Mu’avies
Njerëzit tanë (kurejshët.) vendosën të na e vrisnin Profetin e të na thanin në rrënjë.
Ata na krijuan shumë probleme, u sollën me ne barbarisht, na morën qetësinë e jetës, na mbajtën nën frikë, na detyruan të shpërnguleshim në një mal të shkretë.
(Në shpellën Shab-i Ebu Talib.) dhe ndezën flakët e luftës kundër nesh.
Në këto kushte, Zoti na dha vendosmëri e fuqi për të mbrojtur fenë e Tij dhe nderin e Tij. Ata nga ne që besonin, shpresonin në shpërblimin qiellor, e ata nga ne që s’besonin,
(Fjala është për beni Hashimin, dhe pikërisht për ata që akoma nuk e kishin përqafuar Islamin atë kohë, siç ishte Abbas bin Abdul Muttalibi e të tjerë.) na përkrahnin për hir të afërisë. Kurejshët e tjerë që u futën në Islam, nuk vuajtën si ne, për shkak të garancive mbrojtëse, që kishin me paganët, apo të vetë fisit, i cili mund t’u dilte përkrah. Jeta e tyre s’ka qenë në rrezik.
Rruga me Profetin ka shkuar përmes betejash e luftërash, e kur ato ndizeshin të egra e njerëzit frikësoheshin e largoheshin nga përleshja, ai do nxirrte në ballë të saj njerëzit e familjes për të mbrojtur bashkëluftëtarët e tij të tromaksur nga goditjet e shpatave dhe të heshtave. Kështu e dhanë jetën Ubeide bin Harithi në ditën e Bedrit, Hamzai në ditën e Uhudit dhe Xha’feri në ditën e Muta-s. Ishte edhe një tjetër, të cilit mund t’ia përmend emrin po të doni, (Aludim për vetë Imam Aliun.) i cili dëshiroi të binte martir, si ata, por atyre u kishte ardhur dita, kurse ai doli gjallë nga gjithë ato tmerre, sepse e kishte vdekjen ende larg.
Sa të habitshme janë kjo botë e kjo kohë, që më vënë në një rang me atë, (Me Mu’avien.) që nuk i ka shpejtuar hapat kurrë si unë, as ka arritje si të miat që ta nderojnë, veç në pastë ndonjë pretendim, për të cilin unë s’kam dijeni e për të cilin duket se nuk ka dije as vet Zoti.
Për sa i takon kërkesës suaj për t’ju dërguar vrasësit e Kalifit, kam menduar për këtë çështje e nuk e shoh të mundshëm dorëzimin e tyre në duart tuaja apo të dikujt tjetri. Për Allah, në qoftë se nuk do hiqni dorë nga rruga juaj e shtrembër e nga aktet përçarëse, ju keni për t’i njohur vet, me siguri. Vet ata do t’ju kërkojnë dhe do t’jua kursejnë mundimin e gjurmimit të tyre në tokë, dete, male dhe fusha. Po kjo do të jetë e mundimshme për ju dhe vizita e tyre s’do t’ju lumturojë aspak. Paqe qoftë mbi këdo që e meriton.
_______________
(Pasi Profeti i Shenjtë u lejua (Nga Zoti.) t’u bënte thirrje njerëzve që të besonin në Zotin e Vetëm, idhujtarët dhe paganët u bashkuan e u ngritën për t’i prerë rrugën së Vërtetës. Si rezultat, fiset kurejshe vendosën ta mbytnin këtë zë me anë të presioneve e të dhunës. Besnikëria e tyre ndaj zotave të rremë ishte e rrënjosur kaq shumë, saqë s’pranonin të dëgjonin qoftë edhe një fjalë të vetme kundër tyre. Vetëm ideja e një Zoti të Vetëm mjaftonte për të ndezur pasionet e tyre. Ishte koha kur ata po dëgjonin cilësime që u hiqnin zotave të tyre çdo vlerë e i zhvishnin nga çdo fuqi që mendohej se kishin, duke i katandisur në gurë të thjeshtë e të zakonshëm. Kur e kuptuan që parimet dhe besimet e tyre po rrezikoheshin seriozisht, nisën ta fyenin e poshtëronin Profetin dhe bënë ç’ishte e mundur për arritjen e qëllimeve të tyre, duke vënë në përdorim të gjitha mjetet. Ata sajuan lloj-lloj djallëzish dhe mundimesh për t’i shkaktuar Profetit vuajtje, aq sa ia bënë të pamundur dhe daljen jashtë shtëpisë. Të gjithë ata që e kishin pranuar tashmë Islamin, u desh të përballnin tortura të vazhdueshme. Ndodhte shpesh që ithtarët e besimit të ri të detyroheshin të rrinin shtrirë përdheu, në pikë të diellit, dhe të rriheshin me kamzhik e qëlloheshin me gurë, deri sa humbnin ndjenjat.
