Sureja Buruxh 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 1

“Pasha qiellin me plot yje dhe yjësi”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Përmendja e Allahut është ibadet, përmendja ime është ibadet dhe përmendja e Imamëve që vijnë prej pasardhësve të Aliut është ibadet! Betohem me hakun e asaj që më ka zgjedhur si më të mbarin e njerëzve dhe për atë që më ka dërguar si pejgamber se i besueshmi im (Aliu) është më i mbari prej të gjithë të besueshmëve. Ai është dëshmia mbi robërit e Allahut dhe ai është kalifi i krijesave të Tij. Imamët që vijnë prej pasardhësve të Aliut janë Imamët që udhëzojnë për në rrugën e drejtë mbas meje. Përmes tyre Allahu i largon dënimet e njerëzve mbi sipërfaqen e tokës. Përmes tyre siguron që qiejt të mos bien mbi sipërfaqen e tokës.

Përmes tyre i mban malet që të mos rrëzohen mbi njerëzit. Përmes tyre i jep ujë krijesave. Përmes tyre gjelbëron botën bimore. Ata janë të afërmit e vërtetë të  Allahut. Ata janë kalifët e sinqertë të Allahut. Numri i tyre është sa numri i muajve, që numri i muajve është dymbëdhjetë. Numri i tyre është sa numri i përfaqësuesve të Musës (a.s). Pasha qiellin me plot yje e yjësi...”. Pastaj, iu drejtua Abdullah bin Abbasit: “O Djali i Abbasit! Allahu i Madhëruar betohet me yje dhe yjësi. A i di ti vlerat e tyre?” Abdullahu u përgjigj: “O Resulullah! A mund të më tregosh këtë?” Resulullahu (s.a.v.) vazhdoi: “Unë jam qielli! Yjësitë janë Imamët që do të vijnë mbas meje, që i pari prej tyre është Aliu dhe i fundit është Mehdiu”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 3

“Pasha dëshmitarin dhe atë që shihet!”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Dëshmitari është pejgamberi ynë. Ai që shihet është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu”

 

Këtu përfundon sureja Buruxh. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.