Nëse nuk ka monoteizëm pa Zotin, nuk ka as islam pa Muhamedin (s.a.s). Trashëgimia e plotë e Muhamedit (s.a.s) në njëfarë kuptimi është qytetërimi islamik. Çdo aspekt i civilizimit- intelektual, spiritual, politikë, artistik dhe social- mban një kujtim të Muhamedit (s.a.s) dhe shpalljes së zbritur për Muhamedin (s.a.s).
Nganjëherë kujtesa është e qartë, por shpeshherë është e nënkuptuar, siç ilustrohet nga një analogji. Myslimanët mesjetarë, të vetëdijshëm ndaj nevojës së mos privilegjit të një profeti më tepër se të tjerët, ishin të prirur të krahasonin profetët e ndryshëm me lule të ndryshme në një kopsht, p.sh Muhamedin (s.a.s) e cilësonin trëndafil.
Shpjegime të ndryshme të devotshmërisë myslimane përkujtojnë jehonat e bukurisë së Muhamedit (s.a.s) në trëndafil. Madje thuhet se të gjithë trëndafilat kanë qenë të bardhë, por kur trëndafilat qiellorë panë bukurinë e Muhamedit (s.a.s) gjatë ngjitjes së tij, ata u skuqën në prani të Profetit- pra u bënë trëndafila rozë dhe të kuq.
Disa mund të zbukurojnë shtëpitë e tyre me trëndafila të freskët ose i dhurojnë trëndafila të dashurve të tyre. Trëndafilat gjithashtu mund të jenë të thatë dhe të mbahen si zbukurime në shtëpi. Esencat e tyre mund të përdoren si parfume.
Pamje të ndryshme trëndafilash mund të vendosen në shtëpi. Sarkofagu i një komandanti mund të përmbajë pamje të trëndafilta në mermer. Esenca trëndafilash mund të përdoren në ushqime gjatë gatimit; në fakt, pothuajse të gjithë ëmbëlsirat persiane dhe indo-persiane mbajnë aromë të trëndafilit. Një poet mund të përdorë imazhin e një trëndafili në poezitë e tij. Të gjithë janë trëndafila dhe të gjithë janë gjurmët e një luleje origjinale që përfaqëson përsosmërinë e dashurisë, harmonisë dhe bukurisë.
Kështu ndodh edhe me trashëgiminë e Muhamedit (s.a.s) në qytetërimin islamik. Si një trëndafil, ai qëndron në qendër si dhe në mes të qytetërimit që u zhvillua nga mësimet që ai i solli njerëzimit. Me kalimin e kohës kujtimi i Muhamedit (s.a.s) bëhet i qartë. Kur‘ani identifikon modelin e mirë të sjelljes së Muhamedit (s.a.s) si shembullin më të bukur (uswatun hasana).
Ky model ideal përfundimisht u kodifikua si Mënyra e Muhamedit (s.a.s), ose Suneti i tij. Gjithnjë ka pasur burime të shumta për sunetin, dhe aftësia për të gjetur sunetin e Muhamedit (s.a.s) nëpërmjet transmetimit të deklaratave autentike që rridhnin prej tij (raportimin e haditheve) u bë tipari kryesor i mësimit islamik. Në Kur‘an, autoriteti i Muhamedit (s.a.s) lidhet ngushtë me atë të Zotit:
“E binduni Allahut dhe të dërguarit, që ju të mëshiroheni” (Kur‘an 3:132) dhe “Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë tek Allahu dhe tek i dërguari, po qe se i besoni Allahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë” (Kur‘an 4:59).
Gjatë jetës së Muhamedit (s.a.s), pyetjet fetare dhe kërkesat për sqarime i janë drejtuar atij personalisht. Pas vdekjes së Profetit, ishte e natyrshme se komuniteti do të shikonte prapa sërish në shembullin e tij si modeli më i mirë për tu ndjekur. Duke qenë të vetëdijshëm se ka pasur pretendime të shumta për përfaqësimin e mësimeve të Muhamedit (s.a.s), një shqetësim kyç i komunitetit çoi në përmbledhjen, me shkallën më të lartë të sigurisë, të mësimeve aktuale të Muhamedit (s.a.s).
