Më pak se pesëdhjetë vite pas vdekjes së Profetit Muhamed, shumë prej anëtarëve të mbijetuar të familjes së tij e gjetën veten robër të Umajadëve, fuqive sunduese të shtetit mysliman. Robëria e tyre ndodhi menjëherë pas betejës së tmerrshme në vitin 680 në fushat e nxehta të Qerbelasë në Irak, ku dhjetëra anëtarë të familjes së Profetit dhe mbështetësit e tyre në fillim u rrethuan nga një ushtri shumë më e madhe në numër. Kjo ushtri- e cila masakroi familjen e Profetit dhe shkeli mbi trupat e tyre të pajetë- nuk i përkiste ndonjë fuqie pushtuese të huaj, por vetë fuqive sunduese myslimane. Shumica e burrave në familjen e Profetit tashmë ishin vrarë dhe një grup grash, fëmijësh dhe djemsh të rinj ishin duke u zvarritur nëpër shkretëtirën irakiane, duke marshuar nga fusha e Qerbelasë në Kufa. Nëse procesioni ishte poshtërues për ta, ishte i tmerrshëm për ata që e panë atë. Ky ishte një procesion ndryshe nga çfarë shoqëria myslimane kishte përjetuar ndonjëherë. Sipas një prej burimeve kryesore lidhur me historinë e hershme islame, historianit të respektuar të shekullit të dhjetë Tabari, ushtarët umajadë kishin ngritur në shtiza kokat e prera të shtatëdhjetë e dy anëtarëve të familjes së Profetit Muhamed. Duke shkelur rregullat islamike në lidhje me gjymtimin e trupave, ushtarët publikisht po bënin paradë me kokat e prera të ngritura në shtiza dhe me ato pak të mbijetuarit nëpër qytetet e Kufës, gjatë rrugës për në selinë e tyre në Damask.
Në Kufa, anëtarët e paktë të mbijetuar të familjes së Profetit dolën para Ibn Zijadit, i cili sundonte atje nën autoritetin e kalifit umajid Jezidit. Në një skenë tronditëse që ishte pothuajse e pabesueshme për shumicën e të pranishmëve, Ibn Zijadi u paraqit me robërit dhe me një tabaka, të pozicionuar përpara tij. Në tabaka ishte koka e prerë dhe e gjakosur e nipit të Profetit Muhamed, Huseinit- i njëjti Husein nëna e të cilit ishte Fatimja, e bija e Profetit, babai i të cilit ishte Aliu, kushëriri i Muhamedit (s.a.s) dhe mashkulli i parë i konvertuar në islam. Imam Huseini ishte vrarë me urdhrin e sunduesve të shoqërisë myslimane dhe koka e tij tashmë po paraqitej si trofe. Kur koka e gjakosur e Imam Huseinit u soll në selinë e Ibn Zijadit, tirani mizor mori bastunin e tij dhe me tallje goditi buzët e kokës së prerë të Huseinit, në shenjë fyerje ndaj nipit të rënë dëshmor të Profetit. Një burrë i moshuar në turmë, i quajtur Zajd, bir i Ekramit, i cili ka qenë ndjekës i hershëm i Profetit Muhamed, ishte i paaftë për të kontrolluar veten më gjatë. Ai u ngrit dhe duke thyer të gjithë rregullat e selisë, i bërtiti sunduesit:
Largoje bastunin nga ato buzë! Pasha Allahun, Në ato buzë kam parë buzët e Profetit të Zotit, duke i puthur ato.
