Komandantëve të ushtrisë
Nuk duhet kurrsesi që oficeri ta ndryshojë sjelljen ndaj atyre që ka nën vete, çfarëdo grade të arrijë dhe çfarëdo prestigj e pushtet që t’i jepet. Ai ka për detyrë t’i përdorë favoret që i dha Zoti për t’u ndenjur sa më afër njerëzve të tij e për t’u bërë mirë vëllezërve të tij. Kurse detyra ime ndaj jush është të mos ju mbaj gjë të fshehtë, përveçse në kohë lufte, të mos vendos për ndonjë çështje pa u këshilluar me ju, përveçse në çështje feje, të mos lë pas dore përmbushjen e të drejtave tuaja, por t’i mbaj parasysh e t’i respektoj një për një; së fundi, është detyra ime t’ju trajtoj të gjithëve barabar përpara së Drejtës.
E pasi t’i kem përmbushur të gjitha këto detyra të miat, për ju bëhet e detyrueshme që t’i shprehni Zotit mirënjohje për Mirësinë e Tij e të më bin deni e mos dredhoni, kur ju bëhet thirrje, as t’u shmangeni punëve të mira, por t’i përballni mundimet për hir të së Drejtës. E nëse s’veprohet kështu, askush nuk do të jetë më i ulët në sytë e mi, sesa ai që shkel përmbi detyrat.
Atëhere do ta rrit ndëshkimin për një të tillë e pas kësaj askush nuk duhet të shpresojë nga unë ndonjë lëshim. Të njëjtin zotim duhet të merrni dhe ju nga oficerët që keni nën vete, duke u sjellur në mënyrë që Zoti t’i bëjë punët tuaja si i dëshironi ju.