Myslimanët kishin një angazhim të pasur me kujtesën e Muhamedit (s.a.s). Nga njëra anë, Muhamedi veçohet nga themeluesit e traditave të tjera fetare duke qenë se ai doli në qendër të vëmendjes së historisë. Komuniteti rreth tij ishte aq i përkushtuar të ruante kujtimin e tij saqë ne dimë më tepër detaje rreth jetës personale të Muhamedit (s.a.s), etikëve të sjelljes së tij dhe marrëdhënieve sociale seç dimë rreth ndonjë figure tjetër spirituale të madhe para moderne.
Para fundit të shekullit të nëntë që do të thotë, më pak se treqind vite pas vdekjes së Profetit- dijetarët myslimanë si Tirimidhi kanë shkruar trajtesa të tilla si Shama‘il për të përkujtuar çdo detaj lidhur me Muhamedin (s.a.s). Titulli Shama‘il i referohet "portreteve" të Profetit, jo në pamje, por në përshkrime të bukura rreth qenies së tij. Kapitujt e Shama‘il- që lexohet ende sot- trajtojnë çdo aspekt të përfytyrueshëm të trupit të Profetit, sjelljes, adhurimit dhe etikës, duke filluar nga natyra e tij e përgjithshme në mënyrën si krihte flokët, ecte dhe ulej, qeshte dhe bënte shaka e deri tek adhurimi dhe përkushtimi.
Disa nga detajet janë në të vërtetë prekëse: Myslimanët kanë kënaqësi kur mësojnë se Muhamedi nuk gogësinte kurrë sepse ai gjithnjë e konsideronte atë që bënte Zoti në çdo detaj të vogël një burim të freskët të mahnitjes.
Kjo mund të duket e çuditshme, ose e parëndësishme të regjistrohen detajet rreth një personaliteti fetar të tilla si fakti që linte jakën e këmishës së tij hapur apo se posedonte vetëm një mantel, një këmishë, dhe një palë këpucë. Por, për një mysliman që është i dashuruar me Profetin, çdo detaj i jetës së tij është i bekuar dhe mbledhja e këtyre detajeve është një eksperiencë e shenjtë.
Titujt e kapitujve i referohen çdo detaji si "të bekuar‖ (mubarak): flokë të bekuar, buzë të bekuara, buzëqeshje e bekuar e kështu me radhë. Për shkrimtarin dhe lexuesit e Shama‘il, cdo detaj i qenies së Muhamedit (s.a.s) është i bekuar, i mbushur me mirësi hyjnore. Kështu, përkujtimi i Muhamedit (s.a.s) bëhet një proces i bekuar për mbarë komunitetin.
Është mjaft e natyrshme për t‘u intriguar nga etikat e një figure fetare: Shama‘il tregon se Muhamedi nuk hakmerrej kurrë ndaj fryrjeve personale, por kërkonte hakmarrje vetëm për shkeljet ndaj Zotit. Në Betejën e Uhudit, një prej armiqve të tij qëlloi Muhamedin (s.a.s) me një gur në fytyrë. Sipas këtij rrëfimi, dhëmbët e tij ―u martirizuan‖ dhe gjaku mbuloi fytyrën e tij të bekuar. Disa nga shokët e tij, të zemëruar për këtë sulm ndaj Muhamedit (s.a.s), i kërkuan Profetit të mallkonte burrin që i qëlloi me gur, por Muhamedi vetëm tha: "O Allah, udhëzoje popullin tim, sepse ata nuk dinë." Kjo sjellje, natyrisht, cilësohet e denjë për imitim dhe kopjim. Dhe myslimanët në shoqëritë perëndimore e kujtojnë këtë ngjarje duke ditur se përputhet me konfirmimin e audiencës së krishterë, ndërkohë mendojnë për shembullin e Krishtit kur ai ktheu anën tjetër të fytyrës si mishërim të etikës fetare.
Më i habitshëm për disa është fakti se madje edhe sjellja në dukje e zakonshme e Muhamedit (s.a.s) është e regjistruar. Mbi të gjitha, nëse dikush do të bazojë sjelljen e tij në diçka apo në dikë, pse jo në Profetin?
Nocioni i afrimit dhe idealizimit nuk kanë humbur në sensibilitetet tona bashkëkohore. Në vetë periudhën tonë, ne thjesht kemi pranuar disa role profetësh të rinj, shumë prej tyre nga sportet, popi dhe fusha të famshme. Dikush mund të shikojë byzylykun WWJD (Çfarë do të kishte bërë Jezusi?) në dorë të një personi që është afër një tjetri që përkujton vuajtjet heroike të Lance Armstrong kundër kancerit.