Si ndodhi diçka e tillë? Si ndodhi që komuniteti mysliman arriti nga tubimi me dashuri rreth Muhamedit (s.a.s) në përjetimin e vdekjes së vetë nipit të dashur të Profetit në më pak se dy gjenerata? Këto pyetje janë në zemër të përçarjeve sektare mes atyre që do të njihen si sekti shi‘a dhe sekti suni i islamit. Ka pasur disa ngjarje në historinë e botës, rëndësia e të cilave ka tejkaluar historikun e tyre të thjeshtë. Çifuti palestinez i shekullit të parë, biri i një marangozi, është varur me urdhrin e autoriteteve romake, dhe sot mbi një bilion të krishterë e shikojnë kryqëzimin e Jezu Krishtit si një simbol përfundimtar të shpëtimit të Zotit nga mëkatet e njerëzimit. Gjatë shekuj para Krishtit, një princ indian u ul nën një pemë, duke zotuar të mos lëvizte derisa të tejkalonte ciklin e lindjes dhe rilindjes. Sot, qindra miliona budistë shikojnë ndriçimin e Siddhartha Guatama Buddha si vetë modelin e ngritjes mbi injorancën. Rëndësia e këtyre ngjarjeve lulëzoi përtej asaj se çfarë ndodhi në të vërtetë në kuptimin e ngushtë historik dhe filloi të manifestohej kur u shikua nëpërmjet syve besnikë të atyre që erdhën më vonë dhe bazuan jetët e tyre- dhe disa edhe vdekjen- në këto ngjarje.
Shehadeti i Imam Huseinit ishte një ngjarje e tillë. Në kuptimin formal, vdekja e tij ishte një ndër shtatëdhjetë e dy personave të masakruar me një urdhër të një sundimtari të korruptuar dhe të dhunshëm. Nuk do të ishte as hera e parë dhe as e fundit që gjaku i të pafajshmëve do të derdhej mbi këtë tokë. Por, për myslimanët në veçanti për ata të cilët e quajnë veten shia, martirizimi i Imam Huseinit nuk ishte thjesht një betejë e përgjakshme, madje as një masakër në fushat e vetmuara të shekullit të shtatë të Qerbelasë në Irak, por një ngjarje kozmike. Të gjithë këto lloj ngjarjesh- kryqëzimi i Krishtit, rizgjimi i Budës, martirizimi i Huseinit- u bënë simbole të diçkaje thelbësore rreth natyrës së universit. Duke parë simbolizmin e Krishtit, Budës dhe Imam Huseinit, na kujtohet, përkatësisht, se ekzistojnë mëkatet dhe duhet patjetër të paguhen, që ka vuajtje dhe duhet të kapërcehen dhe se ekziston padrejtësia dhe njerëzimi ka përgjegjësi kozmike të ngrihet kundër saj. Në të gjitha këto raste, çfarë ka ndodhur historikisht është gjithashtu e parashikuar kundër gjithë kohës dhe hapësirës. Të krishterët nuk "kthehen pas" tek kryqëzimi i Jezusit, por shikojnë atë vepër si shpengim gjatë formimit të vetë jetës së tyre këtu dhe tani. Për budistët, çelësi nuk është në të kuptuarin se si u zgjua princi indian, por për më tepër si mund të arrijmë ne në rilindjen. Dhe për myslimanët shia, pyetja nuk qëndron në atë që Huseini bëri ditën e dhjetë (Ashuras) të muajit islamik Muharrem të vitit 680 në fushat e Qerbelasë në Irak, por për më tepër në atë që ne po bëjmë sot.
Rëndësia kozmike e këtyre ngjarjeve ilustron fuqinë e imagjinatës fetare, e cila bën çdo vend një vend të shenjtë dhe çdo ditë një kohë të shenjtë. Një intelektual iranian i mesit të shekullit të njëzet ka thënë më së miri:
Çdo ditë është Ashura,
Çdo vend është Qerbela.
Pjesa më e madhe e shiizmit ka të bëjë me kujtesën dhe përkujtimet- rreth nevojës për të rikujtuar ata të cilët erdhën para nesh, mënyrën si jetuan dhe sesi vdiqën. Etika e shiizmit është më tepër se thjesht një kujtesë sentimentale: shiizmi lidhet me nxitjen kozmike për të mos harruar- për të mos harruar Huseinin, për të mos harruar mundësinë e ngritjes së zërit dhe për të mos harruar mundësinë e jetimit të një jete heroike.