23. Testamen

 

Pasi Ibn Mulxhemi e goditi për vdekje me shpatë, Imam Aliu shqiptoi këto fjalë si testament të tij të vdekjes, pak përpara se të jepte shpirt:

 

Në amanetin tim të vdekjes, ju urdhëroj të mos vini tjetër në krah të Zotit e të mos shfaqni mospërfillje ndaj Sunnetit të Muhammedit; mbështetuni në të dyja këto shtylla e mbajini ndezur të dy këta fenerë. Vetëm kështu do ta ruani veten nga e liga. Deri dje kam qenë bashkëluftëtari juaj, sot jam vetëm mësimi juaj, kurse nesër do t’ju lë për fare. Në qoftë se mbijetoj, do t’i dal vet zot gjakut tim, e nëse vdes, do vdes nga vdekja që më është premtuar. Po të fal, kjo do të jetë një tjetër mjet i afrimit tim me Zotin; por dhe për ju do të jetë gjë e mirë. Prandaj falni. “Si? A nuk dëshironi që Zoti t’ju falë?!” (Kur’ani, 24:22).

 

Për Allah, kjo vdekje e papritur nuk është ngjarje që unë s’e pëlqej, as rastësi që do ish mirë të shmangej. Unë jam si ai që udhëton nëpër terr dhe e mbërrin bur imin në të aguar, apo si ai kërkuesi, që e ka gjetur, më në fund, atë që kërkonte. Për të virtytshmit është e mirë çdo gjë që është e Zotit.

Shënim nga Sejjid Raziu: Një pjesë e kësaj thënieje është paraqitur tash më në pjesë të tjera të këtij libri, megjithatë e quajtëm të nevojshme ta jepnim dhe një herë më vete, për shkak të materialit plotësues, që përmban.