Sureja Tegabun
Tevili dhe tefsiri i ajetit 6
“Atyre u vinin të dërguarit e vet me argumente të qarta”
Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu ka thënë:
“Argumentet janë Imamët e Ehli Bejtit”
Tevili dhe tefsiri i ajetit 8
“Atëherë pra, pranojeni Allahun, të dërguarin e Tij dhe dritën që e zbritëm Ne. Allahu është i njohur për atë që veproni”
Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:
“Betohem në Allah se drita që Allahu i Madhëruar e ka zbritur është drita e Imamëve të Ehli Bejtit. Betohem në Allah se ata janë drita e Allahut mbi sipërfaqen e tokës dhe në qiell. Drita që Imami ia vendos në zemrën e një besimtari është më e fortë sesa drita e diellit gjatë ditës! Betohem në Allah se zemrat e besimtarëve ndriçohen përmes dritës së Imamëve të Ehli Bejtit dhe Allahu ia ndalon atë dritë atij që do prej robërve të Tij dhe e lë në errësirë. Betohem në Allah se pa qenë e pastër zemra e një besimtari kurrë nuk do të na dashurojë neve dhe nuk do të tregojë bindje ndaj neve.
Pa e pranuar urdhrin tonë një rob, kurrë nuk do të bëhet prej të shpëtuarve dhe Allahu kurrë nuk do t’ia pastrojë zemrën e tij. Nëse një rob nënshtrohet ndaj neve, Allahu do ta shpëtojë atë prej frikës së ditës së llogaridhënies dhe në atë ditë do të jetë prej të mbrojturve!"
Tevili dhe tefsiri i ajetit 12
“Pra, respektojeni Allahun dhe respektojeni të dërguarin, po nëse nuk respektoni, atëherë detyra e të dërguarit tonë është vetëm kumtimi i qartë”
Imam Xhafer Sadiku ka thënë:
“Betohem në Allah, se para se të largohet nga kjo botë, i Dërguari (s.a.v) ka lënë amanet të gjithë shiitëve, prej të parit deri te i fundit dhe deri sa të paraqitet Mehdiu, që të mbahen për velajetin tonë dhe të kërkojnë mbrojtje nën të. Allahu i Madhëruar e vë në rrugë të drejtë atë që do!”
I Dërguari (s.a.v) e ka plotësuar detyrën e kumtimit deri në fundin e jetës së tij dhe ymmetit ia ka bërë me dije për pozitën e Ehli Bejtit. I Dërguari (s.a.v) vetëm na ka kumtuar dhe neve, gjegjësisht ymmetit, na takon nënshtrimi.
Këtu përfundon sureja Tegabun. Falënderimi qoftë mbi Allahun që na ka mundësuar këtë. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.