Deklarimi i besimit të myslimanëve nuk përfundon tek la ilaha illah Allah ("Nuk ka Zot tjetër përveç Zotit Një"), por vazhdon të adresojë mënyrën sesi kjo hyjni lidhet me njerëzimin: wa Muhammad Rrasul Allah ("dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut"). Kjo ua ("dhe") është parë si lidhje vendimtare mes dy deklaratave të besimit. Besimi në Allah çon në besimin në të Dërguarin e Zotit. Komuniteti mysliman i është përkushtuar Profetit gjatë jetës së tij dhe ky përkushtim nuk ndalon me rikthimin e Profetit tek Krijuesi i tij. Përkushtimi ndaj Profetit Muhamed u bë një nga tiparet karakteristike të devotshmërisë islamike përgjatë shekujve. Disa shembuj mund të mjaftojnë. Shumë nga lutjet të cilat do t‘i analizojmë këtu kanë origjinën në zona të ndryshme të Afrikës së Veriut, por në një mënyrë tipike islamike ato fituan popullaritet në të gjithë botën, kudo ku myslimanët kanë mbajtur gjallë kujtimin e Muhamedit (s.a.s).
Një nga shembujt më të përzgjedhur të litanisë në lavdërimin e Profetit është lutja e Ibn Mashish, marokenit të shekullit të trembëdhjetë, litania e të cilit vazhdon ende të recitohet në ditët e sotme.
O Zot, bekoje atë nga i cili rrjedhin të gjithë sekretet dhe nga burimi i të cilit dalin dritat, dhe në të cilin ngrihen realitetet, dhe në të cilin zbritën shkencat e Ademit, kështu që ai ka bërë të pafuqishme të gjithë krijesat dhe arsyetimet dobësohen përpara tij, dhe askush në mesin tonë, paraardhës qoftë apo pasardhës, nuk mund të kuptojë atë. Kopshtet e botës shpirtërore (malakût) janë të stolisur me lulet e bukurisë së tij, dhe lumenjtë e botës së plotfuqishme (al jabarût) mbushen me derdhjen e dritave të tij. Nuk ekziston asgjë që nuk është e lidhur me ta, madje edhe thuhet: Nëse nuk do të kishte ndërmjetës, gjithçka që do të varej prej tij do të ishte zhdukur! [Bekoje atë, O Zot,] me një bekim të tillë që kthehet tek Ti prej Teje, si pasojë e rezultatit të tij.
Pas dërgimit të paqes për Muhamedin (s.a.s), Ibn Mashishi i drejtohet Allahut dhe kujton intimitetin mes Muhamedit (s.a.s) dhe Krijuesit:
O Allah, ai është sekreti Yt i plotë, që të dëshmon Ty, dhe velloja Jote supreme, që ngrihet para Teje. Më udhëzo në rrugën e tij, të rrethuar nga ndihma Jote, drejt pranisë Tënde. O i Pari, o i Fundit, o i Jashtmi, o i Brendshmi, dëgjoje lutjen time, ashtu siç dëgjove kërkesën e Shërbëtorit Tënd Zekerjasë; më ndihmo mua nëpërmjet Teje drejt Teje, më mbështet nga Ty drejt Teje, më bashko mua me Ty dhe eja mes meje dhe të tjerëve përveç Teje; Allâh, Allâh, Allâh! S'ka dyshim se Ai që ta bëri obligim Kur'anin, Ai do të kthejë ty aty kah erdhe (Kur‟an 28:85).
Në një mënyrë tipike islamike, lutja e Ibn Mashishit gërsheton ajetet e Kur‘anit dhe lavdërimin e figurave të mëparshme profetike me admirimin e Muhamedit (s.a.s). Qëllimi është të udhëhiqemi përmes rrugës së marrë nga Muhamedi drejt Allahut, në mënyrë që të mos mbetet asgjë mes Zotit dhe njerëzimit, asgjë që është tjetër- veç- Allahut.
“O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!” (Kur‘an 18:10). “Është e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke dërguar salavate) dhe përshëndeteni me selam.” (Kur‘an 33:56). “
Lavdia (salavatet) e Allahut, paqja e Tij, përshëndetjet e Tij, mëshira e Tij dhe bekimet (barakat) e Tij qofshin mbi mbretin tonë Muhamed, shërbëtorin Tënd, të dërguarin Tënd dhe pejgamberin tënd, Profetin e paarsimuar, dhe mbi familjen e shokët e tij, [lavdërimet] e panumërta sa çiftet dhe teket dhe sa fjalët e përsosura dhe bekimet e vetë Krijuesit tonë. I pastër e i lartë është Zoti yt, Zoti i gjithëfuqishëm nga ajo që ata i përshkruajnë. Çdo e mirë qoftë ndaj të dërguarve. Dhe falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të gjithësisë!” (37:180-182)
Shumë nga lutjet më të njohura devocionale kanë qenë në arabisht. Çka thuhet rreth arabishtes devocionale është e lehtë për t‘u kuptuar nga shumë myslimanë në mbarë botën duke marrë parasysh përdorimin e shumë prej ajeteve Kur‘anore. Shumë vepra të tilla të devotshme janë shpërndarë gjerësisht mes myslimanëve arabë dhe jo arabë.