Një nga mënyrat qendrore për të arritur këtë ishte konstatimi i vërtetësisë së deklaratave të haditheve. Nëpërmjet një kombinimi të përkushtimit të sinqertë ndaj Muhamedit (s.a.s), tendenca për t‘i atribuuar atij çdo aforizëm dhe tendencat sektariane për të lavdëruar shokët e ndryshëm të Profetit mbi kurriz të të tjerëve, bëri që ndoshta mbi 600 mijë hadithe të dalin në qarkullim gjatë shekujve pas vdekjes së Muhamedit (s.a.s). Hadithet kështu qarkulluan gojë më gojë për shumë dekada para se të shkruhen në koleksionet kanonike.
Natyrisht, jo të gjithë këto deklarime ishin autentike. Shumica e tyre kishin kontekst të ngjashëm ose të njëjte, por dallonin vetëm në mënyrën sesi gjurmonin prapa tek Muhamedi. Duke njohur nevojën për të dalluar këto tradita që mund të ishin vërtetuara nga ato të pavërtetuarat, dijetarët myslimanë zhvilluan një traditë skolastike të përpiktë për vlerësimin e vërtetësisë së raporteve të ndryshme.
Secili hadith i raportuar konsiston në dy pjesë: përmbajtja aktuale e tekstit (matn) dhe zinxhiri i transmetimit (isnad).
Detyra e isnad ishte të sigurojë, në mënyrë ideale, një zinxhir të pandërprerë mes brezit prezent dhe atij të Profetit. Shkenca e verifikimit të hadithit u përqendrua në një shtrirje të gjerë të verifikimit të vërtetësisë dhe besueshmërisë së transmetuesve të ndryshëm dhe dokumentimin nëse i njëjti tekst mund të pasonte nga Muhamedi nëpërmjet hallkave të ndryshme të transmetimit. Sa më shumë që një hadith mund të gjurmonte tek Profeti nëpërmjet hallkave të ndryshme të transmetuesve të besueshëm, më e madhe ishte mundësia që ai hadith të ishte autentik (sahih).
Kritika e hadithit, një kombinim i punës intelektuale detektive dhe një shumëllojshmërie të kritikës tekstuale që kanë të bëjnë me materialin gojor, u bë një nga shkencat më të rëndësishme intelektuale islamike.
Dijetarët e kritikës së hadithit shumë shpejt filluan të analizojnë të gjithë hadithet ekzistuese të raportuara për të përpiluar koleksionet që konsistojnë vetëm në hadithet e vlerësuara si sahih. Në traditën sunite, koleksionet e dijetarëve Bukhari (870) dhe Muslimit, djalit të Al- Hajjaj(875), filluan të konsideroheshin mjaft autoritare. Secili prej këtyre dy koleksioneve përfshin rreth katër mijë hadithe të raportuara.
Bukhari hulumtoi rreth 600 mijë tradita për të arritur koleksionin e tij, një tregues ky i numrit të madh të raportimeve që gjurmonin tek Muhamedi si dhe i ashpërsisë së dijetarëve klasikë të hadithit, të cilët pranonin vetëm 1 deri në 2 për qind të hadithit në qarkullim si të besueshëm.
Më pak të rëndësishëm ishin koleksionet e tjera të hadithëve, duke përfshirë një nga i njëjti Tirimidhi, i cili shkroi Shama‘il. Myslimanët shia përdorin koleksionet paralele që shpesh përmbajnë deklarata të ngjashme me ato që rrjedhin nga Profeti përmes vetë Familjes së Pejgamberit.
