Vërejtjet e Jezusit të adresuara ndaj komunitetit të tij, Bijve të Izraelit, na paraqesin një pikë kalimtare tek trajtimi kompleks i Kur‘anit ndaj komunitetit çifut. Këto komente, pa qenë nevoja të përmenden, kanë pasoja të rëndësishme për myslimanët dhe çifutët bashkëkohorë. Në njëfarë mënyre, tensioni mes traditës islamike dhe çifute është mbivlerësuar tepër, pasi të dyja këto, në thelb funksionojnë si tradita monoteiste me një bërthamë të zbulesës, shkrimit të shenjtë dhe një komponenti të fuqishëm ligjor.
Tradita islame ka vendosur theksin më tepër në misticizëm, që ka arritur një popullaritet në mesin e myslimanëve se konkurron dhe nganjëherë barazon interesat në traditën ligjore islamike.
Në fakt, dikush mund të argumentojë se shumë prej tensioneve mes dy traditave janë të ngjashme me ato mes vëllezërve. Për shumicën dërrmuese të historisë së tyre, myslimanët dhe çifutët kanë jetuar krah për krah, nëse jo gjithnjë në një dashuri të ndërsjellë, por të paktën në bashkëjetesë. Sipas disa dijetarëve, nga shekulli i tetë deri në shekullin e dhjetë diku rreth 85-90 për qind e të gjithë çifutëve kanë jetuar në mesin e myslimanëve.
Sigurisht myslimanët kanë një histori shumë më të gjatë të bashkëjetesës me çifutët seç mund të pretendohet me të krishterët, mes të cilëve një traditë e lashtë mijëvjeçare e antisemitizmit shpesh është ndërthurur me leximet e teologjisë së krishterë.
Megjithatë ekzistojnë disa tensione themelore mes myslimanëve dhe çifutëve,në Kur‘an si dhe në rrëfimet e jetës së Muhamedit (s.a.s). Këto tensione janë zmadhuar edhe më tepër në kontekstin e shekullit të njëzet: themelimi i shtetit të Izraelit nëpërmjet dëbimit dhe margjinalizimit të popullatës autoktone palestineze ka krijuar një nivel të paparë të armiqësisë së qëndrueshme mes myslimanëve dhe çifutëve. Si e tillë, është mjaft e rëndësishme që tensionet në rrëfimet Kur‘anore të trajtohen në një mënyrë të kujdesshme dhe të paanshme.
Ne e kemi parë se disa myslimanë bëjnë kritika teologjike ndaj vizionit të krishterë rreth Trinitetit dhe kryqëzimit të Krishtit. Por, në mënyrë paradoksale, në jetën e Profetit Muhamed, të krishterët janë parë gjithnjë me sy të mirë- si p.sh, në vlerësimin e ndërhyrjes së mbretit të krishterë të Abisinisë, Nexhashiut, në mbrojtjen e komunitetit mysliman.
Disa çifutë, nga ana tjetër, janë subjekt i kritikave etike në Kur‘an, i cili shpesh drejton polemikat e tij ndaj atyre çifutëve që ishin anëtarë të klaneve dhe grupeve politike në Medinë që formonin aleanca të hapura apo të fshehta kundër Muhamedit (s.a.s) dhe komunitetit të sapolindur mysliman. Kur‘ani shpesh akuzon kundërshtarët çifutë për shkeljen e marrëveshjes dhe për arrogancën, të dy këto tema të vjetra sa Bibla hebraike dhe të dyja mundësisht të njohura për bashkëkohësit e Kur‘anit. Në disa pjesë të Kur‘anit, disa çifutë janë përshkruar t‘i jenë mburrur Muhamedit (s.a.s) se do t‘i shpëtonin ndëshkimit hyjnor:
“Neve nuk do të na kapë zjarri vetëm për disa ditë të numëruara! Thuaj: A mos keni marrë prej Allahut ndonjë premtim, e All-llahu nuk e thyen premtimin e vet, ose jeni duke thënë për Allahun atë që nuk e dini?” (Kur‘an 2:80)
Krimi tjetër me të cilin Kur‘ani akuzon çifutët është se i atribuojnë Allahut atë që nuk ka qenë në fakt pjesë e revelatës së shpallur për ta. Kur‘ani e përshkruan këtë fjalë për fjalë:
“E ka disa prej tyre që janë analfabetë, nuk e kuptojnë librin, por jetojnë vetëm në shpresa, duke mos qenë të sigurt. Është shkatërrim për ata që me duart e veta e shkruajnë librin, e pastaj thonë: Ky është prej Allahut"! E për të arritur me të një fitim të paktë, pra është shkatërrim i madh për ta çka shkruan duart e tyre dhe është shkatërrim i madh për ta ajo çka fitojnë.” (Kur‘an 2:78-79)
