Sureja Ibrahim

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 24-25

“A nuk ke parë se çfarë shembulli ka dhënë: Një fjalë e mirë është si pema e mirë, që rrënjët i ka të sigurt e degët e saj janë lart në qiell. E që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frytin e vet në çdo kohë. Allahu ua parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë”

 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Resulullahu (s.a.v.) është rrënja e kësaj peme. Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, është trungu i saj dhe Imamët e Ehli Bejtit janë degët e saj. Dituria e Imamëve është fryti i kësaj peme  dhe shiitët janë fletët e saj. Betohem në Allah se sapo të lind ndonjë shiitë, një fletë do të shtohet në këtë pemë dhe kur të vdes ndonjëri prej tyre, një fletë e kësaj peme do të bie. Dhënia e fryteve të kësaj peme nga ana e shiitëve varet prej mësimeve të Imamëve për të lejuarën apo të ndaluarën.

E kundërta e kësaj, armiqtë e Ehli Bejtit përshkruhen në ajetin e mëposhtëm:

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 26

“Dhe shembulli i fjalës së keqe është si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka rrënjë”.

 

 

Shpjegimi:

“Armiqtë e Ehli Bejt i ngjasojnë pemës së shkulur mbi tokë e që nuk ka rrënjë. Ata nuk kanë asnjë vend të qëndrimit mbi tokë. Ata janë të dënuar që të harrohen e asgjësohen. As varret e armiqve të Ehli Bejtit nuk janë të ditur. Atyre që u dihen, janë ata që të përmendurit e tyre i kanë mbajtur në këmbë në një mënyrë djallëzore. Sigurisht, që do të vijë dita dhe atë ditë gënjeshtarët nuk do të kenë asnjë vend. Sigurisht, që do të jepet publikisht dënimi i atyre që e kanë mbytur nga pikëllimi nënën tonë Fatimen, e cila ka qenë një pjesë e të Dërguarit (s.a.v.).

A janë duke menduar ata se Allahu i Madhëruar i ka harruar ata, mbasi që është duke e shtyrë dënimin e zullumqarëve të mëdhenj? Assesi, assesi, atyre do t’ua jep një dënim të tillë që le të mendojnë për këtë të dashurit e tyre.

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 28-29

“A nuk i vërejte ata që dhuntinë e Allahut e ndërruan me mosbesim dhe që dhuntitë janë duke i quar në një vend ku do të shkatërrohen? Në xhehenem, në të vilën do ta shijojnë djegien, e sa vend i keq është ai”. 

 

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ka thënë:

“A nuk i vërejte ata që dhuntinë e Allahut e ndërruan me mosbesim dhe që dhuntitë janë duke i quar në një vend ku do të shkatërrohen? Ne jemi dhuntitë të cilët u janë dhënë robërve si përgëzim. Në ditën e Kiametit do të shpëtojnë vetëm ata që do të na bashkohen neve!”.

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Ky ajet ka zbritur për Kurejshët që e tregonin armiqësinë e tyre kundrejt Resulullahut (s.a.v.), që e luftonin atë dhe që e mohonin vasietin e të besueshmit të tij (Imam Aliun)”.

 

Kurejshët e kishin zgjedhur rrugën që do t’i qojë ata në shkatërrim dhe nuk e kanë njohur Imametin e Imam Aliut që do t’i udhëzonte ata në rrugën e drejtë. Vasiet është lënë Imam Aliu ndërsa njerëzit janë duke i pasuar të tjerët. Ata e kanë ndërruar dhuntinë e Allahut me gjë të pavlefshme. 

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 35

“Kur Ibrahimi tha: ‘Zoti im! Bëje këtë qytet të sigurt dhe më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve”.  

 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Halil Ibrahimi ishte lutur Zotit në këtë mënyrë: “Zoti im! Bëje këtë qytet të sigurt dhe më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve”.

Lutja e tij u pranua dhe arriti deri te pejgamberi i ynë, Muhamedi (s.a.v.) si nebi dhe Ali bin Ebi Talibi si imam.

Allahu i Madhëruar tha: “O Ibrahim! “Unë po të bëj ty imam të njerëzve”.

Ibrahimi tha: “A do të bësh edhe nga pasardhësit e mijë?”.