Një nga shenjat e mënyrave në të cilat pjesë të ndryshme të botës islamike mbetën të lidhura është dominimi i manualeve të lutjeve të shkruara nga dy prej pasardhësve shpirtërorë të Ibn Mashishit, Busiri (1298) dhe Jazuli (1465). Punimet devocionale të dy autorëve u bënë të njohura në Afrikën e Veriut, Afrikën Lindore, Turqi, tokat arabe të Lindjes së Mesme, Iran, Azinë Qendrore, Afganistan, Pakistanin dhe Indinë e sotme, Malajzi dhe Indonezi etj. Poema e Busirit në lavdërimin e Profetit qarkulloi në mbarë botën, madje edhe më gjerë se vetë poezia e shkurtër e Ibn Mashishit.
Busiri ka qenë një sufi nga Egjipti, i cili shkroi disa poezi në nder të Profetit; asnjë poezi nuk është më e njohur sot se al-Kawakib al-durriya fi madh khayr albariyya ("Drita Qiellore në Lavdërim të Krijesës më të Mirë"). Kjo poezi është bërë e njohur me thjesht emrin Burda (mantel, pelerinë). Sipas njohurive islame, Busiri vuante nga një goditje në zemër dhe në misterin e tij ai iu kthye pranisë së Profetit dhe u lut për shërim.
Unë fillova të mendoja të shkruaja një poemë në formë qaside, dhe shumë shpejt, unë e arrita këtë si një mënyrë ndërmjetësimi nëpërmjet të Dërguarit të Allahut për tek vetë Allahu, të Lart madhërishmit, duke shpresuar që ai do më shëronte. Unë e përsërisja shpesh, këndoja, thirrja Zotin përmes tij, dhe kërkoja ndërmjetësim me të. Gjatë asaj kohe, ndërsa po flija, pashë Profetin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij. Ai më fshiu fytyrën me dorën e tij të bekuar dhe më futi nën mantelin e tij.
Të hedhësh një mantel mbi një person do të thotë në të njëjtën kohë të bekosh atë person si dhe ta lartësosh atë me autoritet. Me fjalë të tjera, krijimi dhe recitimi i Burdas lidhet me Mantelin (burda) e Profetit, Manteli pra lidhet me Profetin dhe Profeti me Allahun. Shfaqja e Profetit në ëndrrën (ru‘ya në Arabisht dhe roya në Persisht) e Busirit konsiston gjithashtu në përkujtimin e një pjese të rëndësishme të traditës fetare në islam: thuhet se pamja e Profetit është ajo të cilën shejtani nuk mund ta imagjinojë dot kurrë. Në përputhje të plotë me një pikëpamje para modern që ekzistonte jo vetëm në mesin e myslimanëve, por në të gjithë njerëzimin, bekimi (baraka) i poemës shtrihej jo vetëm tek kuptimi i ngushtë i saj, por tek çdo gjë që lidhej me të. Kështu, Burdat përdoreshin si mbrojtëse nga rreziqet ose shkruheshin në muret e xhamive, mauzoleve dhe shtëpive private.
Duke pasur parasysh shtrirjen globale të islamit, Burda u përkthye (dhe u zgjerua) në persisht, urdu, turqisht, panjabi, pashto, svahili, anglisht, malaje dhe shila-berber.13 Së fundmi, lideri i myslimanëve amerikanë Hamza Yusuf ka përgatitur një përkthim të mrekullueshëm në anglisht të Burdas që përmban një hyrje të plotë, koment dhe recitim të poemës së dashur. Amerika tashmë është pjesë e komunitetit botëror që vlerëson Profetin me anë të pemës shtatë mijë vjeçare Burda.
