Aq të fuqishme sa janë rrëfimet e ngjitjes, mëshira për komunitetin nuk përfundon me ngjitjen. Në çdo ngjitje, ka edhe një zbritje. Pothuajse shumica e myslimanëve përqendrohen në eksperiencën e ngjitjes, ndërkohë që është mjaft e rëndësishme të kuptojmë se këtu ka mëshirë në të dy nivelet në ngjitje dhe në zbritje. Kur‘ani është i qartë në këtë pikë: fjala më shpesh e zgjedhur për "zbulesën" ka të bëjë me idenë e të "dërgimit poshtë." Ka mëshirë në ngjitjen e Muhamedit (s.a.s) në parajsë, por ka mëshirë edhe në zbritjen e Fjalës së Allahut.
Muhamedi ngjitet në parajsë dhe takohet ballë për ballë me Allahun. Pyetja qëndron: Përse kthehet tek njerëzimi? Nëse Muhamedi u gjend përballë kësaj pozite të pa përshkruar lumturie, përse e shkëputi veten menjëherë nga shikimi i Allahut dhe u kthye në këtë tokë?
Përgjigja duhet të lidhet me arsyen e krijimit të kësaj bote: dhembshurinë. Ashtu siç Bodhisattva, i cili shtyn hyrjen e tij në Nirvana, Muhamedi rikthehet nga përvoja e mrekullueshme mistike e të qenurit me Zotin për hir të komunitetit të tij. Kjo dhembshuri vetëmohuese, në të vërtetë sakrificë, nuk është një zgjedhje që shumica e njerëzve do të kishin bërë.
Madje edhe shenjtori i madh mysliman i shekullit të gjashtëmbëdhjetë nga Azia e Jugut, ‗Abd Al-Quddus Gangohi, mbahet mend të ketë thënë: ―Betohem në Zot se nëse unë do të kisha arritur atë pikë, nuk do të isha kthyer kurrë.‖14 Dhe kështu, falënderimi i qoftë Allahut, Profeti u kthye. Kjo lëvizje ka mbetur një pjesë e rëndësishme e jetës islamike: Sprova e vërtetë e robërve të Allahut nuk është thjesht ngjitja, por edhe aftësia për tu kthyer tek njerëzimi, për të ngrënë dhe fjetur në mesin e njerëzve, për të kryer tregti dhe bashkëveprime njerëzore, për të jetuar jetën familjare- dhe ende as për një moment të mos bëhemi të pavetëdijshëm ndaj prezencës së më të Gjithëmëshirshmit.