Allahu tha: “Premtimin Tim nuk mund ta gëzojnë zullumqarët” (Bekare, 124). Me zullumqarë këtu nënkuptohen ata që ia përshkruajnë ortak Allahut dhe që ua prenë kurban idhujve. Përveç Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut, të gjithë arabët dhe Kurejshët i adhuronin idhujt dhe i kishin prerë kurban atyre para paraqitjes së të Dërguarit (s.a.v.). Imameti nuk i lejohet asnjëherë atij që i ka dhuruar idhujt dhe që ua ka prerë kurban atyre, sepse Allahu i Madhëruar ka thënë: “Premtimin Tim nuk mund ta gëzojnë zullumqarët”. 

 

Sikur që na tregojnë librat e historisë, Ebu Bekri, Ymeri, Osmani dhe të afërmit e tyre, i adhuroni idhujt dhe kishin prerë kurban atyre, para se të bëheshin mysliman. Prej mesit të tyre, Imam Aliu e kishte pranuar Islamin pa i adhuruar idhujt as për një moment të vetëm dhe në një mënyrë të pastër. Për këtë arsye, vetëm emri i tij kur përmendet thuhet: “Keremallahu vexh-hehu” dhe jo edhe për të tjerët. Kuptimi i saj është kjo: “Allahu e fisnikëroftë fytyrën e tij” për shkak të asaj që Imam Aliu nuk i ka adhuruar kurrë idhujt. Prandaj, duhet që të vërejmë një dallim të madh në mes Imam Aliut dhe të tjerëve. Vetëm Imam Aliu është i denjë për Imamet. Të bësh imam njërin që i ka adhuruar idhujt, është prej zullumit më të madh.

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: 

“Unë e kam arritur lutjen e babait tim Ibrahimit! Kjo lutje ka mbërritur te unë dhe te vëllai im Aliu. Asnjëri prej neve nuk i ka adhuruar idhujt. Allahu më zgjodhi si pejgamber dhe vëllanë tim, Aliun, si të besueshmin tim”. 

 

 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 37

“Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë jopjellore, pranë shtëpisë Tënde të shenjtë, që ta falin namazin. O Zoti im! Bëre që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, dhe, për të falënderuar me mirënjohje, furnizoi ata me fruta”. 

 

 

 

Këtë lutje e ka bërë Ibrahimi (a.s). Me fëmijët nënkuptohet Ismaili (a.s) dhe lugina jopjellore është Mekja.

Një ditë, te Resulullahu (s.a.v.) kishte ardhur një delegacion nga Jemeni. Resulullahu (s.a.v.) tha në lidhje me ata:

“Zemrat e këtyre janë të mbushur me mëshirë e iman. Prej mesit të tyre do të shfaqet njëri me emrin Mansur që bashkë me shtatëdhjetë mijë ushtar do të luftojë mbrapa meje dhe të besueshmit tim”. Këtë e dëgjoi njëri nga delegacioni dhe tha: “O Resulullah! Kush është i besueshmi yt?”.

Resulullahu (s.a.v.) tha: “Të besueshmin tim Allahu e ka falur si një argument për ata që i kuptojnë shenjat. Nëse e shikoni atë me syrin e zemrës dhe me syrin a tij që e ka arritur pozitën e martirit, sigurisht do ta njihni atë, njëjtë sikur që më njihni mua si pejgamberin tuaj. Shikoni fytyrat e të gjithë personave që janë prezent këtu. Për fytyrën e të cilit mallëngjehet zemra e juaj, dijeni që ai është i besueshmi im, sepse Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuran:

O Zoti im! Bëre që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, pra mallëngjeji zemrat për të besueshmin dhe pasardhësit e tij!”.

Çdo prijës i fisit që gjendej në delegacion i shikonte fytyrat e sahabeve dhe përshëndeteshin duke ia dhënë dorën. Kur erdhi radha për ta shikuar fytyrën e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut, dhe për t’ia dhënë dorën, ata thanë:

“O Resulullah! Zemrat po na mallëngjehen për këtë person”.

I Dërguari (s.a.v.) tha: “Ju jeni të zgjedhurit e Allahut sepse ju e njohët trashëgimtarin e Resulullahut (s.a.v.) vetëm duka ia parë fytyrën dhe duke u përshëndetur me të. Si e njohët dhe si e keni ndier se ai është trashëgimtari im?”

Ata filluan që të vajtojnë me zë të lartë dhe thanë: “O Resulullah! Kur i shikuam të tjerët që gjendeshin afër teje, zemrat tona nuk ndienin asgjë por kur erdhi radha te trashëgimtari yt, zemrat tona filluan që të dridhen, shpirtrat tona ndjenë lumturi, mushkëritë u rehatuan, sytë na u lagën dhe gjokset na u zgjeruan.