Me fjalë të tjera, devotshmëria islamike në Amerikë nuk po krijohet nga një zbrazëti, por për më tepër, në këtë atdhe të ri të myslimanëve, nocionet tradicionale të vlerësimeve që kanë provuar të jenë efikase gjatë shekujve në kontekste të ndryshme janë modifikuar dhe përkthyer. Anglishtja tashmë po i bashkohet radhëve të gjuhëve të tjera përmes të cilave myslimanët kanë shprehur religjiozitetin dhe dashurinë e tyre të zjarrtë shpirtërore. Fjalët e Burdas në mënyrë të pagabueshme flasin për Profetin, i cili është një ndërmjetësues: "Ai është i dashuri në të cilin ne shpresojmë për ndërmjetësim nga çdo e keqe." Muhamedi njihet si Sejjid al-Kavnayn ("i Zoti i dy sferave‖- që përgjithësisht i referohet asaj njerëzore dhe jo njerëzores). Bukuria e tij krahasohet me diellin, hënën dhe fenomenet natyrore:
Si një lule në ëmbëlsi dhe si hëna e plotë në lavdi, Si oqeani në bujari dhe si koha në synimet e mëdha.
Tashmë fuqia legjendare e Burdas është konstatuar, si dhe njëkohësisht mënyra sesi njerëzit dëshironin të rrethoheshin nga fuqitë shëruese të poemës së bekuar. Pra, nuk duhet të supozohet se besimi i tillë në fuqitë shëruese ishte një paragjykim i kufizuar i "klasave të ulëta": Dijetarët myslimanë në Egjipt, duke njohur efikasitetin e saj, kanë kërkuar kopje të shumta të Burdas. Ndoshta asnjë perandori myslimanë nuk ka arritur lavdi më të madhe se osmanët, të cilët mbretëronin në qytetin e mrekullueshëm të Stambollit. Kur osmanët kishin nën kontroll rajonin arab të Hexhazit (që përfshinte Mekën dhe Medinën), ata morën nën mbrojtje mbishkrimet e poemës Burda nëpër muret e Xhamisë së Profetit në Medinë. Për më tepër, kur osmanët themeluan Pallatin Topkapi në Stamboll si simbol të fuqisë së tyre, ata shpesh prisnin vizitorë dhe personalitete në Dhomën e Fshehtë, e cila ishte e zbukuruar me pllaka të bukura iznike ngjyrë blu me mbishkrime nga Kur‘ani- dhe Burda e Busirit, duke përkujtuar mrekullitë e Profetit.15 Zgjedhja e poemës ishte veçanërisht e përshtatshme për osmanët, të cilët posedonin atë që ata besonin të ishin reliktet e Profetit, duke përfshirë mantelin, shpatën si dhe etalonin e tij. Këto objekte të referuara si Besimet e shenjta," do të sillen në publik në raste shumë te veçanta për të theksuar lidhjen e ngushtë të osmanëve me Profetin, besimin e tyre si dhe në këtë mënyrë kërkesën e tyre për legjitimitet fetar. Reliktet e Profetit u sollën në Stamboll, pasi osmanët pushtuan Egjiptin në vitin 1517. Dijetarët kanë vënë në pikëpyetje historikun e relikteve- d.m.th., nëse ato me të vërtetë i përkisnin personazhit historik të Muhamedit (s.a.s).
Ajo që nuk mund të vihej në dyshim, gjithsesi, ka qenë kujdesi dhe vëmendja e veçantë që turqit i kanë kushtuar këtyre gjërave. Me fjalë të tjera, nëse shpata dhe manteli nuk i përkisnin Profetit, ato i përkisnin besimit Osman. Nëse poezia që përshkruan mantelin e Profetit ishte vlerësuar aq shumë, si e trajtonin osmanët vetë Mantelin e Profetit?
Një herë në vit ata nxirrnin Mantelin, e lanin dhe e thanin mbi një temjan. Uji me të cilin lahej vendosej në shishe të vogla si dhurata shpirtërore për njerëzit, ku disa prej tyre mbaheshin në pallat për vetitë shëruese, pra për të shëruar të sëmurët atje. Objekteve të tjera që lidheshin me Profetin gjithashtu u bëhej një trajtim i veçantë.
Vula e Profetit, për të cilën thuhej se Muhamedi e përdorte për të nënshkruar korrespondencat e tij me sundimtarët e tjerë, u mbajt në një vazo të kristaltë, brenda një kutie pranë fronit Osman. Kjo vulë nxirrej me nderime të mëdha jashtë kutisë, vazoja puthej lehtë dhe më pas ata lanin vulën. Pas larjes, ajo thahej mbi një temjan që digjej.
Madje edhe muret e dhomës së frontit, që mbanin reliktet, i lanin gjatë muajit të bekuar të Ramazanit me sfungjerë të zhytur në ujë trëndafili si dhe thaheshin me tymin e temjanit. Madje edhe pluhuri i këtyre mureve nuk fshihej, por merrej me kujdes dhe futej në një kuti. Këto duken si rituale të një bote tjetër, por ky ka qenë i njëjti qytetërim islamik osman që ka udhëhequr botën për një periudhë të gjatë drejt pluralizmit fetar si dhe në ndjekjen e urtësisë.