Sureja Tahrim

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 3-4

“Kur Pejgamberi njërës prej grave të veta i tregoi fshehurazi një lajm dhe kur ajo ia tregoi tjetrës atë lajm, Allahu ia zbuloi këtë pejgamberit. Pejgamberi ia tregoi asaj vetëm një pjesë të tregimit, kurse për pjesën tjetër heshti. Dhe, kur pejgamberi e njoftoi gruan për këtë, ajo tha: ‘E kush ta tregoi ty këtë?’ Ai tha: ‘Më tregoi i gjithëdijshmi, njohësi i të fshehtave!’ Nëse ju të dyja pendoheni te Allahu (është më mirë për ju); sepse zemrat tuaja tanimë kanë rrëshqitur, e nëse bashkëveproni kundër tij, ta dini se Allahu është mbrojtësi i tij, Xhebraili dhe besimtarët e pastër; e kur është kështu, edhe engjëjt i dalin në ndihmë”

 

Sipas Imamëve të Ehli Bejtit, shkaku i zbritjes së këtij ajeti është ky: 

I Dërguari (s.a.v.) ua kishte treguar një fshehtësi dy grave të tij, Aishes dhe Hafsës. Atyre ua kishte thënë se mbas tij,

 

Ebu Bekri dhe Ymeri do ta uzurpojnë kalifatin dhe do ta marrin me hile prej pronarit të tij të vërtetë, Imam Aliut. Kur e dëgjuan këtë, të dyja nxituan për t’ua treguar baballarëve të tyre, gjegjësisht Ebu Bekrit dhe Ymerit. Allahu i Madhëruar ia zbuloi Pejgamberit (s.a.v.) të bërat e tyre.

 

Personi që përmendet në ajet si ‘besimtarët e pastër që do të dalin në ndihmë dhe që do ta mbrojnë pejgamberin’ është Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu. Për këtë eksitojnë edhe shumë rrëfime në tefsirët e synnitëve. Njëri prej tyre është ky:

 

Njëri prej sahabeve, Avn bin Abdullah ibn Ebi Rafi, rrëfen:

“Pak para se të ndërrojë jetë Resulullahu (s.a.v.), e kishte humbur vetëdijen dhe kur erdhi në vete, ia mbajta dorën, e putha dhe duke vajtuar thashë: ‘O Resulullah! Kur të shkon ti, kush do të kujdeset për mua dhe për fëmijët e mijë’ Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Mbas meje, ty të mjafton i besueshmi dhe më i pastri prej besimtarëve, Ali bin Ebi Talibi!”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Resulullahu (s.a.v.) kishte folur dy herë publikisht para turmës së sahabeve dhe para tyre e kishte shpallur Urdhëruesin e Besimtarëve si kalif e Imam. Një herë kishte thënë: ‘A e dini se kush është i afërmi i juaj mbas meje?’ Sahabet thanë: ‘Allahu dhe pejgamberi i Tij e dinë më mirë’. Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Allahu është mbrojtësi i tij, Xhebraili dhe besimtarët më të pastër’.

 

Gjegjësisht, Urdhëruesi i Besimtarëve, është i afërmi i juaj mbas meje. Para kësaj, kishte thënë te vendi i Gadir Humit: ‘I afërmi i kujt jam unë edhe Aliu është i afërmi i tij’. Edhe këtu i kishte njoftuar sahabet se kalifi dhe Imami i ymmetit mbas tij është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 10

“Atyre që mohuan, Allahu ua sjell shembull gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato të dyja ishin të martuar me dy prej robërve tanë të pastër. Por, ato të dyja i tradhtuan ata të dy dhe këta të dy nuk mundën t'i mbrojnë ato fare nga dënimi i Allahut. Atyre dyjave do t’u thuhet: Hyni të dyja në zjarr së bashku me ata që hyjnë!”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Allahu i Madhëruar e ka sjellë këtë shembull për Aishen dhe Hafsën. Sepse, të dyja e kishin zbuluar fshehtësinë e pejgamberit të nderuar”

Allahu i Madhëruar ka marrë si shembull si jobesimtarët ashtu edhe besimtarët:

 

“E atyre që besuan, Allahu ua solli shembull gruan e faraonit kur ajo tha: ‘Zoti im, më bën një vend pranë mëshirës Sate në Xhenet dhe më shpëto prej faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëto prej popullit mizor!”(ajeti 11)

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Allahu i Madhëruar këtë shembull e kishte marrë për Rukijen, vajzën e Pejgamberit të nderuar, e cila u martua me Osman bin Affanin. Populli mizor që përmendet këtu janë Emevitët”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 12

“Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e vet, e Ne prej anës sonë i frymëzuam një shpirt, e ajo i besoi fjalët e Zotit të saj dhe librat e Tij dhe ishte e devotshme”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Allahu i Madhëruar e kishte dhënë si shembull Merjemen, të bijën e Imranit për vajzën e pejgamberit, Fatimetuz-Zehranë. Sepse, Fatimja e kishte ruajtur nderin dhe ajo bashkë me pasardhësit e saj janë bërë të ndaluara për zjarrin”

Edhe i Dërguari (s.a.v.) e ka përngjarë vajzën e vet Fatimen me nënën tonë Merjemen.

 

Këtu përfundon sureja Tahrim. Falënderimi i takon Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.