Kjo ishte aq e fortë sa që ne e ndjenin sikur ai ishte bërë si babai ynë ndërsa ne djemtë e tij”.

Resulullahu tha: “Tevilin e kësaj e dinë vetëm Allahu dhe ata që janë thelluar në fe. Për këtë arsye, ju jeni në një pozitë të mirë dhe jeni larguar nga zjarri”.

 

Ky delegacion iu bashkua Urdhëruesit të Besimtarëve, Imam Aliut, në luftërat e Xhemelit dhe të Siffinit dhe të gjithë rranë dëshmor në luftën e Siffinit. Mëshira e Allahut qoftë mbi ata. Pejgamberi i kishte përgëzuar ata me Xhenet dhe Imam Aliu ua kishte dhënë lajmin e martirizimit të tyre.

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Betohem në Allah se ne jemi ata që kanë mbetur prej pasardhësve të Ibrahimit (a.s).

 

Një ditë, Imam Muhamed el-Bakiri ishte duke i shikuar ata që rrotulloheshin rreth Bejtullahut dhe tha: “Në këtë mënyrë rrotulloheshin rreth Bejtullahut në kohën e injorancës. Ata duhet që të rrotullohen rreth Bejtullahut vetëm duka na njohur neve, duke na u bashkuar neve dhe duke kërkuar ndihmë prej neve: O Zoti im! Bëre që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, pra, për familjen e Muhamedit, familjen e Muhamedit, neve, neve!”.

 

Një dijetar me emrin Katade kishte shkuar te Imam Muhamed el-Bakiri dhe Imami i kishte thënë:

“O Katade! Më trego për ajetin e Allahut të Madhëruar “Kishte thënë: ditën dhe natën  lëvizni e shëtitni aty të sigurt”.

Katade tha: “Me këtë po na tregohet se, çdokush që del nga shtëpia e tij, duke u pajisur me ushqim dhe që i ka hipur kafshës së tij me qëllimin e vizitës së Bejtullahut, është i sigurt”.

Imam tha: “O Katade! A nuk ke dëgjuar për ata që kanë dalë nga shtëpia të pajisur me ushqim dhe bashkë me gruan e tij, por gjatë rrugës u është marrë nafaka nga dora e tyre vetëm me një goditje dhe ata janë shkatërruar?”

Katade tha: “Po, kam dëgjuar. Nëse flasim për hir të Allahut, çfarë është gjendja e tyre?”

Imami tha: “Mjerë për ty o Katade! Nëse ti e ke interpretuar Kuranin sipas nefsit tënd, atëherë ti je shkatërruar bashkë me ata që të ndjekin ty. Nëse e keni marrë tefsirin e Kuranit prej rixhallëve (dijetarëve që njihen si interpretues) atëherë ti bashkë me ata që të ndjekin ty jeni shkatërruar. Mjerë për ty o Katade! Çdokush që e njeh hakun tonë dhe zemrat e të cilëve mallëngjehen për neve, nëse del nga shtëpia për ta vizituar shtëpinë e Allahut, ai është i sigurt.

Sepse, Allahu i Madhëruar ka thënë:

O Zoti im! Bëre që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata. Me këtë Allahu nuk ka bërë me dije për Qaben por për neve. Betohem në Allah se ne jemi ata që përmenden te lutja e Ibrahimit (a.s). Do të pranohet vetëm haxhi i atij personi, zemra e të cilit mallëngjehet për neve dhe që shkon për në haxh. Në të kundërtën, haxhi i tij nuk do të pranohet. O Katade! Nëse një person e bën haxhin duke qenë zemra e tij e mallëngjyer për neve, në ditën Kiametit ai do të jetë i sigurt prej zjarrit të Xhehenemit”.

 

Sikur që kemi përmendur edhe më herët, Ibn Kethiri dhe shumë dijetar të tjerë synnit i kanë marrë tefsirët e tyre prej tefsirit të këtij Katades. Mjerë për ata dhe për ata që i vazhdojnë tefsirët e tyre.

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Zemrat që mallëngjehen janë zemrat e shiitëve tanë që ndjejnë dashuri në zemrat e tyre për neve Ehli Bejtin.

 

Me ndihmën e Allahut po e përfundojmë tefsirin dhe tevilin e sures Ibrahim.