Në një mënyrë që është karakteristikë e islamit, përsëritja e mistikes dhe sociales bashkohen në eksperiencën e Muhamedit (s.a.s) në parajsë dhe në ferr. Ato eksperiencat spirituale të përjetimit të kënaqësisë së parajsës dhe përballja e drejtpërdrejtë me Zotin nuk zhvillohen në izolim, por përkrah reflektimeve sociale. Edhe pse Muhamedi ngjitet përmes shtatë shtresave të parajsës dhe ka një vizion të drejtpërdrejtë të Zotit, jo të gjithë realitetet qiellore janë në të vërtetë madhështore. Ashtu siç është e vërtetë parajsa, është edhe ferri. Muhamedi u shoqërua për një vizitë edhe në ferr për t‘i treguar atij dënimin që e pret mëkatarin. Një ngjarje në veçanti krijon përshtypjen tek lexuesi për pasojat e tmerrshme dhe serioze të veprimeve të liga. Gjatë vizitës së tij, Muhamedi u përshëndet me buzëqeshjen e ëmbël të profetëve dhe engjëjve, por kur arriti tek Ruajtësi i Portave të ferrit ai përfundimisht takon një engjëll që nuk buzëqesh kur takohet me Profetin. Megjithatë është e qartë se, nëse ky engjëll, i quajtur Malik, do të qeshte ndonjëherë, ai do të qeshte kur të takonte Muhamedin (s.a.s).
Ndërkohë që shumica e artistëve myslimanë janë përqendruar në përshkrimin e ngjitjes së Muhamedit (s.a.s) në parajsë, disa prej tyre kanë imagjinuar edhe vizitën e tij në ferr.
Vështrimi i Muhamedit (s.a.s) brenda ferrit zbulon vuajtjet e bijve të Ademit që janë të vërteta dhe të prekshme. E keqja nuk është lënë abstrakte, por është lidhur në mënyrën më direkte të mundshme me veprimet e neveritshme tokësore. Kur Muhamedi shikon njerëzit që marrin gurë si zjarr në stomak, ai informohet se këto kanë qenë ata që kanë uzurpuar pasurinë e jetimëve. Vizioni i Muhamedit (s.a.s) tregon qartë atë që Kur‘ani ka përshkruar, krahasimin e uzurpimit të pasurisë së jetimëve me gëlltitjen e zjarrit të xhehenemit: "Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë ata hanë atë që mbush barkun e tyre zjarr dhe do të futen në zjarrin e xhehenemit.” (Kur‘an
Sërish dhe sërish, Kur‘ani flet në emër të të mohuarve të shoqërisë, varfanjakët, nevojtarët, udhëtarët dhe gjithnjë, gjithnjë jetimët. Jetimët, të cilët në një shoqëri fisnore ishin ndër më të pambrojturit, ishin gjithmonë pranë zemrës së Muhamedit (s.a.s) pasi i ati i tij kishte ndërruar jetë para vetë lindjes së Profetit. Uzurpimi i pronës së jetimëve nuk është i vetmi mëkat, dënimin e të cilit e shikon Muhamedi (s.a.s). Ai gjithashtu vështron edhe dënimet e atyre që u pasuruan përmes kamatës në tokë, si dhe të atyre që rendin pas marrëdhënieve seksuale të paligjshme dhe tradhtojnë bashkëshortët e mirë që Zoti u ka dhënë atyre.
Në çdo rast, Zoti ka siguruar një rrugë që është e mirë dhe e bukur, por disa kanë zgjedhur të ndjekin pasionet e tyre. Në ferr, gjithçka që ata kanë ndjekur shndërrohet në një dënim të shëmtuar që i gllabëron ata. Së fundmi, Muhamedi shikon dënimin e atyre që kanë ngritur krye kundër lidhjeve të marrëdhënieve familjare.
Tmerret e xhehenemit në këtë tregim i janë atribuuar direkt vetë veseve tona. Me fjalë të tjera, padrejtësia, epshi, lakmia dhe mizoria janë vetë burimet e ferrit. Ne jemi lënda djegëse e vetë djegies sonë. Kur‘ani në mënyrë të përsëritur flet se si ne "i dërgojmë" veprimet tona në botën tjetër. Lexuesit i lihet të mendojë se çfarë do të ndodhte me zjarrin nëse ne do të ndalonim së ushqyeri atë me mëkatet tona.
Nëse përshkrimi i ferrit është i gjallë dhe i dhimbshëm, përfytyrimi për parajsën përshkruan një kopsht të begatshëm. Në përputhje me natyrën shpirtërore të këtyre fragmenteve, kënaqësia e parajsës përshkruhet fillimisht nëpërmjet përballjes së Muhamedit (s.a.s) me figurat e ndryshme profetike në shtresa të ndryshme të parajsës. Disa nga miniaturat më të bukura islamike përshkruajnë skenat e ngjitjes së Muhamedit (s.a.s) në parajsë. Në kërkim për të përcjell bukuritë e parajsës për një audiencë tokësore, Muhamedi shprehet:
Një pjesë e parajsës sa një hark është më e mirë se gjithçka nën diellin, ku ai lind e perëndon. Nëse një grua e njerëzve të parajsës shfaqet këtu në tokë, ajo do të mbushë të gjithë hapësirën mes qiellit dhe tokës me dritë dhe me aromë.