Kur mizoritë e Kurejshëve arritën në këtë pikë, Profeti i lejoi besnikët e tij që të iknin nga Meka dhe të migronin në Abisini. Kjo ndodhi në vitin e pestë të thirrjes së tij profetike. Kurejshët i ndoqën edhe atje, po mbreti bujar e i drejtë i Abisinisë nuk pranoi t’ua dorëzonte dhe s’lejoi t’u binin në qafë. Ndërkohë Profeti vazhdonte predikimet e tij dhe fuqia e ndikimi i së Vërtetës po jepnin frytet e tyre. Njerëzve u bënin përshtypje mësimet e personaliteti i tij dhe afroheshin e futeshin në vathën e tij. Si rezultat, Kurejshët u vunë në një pozitë tepër të vështirë dhe i forcuan edhe më shumë masat për të penguar rritjen e ndikimit dhe të fuqisë së tij. Por nuk mundën të arrinin gjë as në këtë mënyrë, prandaj vendosën t’i ndërprisnin të gjitha lidhjet me beni Hashimin e beni Abdul Mutalibin e të mos mbanin më kontakte e marrëdhënie me ta, në mënyrë që t’i detyronin të hiqnin dorë nga mbështetja për Profetin. Pas kësaj, ata do ta kishin lehtë të vepronin me të si t’u vinte për mbarë. Për këtë qëllim lidhën një marrëveshje të ndërsjelltë dhe shkruan një dokument të posaçëm me angazhimet përkatëse.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, për beni Hashimët bëhej e huaj çdo qoshe dhe rrugë e vendit të tyre. Fytyrat, dikur aq të njohura të bashkëqytetarëve të tyre, ktheheshin në anën tjetër, sikur të mos e kishin njohur kurrë njëri-tjetrin, megjithëse vendi ishte po ai dhe banorët ishin po ata. Të gjithë u larguan prej tyre e i prenë takimet e lidhjet me ta. Krahas kësaj, qarkullonin lajme se bëheshin plane për ta sulmuar Profetin befasisht në një luginë jashtë qytetit, gjë që e detyroi atë dhe njerëzit e tij të zhvendoseshin në një vend më të mbrojtur, të quajtur ‘Shab i Ebu Talib’.
Në këtë periudhë Islami nuk ishte pranuar ende nga të tërë beni Hashimët, megjithatë ata i pranuan gjithë këto mundime për hir të farefisnisë dhe u treguan të gatshëm t’i mbronin të afërmit e tyre sa herë të ishte e nevojshme. Kurse ata që ishin futur në Islam, si Ebu Talibi dhe Hamzai, merreshin aktivisht me mbrojtjen e Profetit, duke e gjykuar këtë gjë si një detyrim fetar. Ebu Talibi, në mënyrë të veçantë, hoqi dorë nga e gjithë qetësia dhe rehatia e tij personale. Ai ishte i zënë tërë kohës duke i bërë Profetit shoqëri, kurse netëve i rregullonte strehime të reja, duke vënë në vendin e natës së shkuar të birin, Aliun, që ta priste ai goditjen, në rast të ndonjë sulmi.
Kjo ishte një periudhë mundimesh e shqetësimesh të mëdha për të gjithë beni Hashimët. Kur mund të gjenin gjethe pemësh për t’i ngrënë, kush ishte si ata! përndryshe u duhej të vuanin nga uria.
Pasi kaluan tre vjet vuajtjesh të tilla, Zubeir bin Ebi Umeja, Hisham bin Amri, Mu’tim bin Adiu, Abdul Bukhtari dhe Zama bin Eswedi propozuan prishjen e marrëveshjes. Për të dis kutuar rreth këtij problemi, u mblodhën në Qabe personalitetet kryesore të kurejshëve. Akoma nuk ishte marrë ndonjë vendim, kur me ta u bashkua dhe Ebu Talibi, i cili vinte nga Lugina. Ai u tha: “Nipi im Muhammedi më ka thënë që letrën, ku keni shkruar marrëveshjen, e kanë ngrënë milingonat e bardha(Termitet.) dhe që në të s’ka mbetur gjë tjetër, përveç emrit të Zotit. Dërgoni që ta sjellin dokume ntin dhe shikojeni. Në qoftë se ka të drejtë ai, duhet të hiqni dorë ju nga urrejtja kundër tij; dhe në qoftë se e ka gabim ai, unë jam gati t’jua dorëzoj”. Atëhere shkuan të merrnin dokumentin dhe e kontrolluan. Milingonat e bardha e kishin ngrënë vërtet pothuajse të gjithë letrën, me përjashtim të fjalëve, ‘me emrin Tënd, o Zoti im’, që shkruheshin në krye të të gjithë dokumenteve të asaj kohe. Kur e pa këtë gjë, Mu’tim bin Adiu e grisi fare edhe atë copë të mbetur dhe, në këtë mënyrë, marrëveshja u prish.
Më në fund, beni Hashimët shpëtuan nga jeta plot mundime e padrejtësira; por edhe pas kësaj nuk pati ndonjë ndryshim të madh në sjelljen e idhujtarëve ndaj Profetit; në fakt, armiqë sia dhe ligësia e tyre kundrejt tij ishte aq e thellë, sa ata s’i pushuan planet për t’i marrë jetën. Si pasojë ndodhi dhe ngjarja madhështore e Shpërnguljes së Profetit nga Meka. Këtë herë Ebu Talibi s’jetonte më, por Aliu ishte aty, i gatshëm të vetëflijohej në shtratin e Profetit. Këtë mësim e kishte marrë nga i ati e përmes tij ia dilte të ruante jetën e Profetit. Këto ngjarje nuk ishin aspak të panjohura për Mu’avien, por duke ia rikujtuar paud hësitë e paraardhësve të tij, synohej të trazohej shpirti i tij i lig.
Duke i kujtuar mundimet që u shkaktuan kureishët dhe beni Abd Shemsët Profetit dhe pasuesve të tij, synohej që vetë ai të gjykonte për sjelljen e pasuesve të së Vërtetës dhe të pasuesve të së keqes. Pas kësaj do duhej që ai ta nxirrte vet përfundimin, nëse ishte duke ecur në rrugën e drejtë, apo në të njëjtën udhë të të parëve të tij.)