Në vitet 1990, një brez i tërë i të rinjve amerikanë (duke përfshirë edhe vetë autorin) ishte magjepsur nga një këngë e paharruar nga Gatorade, që i kërkonte dëgjuesve të imitonin një atlet tullac që kishte veshur bluzën me numrin nga Çikago me një aftësi të mbinatyrshme që na bënte të besonim se ai-dhe ne- mund të fluturonim. Ky është himni i famshëm i vitit 1992 të Gatorade kushtuar të shenjtit Michael Jordan:
Nganjëherë ëndërroj Që unë jam ai Duhet ta kuptosh sesi ëndërroj të jem Ëndërroj se lëviz, ëndërroj se kërcej Si Majku Sikur të isha si Majku Si Majku Ah, sikur të isha si Majku Të isha si Majku ... Dua të jem, dua të jem Si Majku Ah, sikur të isha si Majku.
Nëse një person do të jetë si "dikush", aspekti devocional i islamit pyet: përse mos të kërkojmë të imitojmë atë të cilin Allahu e ka përshkruar në Kur‘an (33:21) si "model të bukur" (uswatun hasana) për njerëzimin?
Shembulli nuk është i veçantë për Muhamedin (s.a.s), pasi e njëjta frazë është përdorur gjithashtu edhe për Ibrahimin. Ky model (uswa) është një shembull i bukur që është i mirë dhe i këndshëm (hasana). Hasana vjen nga e njëjta rrënjë etimologjike (H-S-N) si Ihsan, e njëjti term që Muhamedi e identifikonte si shkallën më të lartë të besimit- niveli në të cilin ne sillemi sikur të shikonim Zotin gjatë gjithë kohës dhe nëse nuk e shikojmë dot, atëherë kujtohemi se Zoti gjithsesi na sheh neve.
Nipi i Muhamedit (s.a.s) Huseini (emri i të cilit vjen nga e njëjta rrënjë H-S-N) tregon për sjelljen e Muhamedit (s.a.s) si më poshtë: Unë e pyeta tim atë [Aliun] rreth sjelljes së të Dërguarit të Zotit, Allahu e bekoftë atë dhe paqja qoftë mbi të. Babai im u përgjigj:
“I Dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka qenë gjithnjë i lumtur dhe i sjellshëm. Ai kishte gjithnjë një buzëqeshje dhe një shenjë lumturie në fytyrën e tij të bekuar. Ai kishte një karakter të butë dhe kur njerëzit kishin nevojë për miratimin e tij, ai pranonte lehtësisht. Ai nuk fliste në një ton të ashpër, e as nuk ishte zemër-gur.
Ai nuk bërtiste kur fliste, nuk ishte i pasjellshëm e as nuk fliste me fjalë të pahijshme. Ai nuk vinte në dukje kurrë të metat e të tjerëve. Profeti kurrë nuk lavdëronte më tepër seç duhej një gjë e as nuk e tepronte në shaka, e as nuk ishte koprrac. Ai qëndronte larg nga gjuha e padëshiruar dhe hiqej sikur nuk kishte dëgjuar asgjë.
Nëse ai nuk binte dakord me dëshirën e një personi, ai nuk shprehej në një mënyrë që personi të ndihej i dekurajuar, por as nuk i premtonte asgjë atij. Ai plotësisht e mbante veten larg tre gjërave: argumenteve, krenarisë dhe shprehjeve të pakuptimta.”
Gjatë shqyrtimit të rrëfimeve të tilla, është e lehtë të shikojmë sesi këto e identifikojnë Muhamedin (s.a.s) si një model të virtytshëm që meriton të imitohet. Për shembull, në vazhdim Kur‘ani lidh modelin e sjelljes së Muhamedit (s.a.s) (sunna) me dashurinë e Zotit: “Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t'ju dojë, t'ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” (Kur‘an 3:31-32)
Rrëfimi i transmetuar nga Huseini dhe Aliu, si shumë narrativa të tjera të tilla, i tregon besimtarit si të ndjekin Muhamedin (s.a.s). Është një gjë ti tregosh njerëzve të trokasin në derën e qiellit që ajo të hapet, dhe është një gjë krejtësisht tjetër t‘u tregosh atyre ku është kjo derë dhe t‘i mësosh si të trokasin. Këto rrëfime paraqesin metodën morale, ligjore, etike dhe shpirtërore të trokitjes në derën e parajsës.
Muhamedi, i cili vetë nuk ishte asgjë më shumë se porta e mëshirës së qiejve, admirohej aq shumë nga pasuesit e tij saqë atij i duhej t‘i vinte në lojë dhe të bënte shaka me ta që ata të mos ishin aq të magjepsur ndaj tij. Në të vërtetë, Kur‘ani përshkruan atë marrëdhënie me këto fjalë: "Profeti është më i afërt me besimtarin se vetë shpirtrat e tyre." Për shumë njerëz në komunitetin e Muhamedit (s.a.s), ai është tani siç ishte atëherë.