn Kethirit. Historiani i shquar Mesudi në librin “Muruxh uz Zeheb” e ka përmendur letrën e Muhamedit, djalit të Ebu Bekrit, që ia kishte dërguar Muavijes. Në atë letër, Muhamed ibn Ebu Bekri kishte këshilluar Muavijen që të hyjë nën urdhrin e Imam Aliut dhe që mos rebelohet kundër tij. Është shumë interesante përgjigja e Muavijes që ia kishte kthyer Muhamedit:
“...Edhe në kohën kur ishte në mesin tonë babai yt (Ebu Bekri), ne e dinim virtytin dhe hakun e tij të lënë me amanet. Resulullahu (s.a.v.) e kishte përfunduar detyrën e tij dhe mbasi që u largua prej kësaj bote, me thirrjen e Allahut, të parët që ia morën hakun prej dorës së tij ishin Ebu Bekri dhe faruku i tij (Ymeri), dhe e kundërshtuan hakun e tij (Aliut) të imametit. Edhe ne jemi duke e ndjekur marrëveshjen e tyre dhe jemi duke e vazhduar rrugën e tyre...
Babai yt ishte i pari që ia kishte vënë syrin hakut të Aliut dhe që ia uzurpoi pozitën e tij. Në këtë çështje ne jemi vetëm ortakët e babait tënd. Sikur të mos e kishte bërë babai yt, ne sot nuk do ta kundërshtonim hakun e Aliut dhe do ta dorëzonim hakun urdhrit të tij. Por, ne kemi parë më herët se babai yt e kishte uzurpuar hakun e Aliut dhe ne vetëm e kemi përsëritur të njëjtën. Nëse dëshiron të na turpërosh, atëherë turpëroje së pari babanë tënd ose hiq dorë nga kjo”.
(Mesudi, “Muruxh-uz Zeheb”, vëllimi 3, faqe 16, botimi i Bejrutit)
Ibn Kethiri me të drejtë e pranon Muavijen si perde të mëparshmëve. Sigurisht që këtë nuk e ka thënë rastësisht. Vetëm me veprimet e mëparshmëve mund të paraqiteshin në skenë Emevitët zullumqar dhe të padrejtë. Djemtë e Ehli Bejtit janë prerë, gratë e tyre janë bërë të lejuara dhe u dëbuan prej atdheut të tyre. Shkaku i vërtetë i të gjitha këtyre ishin paraprijësit e Muavijes. Ankesën ia drejtojmë Allahut dhe pejgamberit të Tij.
La havla vela kuvvete illa billahil Alijjul Adhim.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 64
“...përzieju me ta në pasuri dhe në fëmijë...”
Këtu Allahu i drejtohet shejtanit.
Një ditë, Resulullahu (s.a.v.) ishte ulur bashkë me Imam Aliun dhe e panë se si një gjarpër kaloi afër tyre. Imam Aliu deshi që ta godas me shtagën e tij atë por Resulullahu (s.a.v.) i tha:
“Mos u ngut o Ali. Ky gjarpër është Iblisi. Unë ia kam dhënë atij një kusht: Ti do të bëhesh ortaku i nënës së atij që e urren Aliun. Fjala e Allahut të Madhëruar është kjo: “...përzieju me ta në pasuri dhe në fëmijë...”
Shpjegim:
Ortakëria e Iblisit do të thotë se Iblisi bëhet ortaku i spermës së mashkullit gjatë kryerjes së marrëdhënies seksuale me gruan e tij. Fëmija që do të lind, në realitet, do të jetë bartësi i gjurmës së Iblisit. Kjo vlen vetëm për fëmijët e atyre që e urrejnë Imam Aliun. Zaten, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë:
“Ai që nuk e do Aliun, ai është djali që ka lindur prej prostitucionit”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 71
“Atë ditë do t’i thërrasim njerëzit me imamët e tyre”
Kur zbriti ky ajet, myslimanët e pyetën të Dërguarin (s.a.v.):
“Ja Resulullah! A nuk je ti Imami i të gjithë njerëzve?”