Përhapja e shpejtë e zinxhirëve të isnadit dhe nevoja për të vërtetuar të gjithë ato ka qenë një sfidë e rëndësishme në përpjekjen për të kodifikuar kujtimin e Muhamedit (s.a.s). Fakti se shumë raporte kanë qenë në qarkullim është një provë se si individë të ndryshëm gjurmonin opinionet tek Muhamedi.
Dy hadithet e përpiluara nga Muslimi dhe Bukhari u mbështetën në rreth 2400 transmetues hadithësh të cilët plotësonin kriteret e tyre shumë të rrepta. Mijëra individë u konsideruan të denjë pasi plotësuan kriteret e rrepta të besueshmërisë; të përhapur në të gjithë qytetërimin e ri islamik, ata rrëfenin, transmetonin si dhe jepnin mësim hadithet e Muhamedit (s.a.s).
Ashtu si shumë aktivitete të tjera intelektuale islamike, kritika e hadithit gjithashtu kërkonte udhëtim nëpër tokat e gjëra të islamit për të studiuar me ekspertët më të mëdhenj të hadithit në botë. Dhe siç ndodh me disiplinat e tjera islamike, askush nuk studionte një lëndë, por për më tepër mësonte nga një mjeshtër i gjallë.
Aq të rëndësishme që këto hadithe kanë qenë, sërish nuk mbetën i vetmi kujtim i Muhamedit (s.a.s). Ashtu si trëndafili që përhap aromën në mënyra të shumta, gjurmët e Muhamedit (s.a.s) kanë lënë gjithashtu shenjë në shoqëritë islamike në format më delikate. Ajo që përfundimisht u bë tradita sunite, e kujton Muhamedin (s.a.s) të ketë deklaruar se ai ka lënë "Librin e Allahut dhe Sunetin" për komunitetin, ndërsa shitët besojnë se Muhamedi ka thënë se ai do të lërë si udhëzim pas tij "Librin e Allahut dhe familjen".
Me fjalë të tjera, për myslimanët shiitë, familja e Profetit nuk është e ndarë nga kujtimi i të Dërguarit. Kush mund ta njihte Profetin më mirë se vetë familja e tij?
Mistikët e islamit, sufijtë, gjithashtu i gjurmonin shumë prej përvojave të tyre tek shembulli i Profetit. Ne tashmë kemi parë Miraxhin, ngjitjen qiellore të Muhamedit (s.a.s), që shërbeu si një paradigmë e eksperiencave shpirtërore për myslimanët e prirur mistikisht. Ndërkohë që sufijtë, si të gjithë myslimanët, ndjekin gjurmët e tyre prapa tek Profeti, në njëfarë mënyrë lidhja e tyre me Pejgamberin bëhet më ekzistenciale.
Si të gjithë myslimanët, ata citojnë hadithet, por preferojnë disa nga hadithet kudsi që theksojnë rolin kozmik të Profetit. Sufijtë shpesh janë kritikuar nga dijetarët e tjerë të islamit për mos mbështetjen në kriteret e rrepta të studimit të hadithit, por ata kanë raportuar se dija e tyre vjen nga një burim më pak i ndërmjetësuar.
Si gjithmonë, kujtimi i Muhamedit (s.a.s) është shoqëruar me jehona të shumta, ku shpesh këto jehona kanë qenë të diskutueshme nga brenda. Megjithatë, deri në ardhjen e modernizimit, këto qasje të ndryshme kanë qëndruar pak a shumë krah për krah, të disponueshme në formë zgjedhjesh për njerëzit e natyrave të ndryshme spirituale dhe intelektuale.
Një nga tiparet e përbashkëta të të gjitha pjesëve të qytetërimit islamik ka qenë përkushtimi ndaj Profetit, dhe që është shprehur në mënyra të shumta përgjatë shekujve. Ne tani do t‘i kthehemi një eksplorimi të disa prej mënyrave të ndryshme të jehonave të Muhamedit (s.a.s).