Në disa vende të tjera, Kur‘ani flet në mënyrë metaforike rreth veprimeve të tilla, si ato që e bëjnë fenë të vështirë për njerëzit dhe përshkruan Jezusin që ka ardhur sërish tek Bijtë e Izraelit për të lehtësuar çështjet e fesë për ta. Disa çifutë janë kritikuar gjithashtu për mohimin e mesazhit të Kur‘anit edhe pse ka ardhur nga i njëjti Zot, i cili konfirmon më tepër mësimet e vetë atyre: “E kur u erdhi atyre prej Allahut libri (Kur'ani) që është vërtetues i atij, që e kishin pranë, e që para se t'u vinte e kërkonin ndihmën e tij kundër mosbesimtarëve, e mohuan atë (Muhamedin (s.a.s)) që e njihnin, kur u erdhi.” (Kur‘an 2: 89)
Ashtu si shumë nga fragmentet në Bibël që disa të krishterë i kanë përdorur ndër vite për të justifikuar armiqësinë e tyre ndaj çifutëve, këto lloj ajetesh janë më të rrezikshme kur lexohen jashtë kontekstit të tyre historik në të cilin janë shpallur. Në periudhën e Muhamedit (s.a.s), liderët e disa – por, jo të gjithë- klaneve çifute në Medinë në momente të ndryshme komplotuan me politeistët e Mekës për të kundërshtuar komunitetin e brishtë të Muhamedit (s.a.s). Si rezultat, këto fise çifute ishin parë me dyshim. Ne kemi vërejtur shembuj të këtyre tensioneve në rrëfimet e jetës së Muhamedit (s.a.s) që kanë të bëjnë me fiset Beni Nadir dhe Beni Kurajdha.
Ndoshta konkluzioni i shembullit rreth nevojës për të lexuar ajetet në kontekstin e tyre historik mund të qartësojë çështjen në një mënyrë paksa ndryshe. Kur flasin në një mjedis bashkëkohor me të krishterët, myslimanët shpesh privilegjojnë ato ajete të cilat theksojnë ngjashmëritë dhe dashurinë mes myslimanëve dhe të krishterëve: “Ndërsa do të vëresh se më të afërmit si miq për besimtarët janë ata që thanë: "Ne jemi nesara-krishterë". Këtë ngase prej tyre (të krishterëve) ka dijetarë (ulema) dhe të devotshëm, dhe se ata nuk janë kryeneçë.” (Kur‘an 5:82)
Megjithatë në të njëjtat tubime, myslimanët rrallëherë citojnë vargjet e para të këtij ajeti:
“Gjithqysh ti do të vëresh se jehuditë dhe ata që i përshkruan Zotit shok (idhujtarët) janë njerëzit me armiqësi të fortë kundër besimtarëve (kundër myslimanëve). Ndërsa do të vëresh se më të afërmit si miq për besimtarët janë ata që thanë: Ne jemi nesara krishterë. Për këtë arsye se...” (Kur‘an 5:82)
Myslimanët bashkëkohorë shpesh lëvdojnë pjesën e dytë të këtij ajeti, veçanërisht ata në mjediset perëndimore, ku myslimanët jetojnë në komunitete të mëdha të krishterë (apo post kristiane). Duket sikur këto ajete qëndrojnë mbi kohë dhe vend,duke theksuar dashurinë klasike që myslimanët dhe të krishterët kanë për njëri-tjetrin.
Por, kur përballemi me pjesën e parë të ajetit, myslimanët shpesh kthejnë një përgjigje të shpejtë se "duhen lexuar gjërat në kontekstin e tyre të duhur historik." E vërteta mbi këtë çështje është më e komplikuar. Që të kemi një lexim të ndershëm intelektualësh të çfarëdo shkrimi të shenjtë- përfshirë edhe Kur‘anin- është jetike të trajtohen vazhdimisht pyetjet e historikut dhe kontekstit.
Ose të gjithë këto ajete duhet të lexohen në dritën e kontekstit të tyre të menjëhershëm historik, ose të lexohen në një mënyrë trans ‗historike.
Përndryshe, si mund të mbajmë një qëndrim që disa ajete i përkasin direkt precedentëve historikë, ndërsa të tjerët shprehin të vërteta të përjetshme? Kjo zgjedhje është ajo që shpesh çon, në rastin më të mirë, në mospërputhjen metodologjike; leximi i ndershëm intelektual dhe spiritual i shkrimeve të shenjta kërkon një qasje më holistike dhe më të qëndrueshme. Duke pasur parasysh realitetin e sotëm politikë, duhet pasur kujdes që këto lloj ajetesh të mos merren si dëshmi për të justifikuar armiqësinë e vazhdueshme mes myslimanëve dhe çifutëve.