Pejgamberi (s.a.v.) tha: “Unë jam një pejgamber i dërguar për të gjithë njerëzit nga ana e Allahut. Por, mbas meje do të vijnë Imamët që do të jenë udhëheqësit e njerëzve. Kjo do të ndodhë me siguri. Por, Imamët do t’i përgënjeshtrojnë jobesimtarët dhe të devijuarit bashkë me ithtarët e tyre; ata do t’i bëjnë padrejtësi Imamëve! Çdokush që i do Imamët e Ehli Bejtit, që i mbështet dhe që i ndihmon ata, do të jetë prej meje dhe do të jetë bashkë me mua! Çdokush që i përgënjeshtron ata dhe i bën padrejtësi atyre, nuk është prej meje dhe unë do të jem larg prej tij!”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Allahu i Madhëruar do ta thërras këtë ymmet me Imamin e tyre i cili ka qenë udhëheqësi i tyre brenda periudhës së caktuar kohore (asr). Resulullahu (s.a.v.) do të vijë me njerëzit e asrit të tij; Aliu (a.s) me njerëzit e asrit të tij; Hasani me njerëzit e asrit të tij dhe çdo Imam do të vijë me njerëzit që kanë ndërruar jetë në asrin e tyre!”.
Në një vend tjetër, Imami ka thënë:
“Në ditën e Kiametit do të dëgjohet zëri i një thirrësi: ‘A nuk ju ka njoftuar juve drejtësia e Zotit tuaj se çdokush do të vijë në këtë botë me Imamin e tij që ka qenë Imami i tij në dynja?’ Të pranishmit do të përgjigjen: ‘Po, na ka njoftuar’. Atëherë, do të dëgjohet zëri: ‘Çdo grup le të vijë me Imamin e tij!’ Pastaj, do të vijnë Imamët një nga një. Do të thuhet: ‘Le të vijë Ebu Bekri me shiitët e tij! Ymeri le të vijë me shiitët e tij! Osmani le të vijë me shiitët e tij! Aliu le të vijë me shiitët e tij!’
Sipas informatave që na vijnë nga hadithet autentike, Imam Aliu dhe shiitët e tij do të jenë prej të shpëtuarve. Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Aliu dhe shiitët e tij janë prej shpëtuarve!’ Nuk mund të hasim në ndonjë hadith tjetër ku përmenden shiitët tjerë përveç shiitëve të Imam Aliut. Rruga e shpëtimit do të realizohet vetëm me pasimin e velajetit të Imamëve të Ehli Bejtit dhe kjo është vërtetuar me hadithin e saktë të Pejgamberit (s.a.v.) tonë, ku thotë: “Kalifët (imamët) mbas meje janë dymbëdhjetë dhe të gjithë janë prej Kurejshëve!’ Pra, janë prej Beni Hashimit! Këto tipare i posedojnë vetëm Imamët e Ehli Bejtit dhe asnjë imam tjetër.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 73
“Në të vërtetë ata u munduan që të ndajnë nga ajo që kemi shpallur ty dhe të nxisin që të trillosh diçka tjetër nga ajo çka të shpallëm. Atëherë do të zinin ty mik”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Kuptimi i ajetit është ky: Ata u munduan që të ndajnë nga ajo që kemi shpallur në lidhje me velajetin i Aliut dhe të nxisin që të trillosh diçka tjetër nga ajo çka të shpallëm. Atëherë do të zinin ty mik”.
Në një vend tjetër, Imami ka thënë:
“Disa sahabe u munduan që ta ndajnë Resulullahun (s.a.v.) nga ato fjalë që kishte folur në lidhje me pozitën e virtytshme të Imam Aliut dhe që të ndikojnë te ai. Madje, edhe disa prej grave të të Dërguarit (s.a.v.) ishin munduar që të ndikojnë te ai në lidhje me këtë”.
