Mu’avie bin Ebu Sufianit
(Pasi frymëzoi dhe nxiti rebelimin e Talhait e Zubeirit, duke provokuar betejën e Xhemelit, Mu’avia e vazhdoi me zell të madh luftën e tij të ftohtë kundër Imam Aliut, duke synuar krijimin e një situate të përshtatshme për rrëzimin e tij me anë të forcës. Pjesë e kësaj lufte ishin dhe letrat e shumta që i shkruante Imam Aliut, me të cilat e këshillonte të pendohej, të bënte jetë të devotshme, etj. Imam Aliu ishte i detyruar t’u përgjigjej këtyre letrave, për të shmangur ndikimin e propagandës e të mashtrimeve që përhapnin.)
Kam marrë prej jush një tufë këshillash pa kuptim në letra të stolisura me fjalë të bukura dhe dinake. S’ka dyshim që i keni shkruar me ligësinë tuaj të lindur e duket qartas, se ju mungon mençuria, përderisa merrni përsipër të më jepni mend mua. Këto janë letra të një njeriu, që s’pati dritë për të parë rrugën, as udhërrëfyes që ta fuste në udhë të drejtë. Një i tillë ka prijës vetëm pasionin, i cili e ka bërë rob të verbër të tij. Vet udha e gabuar e udhëzon nga të shkojë, e ai vetëm ecën përgjatë saj. Dhe kështu, nis të flasë gjepura dhe të mbajë qëndrime të lajthitura.
Pjesë e po asaj letre:
Betimi për besnikërinë ka marrë fund përfundimisht dhe s’është më i hapur për rishikim, as ka ndonjë mundësi për prapësim të zgjedhjes. Kush s’i përmbahet rezultatit të saj, gjykohet se mban qëndrim mospajtues ndaj Is lamit, ndërsa kush tjerr diskutime të gjata rreth tij, është thjesht një hipokrit.