Të gjitha shkrimet tona përmbajnë mundësi të shumta. Ka fragmente në Kur‘an si dhe në Bibël që shpallin respekt reciprok dhe bashkëjetesë, por në të dy këto shkrime të shenjta ka gjithashtu edhe pjesë të cilat justifikojnë shovinizmin dhe madje edhe dhunën.
Pyetja për ne është si t‘i qasemi çdo shkrimi të shenjtë në një mënyrë të tillë që të jetë historikisht e drejtë dhe intelektualisht e ndershme. Kjo sfidë është më e vështirë se shumica e besimtarëve janë të gatshëm ta pranojnë- të paktën publikisht.
Në botën e sotme të globalizuar, asnjë komunitet religjioz nuk jeton në izolim. Myslimanët në veçanti jetojnë me fqinjët çifutë dhe të krishterë në mjedise të shumta, duke përfshirë të dy vendet në të cilat të tre këto grupe fetare kanë jetuar mbi një mijë vite (si në Lindje të Mesme) dhe mjediset e reja në Evropë dhe në Amerikën Veriore. Një sfidë për myslimanët është rikrijimi i nocionit të Muhamedit (s.a.s) si një profet i shenjtë, që e kemi parë edhe në hyrje të librit, që gjendet në burimet e tilla si "Tregimet e Profetëve" nga Kisa‘i dhe miniaturat e ilustruara.
Një sfidë e ngjashme është për çifutët dhe të krishterët të besojnë faktin se komunikimi i Zotit me njerëzimin përfshin pasardhësit e Ibrahimit nëpërmjet Is‘hakut dhe Ismailit- që do të thotë çifutët, të krishterët dhe myslimanët. Sfida e atyre që aspirojnë për Zotin e Ibrahimit është të kujtojnë se ky Zot ka bekuar të gjithë pasardhësit e Ibrahimit.
Bijtë e Ibrahimit nuk kanë asnjë rrugëdalje tjetër veçse të përshtaten dhe të mësojnë të jetojnë me njëri-tjetrin. Ashtu siç ka thënë edhe Martin Luther King Jr.: ‖Ose do ia dalim mbanë së bashku ose do të zhytemi bashkë.‖9 Në botën e sotme, kjo moto ―t‘ia dalim mbanë bashkë‖ nuk është thjesht një sfidë teologjike, por një çështje politike e jetës dhe vdekjes- dhe për më tepër, një çështje dinjiteti.
Për shumë myslimanë, kjo në të vërtetë është më e keqe se vdekja- një jetë e privuar nga dinjiteti. Ka ardhur koha që të gjithë bijtë e Ibrahimit të jetojnë me dinjitet. Bijtë e Ibrahimit kanë një trashëgimi të shumëllojshme të të jetuarit së bashku në dinjitet. Sot, ata shpesh e gjejnë veten në konflikte, por do të ishte gabim nëse mendohet se ata kanë jetuar gjithnjë në tensione me njëri-tjetrin.
Për më tepër, është një mashtrim i madh i imagjinatës dhe dhembshurisë të thuhet se bijtë e Ibrahimit janë disi të destinuar t" jetojnë në gjendje konflikti dhe të kenë "përplasje qytetërimesh." Tensionet e shekullit të njëzet dhe njëzet e një janë në shumë mënyra, historikisht të papara dhe shpesh janë të lidhura me traumat dhe tronditjet e kolonializmit.
Një mënyrë për të shmangur fiksimin në tensionet moderne mes myslimanëve, çifutëve dhe të krishterëve është të pranojmë një perspektivë më të gjerë historike. Ia vlen të përmendet për shumicën e 1400 viteve të fundit, përplasjet më të rëndësishme që kanë përfshirë myslimanët nuk kanë qenë kundër çifutëve apo të krishterëve, por kanë qenë kundër vetë myslimanëve. Nëse umeti si nënë- komunitet besimi mbetet ideal për të gjithë ata që përkujtojnë Muhamedin (s.a.s), në të vërtetë myslimanët kanë dështuar ndaj këtij realiteti ashtu siç kanë dështuar edhe anëtarët e tjerë të njerëzimit në traditat e tyre të besimit.
Ashtu si anëtarët e traditave të tjera fetare, myslimanët gjithashtu kanë rënë pre e grindjeve të brendshme dhe përçarjeve. Në kapitullin e ardhshëm, do të fillojmë një analizim të këtyre konflikteve të brendshme duke paraqitur ndarjen mes sektit suni dhe shi‘a të ndjekësve të Muhamedit (s.a.s), dy grupe lidhja e të cilëve me Muhamedin (s.a.s) i ka çuar ata të ndërmarrin rrugë dhe njëkohësisht drejtime të ndryshme.