Ju mund të pyeteni se si mund të paraqitet kjo gjendje te sahabet apo te gratë e të Dërguarit (s.a.v.). Së pari, dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se i Dërguari (s.a.v.) dhe Ehli Bejti i tij ishin të mbrojtur prej të gjitha nxitjeve dhe lojërave të tyre.
Dëshirojmë që të paraqesim vetëdijes së lirë të lexuesve një hadith sahih se në mesin e sahabeve kishte edhe të tillë që nuk e donin Imam Aliun si dhe që ushqenin armiqësi të fshehtë ndaj tij:
“I Dërguari (s.a.v.) kishte dërguar në Jemen ushtrinë e myslimanëve. Ai ua kishte bërë me dije të gjithë sahabeve që ishin përfshirë në ushtri se gjatë luftës komandanti juaj do të jetë Imam Aliu. Ushtria kishte luftuar në Jemen dhe Imam Aliu kishte ndarë prej luftës një pjesë edhe për vete por njëri prej sahabeve, Halid bin Velidi, nuk e kishte pëlqyer këtë dhe i tha njërit prej sahabeve të shquar, Burejdes, që të shkojë te i Dërguari (s.a.v.) në Medine për t’u ankuar në lidhje me këtë.
Kur Burejde mbërri në Medine, një grup i sahabeve ishin mbledhur përpara xhamisë dhe kur e panë atë e pyetën se pse kishte nxituar që të vijë më herët sesa ushtria. Burejde ua tregoi atyre rastin dhe u tha se kishte ardhur që të ankohet te i Dërguari (s.a.v.). Kur e dëgjuan këtë sahabet, thanë: ‘Shko dhe tregoji Resulullahut këto dhe ndoshta i del Aliu nga syri i tij’.
Resulullahu (s.a.v.) ndodhej brenda xhamisë dhe i kishte dëgjuar fjalët e tyre. Ai doli jashtë, u afrua te ky grup i sahabeve dhe tha: ‘Çfarë dëshironi ju nga Aliu? Aliu është prej meje dhe unë jam prej tij! Aliu është urdhëruesi i juaj mbas meje!’. Burejde u pendua kur i dëgjoi këto fjalë dhe tha: ‘O Resulullah! Zgjate dorën që ta ripërtërijë bejatin tim për Islamin’.
Pra, Burejde e kishte kuptuar se sa i madh ishte gabimi i tij dhe për ta kompensuar këtë, ai kërkoi që të betohet edhe një herë mbi Islamin. Kjo është edhe veprimi i duhur. Ai që dyshon në lidhje me Imam Aliun, ai ka dyshuar në lidhje me Islamin. Vërtetësinë e këtij hadithi e kemi paraqitur edhe më herët. Ky hadith është përmendur edhe në shumë libra të dijetarëve synnit.
Në lidhje me këtë ngjarje janë përmendur edhe shumë hadithë tjerë. Afërsia e të Dërguarit (s.a.v.) ndaj Imam Aliut gjithmonë i ka bërë të parehatshëm disa prej sahabeve. Sipas burimeve të Imamëve të Ehli Bejtit, Ymer bin Hattabi e kishte vërejtur se interesimi i të Dërguarit (s.a.v.) kundrejt Imam Aliut ishte aq i madh sa që kishte thënë: ‘Ja Resulullah! Aq shumë po e lartëson Aliun sa që ka mbetur të na thuash edhe këtë fjalë: Ky është Zoti juaj!’
Vëllezërit tanë synnit e kanë regjistruar këtë rrëfim në librat e tyre:
“Nëna jonë Ajsha, i kishte thënë Pejgamberit (s.a.v.) me zë të lartë: ‘Aliun e do më shumë se babanë tim (Ebu Bekrin) dhe Fatimen e do më shumë se unë”.
