Sureja Kehf

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 17

“Atë që e udhëzon Allahu, ai vërtet është udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte”

 

 

Një ditë, Resulullahu (s.a.v.) ishte duke qëndruar në këmbë dhe sahabet ishin ulur përreth tij. Duke qenë në këtë pozitë, Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu ishte duke ardhur drejt tij. Kur e vërejti këtë, i Dërguari (s.a.v.) u ulë dhe i tha Imam Aliut:

‘O djali i Ebu Talibit! A e di se pse jam ulur?’. Imam Aliu iu përgjigj: ‘Jo, nuk e di, për Allahun’.

Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Unë kam ardhur si pejgamberi i fundit dhe ti ke ardhur si i besueshmi i fundit. Kudo që Allahu ka bërë Musën (a.s) që të presë, afër tij ka pritur edhe i besueshmi e tij, Jusha bin Nunin. Edhe unë, kudo që të pres, edhe ti do të jesh bashkë me mua; kur do të më pyesin mua, edhe ti do të pyetesh.

O djali i Talibit! Përgatite veten për të dhënë përgjigje! Ti je një pjesë e trupit tim, kudo që të shkojë edhe ti do të jesh aty!’.

Imam Aliu tha: ‘O Resulullah! Çka do të pyesin ty? Më trego që të udhëzohem!’

Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘O Ali! Atë që e udhëzon Allahu, ai vërtet është udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte. Allahu e ka marrë premtimin tim, tëndin, të atyre që të duan ty dhe të shiitëve deri në ditën e Kiametit se ndërmjetësimi (shefaati) im do të jetë mbi për ju! Këtë mund të kuptojnë vetëm ata që kanë mend në krye, vetëm ata mund të nxjerrin mësim nga kjo. Dhe, të tillët jeni ti dhe shiitët tuaj”. 

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 29

“Thuaj: E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Padyshim që, ne kemi përgatitur zjarr për zullumqarët, që flakët e tij i rrethojnë ata”.

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“Thuaj e vërteta (në lidhje me velajetin e Aliut) është nga Zoti juaj. Padyshim që ne kemi përgatitur zjarr për zullumqarët (që e kanë uzurpuar hakun e Muhamedit dhe të Ehli Bejtit të tij), që flakët e tij i rrethojnë ata”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 37

“A e mohove Atë që të krijoi ty nga dheu, pastaj nga një pikë uji, pastaj të bëri në formën e njeriut?”

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Sipas urdhrit të Ebu Bekrit, Imam Aliu është nxjerrë me dhunë nga shtëpia, për t’ia dhënë betimin Ebu Bekrit. Ai bashkë me Ebu Bekrin shkuan te varri i të Dërguarit (s.a.v.) dhe aty Imam Aliu tha: ‘O djali i axhës! Ky grup dëshiron të më dobësojë dhe të më vras’. A

tëherë, një dorë doli nga varri dhe asnjëri nuk dyshonte se kjo dorë ishte i të Dërguarit (s.a.v.). Dora u zgjat në drejtimin e Ebu Bekrit dhe askush nuk dyshoi që zëri që u dëgjua nga varri ishte zëri i të Dërguarit (s.a.v.), i cili i tha Ebu Bekrit: ‘O Njeri! A e mohove Atë që të krijoi ty nga dheu, pastaj nga një pikë uji, pastaj të bëri në formën e njeriut?”

 

Në një rrëfim tjetër thuhet:

“Ebu Bekri e kishte shpallë kalifatin e tij dhe Ymeri shkoi në shtëpinë e Aliut, dhe tha: “A nuk e di se Ebu Bekri është bërë kalif”.

Imam Aliu tha: “Kush e bëri atë kalif?”

Ymeri tha: “Myslimanët janë pajtuar që ai të bëhet kalif”.

Imam Aliu tha: “Betohem në Allah se keni nxituar shumë për ta kundërshtuar Resulullahun (s.a.v.) dhe e keni prishur premtimin që ia keni dhënë atij. Ebu Bekrit ia keni dhënë një titull që ai nuk e meriton atë. Betohem në Allah se Resulullahu (s.a.v.) nuk e kishte lënë amanet atë si kalif”.

Ymeri tha: “Po gënjen, zaten Allahu ka vepruar me ty ashtu si ka dashur Ai”.

Imam Aliu tha: “Nëse do argument, mund të tregoj një”.

Ymeri tha: “Ti ke gënjyer në lidhje me të Dërguarin (s.a.v.) edhe gjatë kohës sa ishte në jetë ai, edhe tani”. Imam Aliu tha: “Eja me mua dhe të shohim se kush ka gënjyer në lidhje me të Dërguarin (s.a.v.) gjatë kohës kur ishte në jetë dhe mbas ndërrimit jetë të tij!”.

Ymeri bashkë me Imam Aliun shkuan te varri i Resulullahut (s.a.v.) dhe nga varri doli një dorë.

Në anën e brendshme të dorës shkruante: O Ymer! A e mohove Atë që të krijoi ty nga dheu, pastaj nga një pikë uji, pastaj të bëri në formën e njeriut?”.

Imam Aliu i tha Ymerit: “A je i kënaqur me këtë? Resulullahu të ka poshtëruar ty gjatë kohës sa ishte në jetë dhe mbas ndërrimit jetë të tij”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 44

“Në atë vend, velajeti është vetëm i Allahut të vërtetë”.

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: 

“Velajeti që përmendet në ajet është velajeti i Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut (a.s)”. 

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 46

“Kurse veprat e mira, që do të mbesin të përhershme si sevap dhe si vepër, janë më të mbara për Allahun”

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Mos e merrni për të lehtë dashurinë ndaj neve. Dashuria ndaj neve është prej veprave që do të mbeten përherë”.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 88

“Sa i përket atij që besoi dhe bëri vepra të mira, si shpërblim atij i takojnë gjërat e bukura”.

 

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Më erdhi Xhebraili (a.s) nga ana e Allahut të Madhëruar dhe më tha: “Zoti yt të dërgon selam dhe të thotë: O Muhamed! Përgëzoji ata besimtar që i kryejnë vepra të mira, që të besojnë ty dhe Ehli Bejtit tënd. Xheneti është për ata! Si shpërblim për ata do të jetë gjërat e bukura!”

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 105

“Të tillët janë ata që nuk besuan argumentet (ajetet) e Zotit të tyre dhe takimin me Të. Andaj, veprat e tyre shkuan huq”.

 

 

Në tefsirin e Ali bin Ibrahimit shkruan:

“Ajetet e Zotit janë Imamët e Ehli Bejtit!”

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 107

“S'ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, vendqëndrimet e tyre janë xhenetet e Firdevsit”

 

 

Imam Aliu ka thënë:

“Çdo gjë e ka majën e vet. Maja e xhenetit është Xheneti i Firdevsit. Ai vend i takon Muhamedit dhe Ehli Bejtit të tij (salavatullahi alejhum exhme’in)!”

 

Këtu po e përfundojmë suren Kehf. Falënderimet e pafundme qofshin për Allahun. Përshëndetja dhe paqja e Tij qoftë mbi të dërguarin, Muhamedin (s.a.v.), dhe Ehli Bejtin e tij të pastër. Inshalla edhe neve na i bashkon me ata në Xhenet. Amin!