Sureja Zelzele
Tevili dhe tefsiri i ajeteve 1-5
“Kur të dridhet toka me dridhjen e saj të fuqishme, dhe të nxjerrë toka barrën që ka në brendinë e saj. Dhe, njeriu të thotë: ‘Çka ka kjo tokë?’ Atë ditë ajo i rrëfen tregimet e veta, ngase Zoti yt e ka urdhëruar atë”
Nëna jonë, Fatimet-uz Zehra, rrëfen:
“Gjatë kohës së kalifatit të Ebu Bekrit, në Medine ishte bërë një dridhje e tokës. Njerëzit ishin frikësuar dhe kishin shkuar te Ebu Bekri dhe Ymeri. Pastaj, të gjitha këta së bashku kishin shkuar te shtëpia e Aliut (a.s). Para se të mbërrinin te shtëpia e Aliut (a.s), ai kishte dalë për t’i pritur ata dhe bashkë me ata kishte shkuar në një vend të lartësuar.
Mbasi që Aliu u ulë në tokë, tha: “A ju frikësoi kjo që e keni parë?
Ata u përgjigjën: “Si të mos frikësohemi kur deri më tani nuk kemi parë një dridhje të tillë!”
Aliu lëvizi buzët e tij dhe mbasi që e goditi tokën me dorë, tha: “Çfarë ke ti? Qetësohu!” Atëherë, toka u qetësua dhe të gjithë të pranishmit mbetën të habitur. Aliu u tha atyre: “A po çuditeni me këtë që kam bërë tani?” Ata u përgjigjën: “Po!” Aliu tha: “Unë jam ai njeri për të cilën Allahu ka thënë: Kur të dridhet toka me dridhjen e saj të fuqishme, dhe të nxjerrë toka barrën që ka në brendinë e saj. Dhe, njeriu të thotë... Pastaj, toka do të më tregojë të gjitha ndodhitë!”
Në një vend tjetër, Urdhëruesi i Besimtarëve, ka thënë:
“Në ditën e kiametit toka do të tregojë për të gjitha ndodhitë. Por, tani nuk ka ardhur ende koha!”
Këtu përfundon sureja Zelzele. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.