Këtë e kishte nga xhelozia dhe kjo është e qartë. Sipas rrëfimeve të historianëve Taberit dhe Ibn ul Esirit, kur nëna jonë Ajsha e kishte marrë lajmin e dhënies së bejatit ndaj Imam Aliut, ajo kishte thënë: “Sikur qielli të kishte rënë në tokë dhe të mos e kisha dëgjuar këtë lajm”. Aq më tepër, Ebu-l Ferexh el-Isbahani në librin e tij “Makatil-ul Talibijjun” ka transmetuar një lajm të tillë: “Kur e morri lajmin e vdekjes së Imam Aliut, nëna e jonë Ajsha e bëri sexhden e falënderimit”.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 79
“Është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm”.
Resulullahu (s.a.v.) shikoi drejt Aliut dhe e lexoi këtë ajet në këtë mënyrë:
“O Ali! Allahu i Madhëruar e lejoi këtë ndërmjetësim për pjesëtarët e ymmetit që i besojnë njëshmërisë së Zotit ndërsa ua ndaloi atyre që do të vijnë mbas teje dhe që do ta uzurpojnë hakun e Imamëve!”.
Në një rrëfim tjetër është përcjellë se Resulullahu (s.a.v.) do të qëndrojë mbi Makam-i mahmur (Pozita e lavdit) dhe nga aty do t’i kalojë shiitët e Ehli Bejtit në Xhenet pa e dhënë llogarinë, dhe se vetëm ata do të mund të kalojnë.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 80
“Dhe thuaj: Zoti im, më vendos në një vend të drejtësisë. Dhe, më nxjerr nga vendi i drejtësisë. Dhe, më dhuro nga Ti një fuqi ndihmuese”
Abdullah bin Abbasi ka thënë:
“Fuqia ndihmuese e Allahut që ia ka dhënë mbështetje Resulullahut (s.a.v.) ishte Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu (a.s.).
Tevili dhe tefsiri i ajetit 81
“Dhe thuaj: Erdhi e vërteta e u zhduk e pavërteta”. Vërtet, e pavërteta gjithnjë ka qenë e zhdukur”.
Resulullahu (s.a.v.) e kishte hipur Imam Aliun mbi supet e tij që të mund t’i thyejë idhujt mbi Qabe. Kur Imam Aliu filloi që t’i thyejë idhujt e t’i gjuajë në tokë, Resulullahu (s.a.v.) tha: “Dhe thuaj: Erdhi e vërteta e u zhduk e pavërteta”. Vërtet, e pavërteta gjithnjë ka qenë e zhdukur”.
Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Aliu është me të vërtetën dhe e vërteta është bashkë me Aliun. Ata nuk ndahen njëri prej tjetrit.
Tevili dhe tefsiri i ajetit 85
“Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: ‘Shpirti është prej urdhrit të Allahut”
Imam Aliu ka thënë:
“Unë jam shpirti dhe urdhri i Allahut. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: ‘Shpirti është prej urdhrit të Allahut”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 89
“Ne i sqaruam njerëzve në këtë Kuran shembuj të llojllojshëm. Por, shumica e njerëzve u bënë prej atyre që nuk falënderonin”
Imam Muhammed el-Bakiri ka thënë:
“Shumica e njerëzve u bënë prej atyre që nuk falënderuan për velajetin e Aliut (a.s)”
Shpjegim: Ymmeti u bë jofalenderues në lidhje me velajetin dhe imametin e Imam Aliut. Allahu i Madhëruar ka dhënë shumë shembuj në lidhje me velajetin e Imam Aliut, por prapëseprapë ymmeti nuk u bë prej atyre që falënderojnë. Këtë jofalënderim mund ta kuptojmë prej dhunës që kanë ushtruar mbi Ehli Bejtin menjëherë mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.).
Me ndihmën e Allahut, këtu po e përfundojmë suren isra. Falënderimi qoftë për Allahun dhe paqja e mëshira qoftë mbi të Dërguarin tonë dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.