Përse i ndërtojmë xhamitë?
Cili është roli i xhamive në jetën tonë?
Cila është e drejta e xhamive ndaj nesh?
Kur shkoni në vendet islame, ju tërheq një pamje shumë familjare, e cila është sinor i tyre - kubetë dhe minaretë që lartësohen drejt qiellit dhe përcjellin ezanin për t'u falur. Xhamitë janë si nënat që thërrasin fëmijët e tyre dhe ata vijnë si zogjtë te klloçka. Ndërmjet xhamive dhe myslimanëve ka një lidhje të ndërtuar nga Allahu, kur Ai urdhëron që ata të falen në xhami dhe të ndërtojnë xhami. Allahu e ka thënë këtë në një ajet të Kur'anit të Shenjtë:
"… Drejtohuni vetëm nga Ai në çdo kohë dhe çdo vend faljeje dhe lutjuni Atij çiltërisht, me besim të pastër dhe të vërtetë…"
(El Araf (Surja 7), ajeti 29)
Transmetohet se Ebu Xhafer Sadiku (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë:
"Kushdo që ndërton xhami, Allahu do t'i ndërtojë atij një shtëpi në Xhenet."
(Al Mahaja Al Baida'a Volume 1, f. 356.)
Në jetën e tyre, njerëzit punojnë shumë dhe lodhen. Ata kanë nevojë të rifreskojnë fuqinë e tyre dhe ushqimin për të vazhduar jetën e tyre materiale. Si njerëz dhe si pasojë e punës sonë të vazhdueshme, ne kemi nevojë, gjithashtu, t'i mbushim shpirtrat tanë me fuqinë e duhur dhe të mjaftueshme shpirtërore për qëndresën e kësaj jete shpirtërore, për ta vazhduar dhe për ta shtuar fuqishëm lidhjen tonë me Allahun, nga e cila ne marrim forcën, shpirtin dhe moralin. Ne e fitojmë moralin tonë nga xhamia sepse ne kemi nevojë ta takojmë dhe ta vizitojmë Allahun. Allahu e di këtë nevojë dhe Ai është Bujar. Ai dëshiron të hapë një shtëpi për të na pritur ne.
Përcillet në një Hadith se në Dhiatën e vjetër të Biblës shkruhet se shtëpitë e Mia në Tokë janë xhamitë. I bekuar është robi i cili pastrohet në shtëpinë Time. Por mikpritësi duhet t'i nderojë miqtë e tij, sidomos besimtarët që ecin me Mua në xhami në dritën verbuese të Ditës së Gjykimit." (Al Mahaja Al Baida'a Volume 1, f. 356.)
Xhamia është një nga burimet e moralit dhe të fuqisë shpirtërore. Ajo është vendi ku mbildhemi për të mbrojtur fenë tonë dhe kombin tonë. Imam Khomeini ka thënë:
"Xhamitë janë vendstrehimet tuaja, prandaj i mbushni plot vendstrehimet tuaja." Në kohën e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), xhamia ishte Shtëpia e Allahut dhe burim i marrjes së moralit. Ajo ishte, gjithashtu, vendi ku qeveriseshin punët e popullit, ku përgatiteshin ushtritë për të mbrojtur Islamin dhe myslimanët, gjykatore për të gjykuar midis njerëzve, një vend ku myslimanët studionin problemet e tyre dhe një vend ku myslimanët takonin njëri-tjetrin. Xhamia ishte shkolla ku besimtarët mësonin rregullat e fesë nga imami i saj, pikërisht siç mësohej nga Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).
Në xhami njeriu mund të njihet me besimtarët dhe të bëhet shok e vëlla me ta. Dhe më e rëndësishmja, xhamia është vendi ku ne falemi. Në xhami, Allahu adhurohet bashkërisht. Aty nuk dallohet i pasuri nga i varfri, pronari nga i punësuari. Meqë xhamia është vendi ku falemi me xhemat, ajo është faktori përbashkues për myslimanët.
Imam Ali ibn Ebi Talibi (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka folur për të mirat dhe përfitimet që kemi kur shkojmë në xhami:
"Kushdo që shkon në xhami, do të fitojë një nga tetë gjëra: një vëlla besimi, dije të dobishme, një ajet të përpiktë, një mëshirë të pritur, një fjalë që e largon njeriun nga padrejtësia, një fjalë që e çon njeriun në rrugën e drejtë, largim prej gjynahut nga frika dhe turpi."
(Al Mahaja Al Baida'a, volume 1, f. 356.)
Xhamitë janë Shtëpitë e Allahut, Zotëruesit të të gjitha mirësive dhe bekimeve që gëzojmë dhe që na i ka dhënë pa ia kërkuar. Prandaj Allahu vendos si duhet të sillemi me xhamitë: "Në xhami shkojnë dhe xhamitë i mirëmbajnë ata që besojnë tek Allahu dhe te Dita e Fundit."
(Et Teube, (Surja 9), ajeti 18.)
Allahu do që ne të shkojmë në xhami dhe t'i mirëmbajmë xhamitë. Mirëmbajtja e trupit është t'i japësh ushqim; mirëmbajtja e shpirtit është të kryesh adhurimet. Po xhamitë si t'i mirëmbajmë? Po të meditojmë se xhamia është Shtëpia e Allahut, e të Madhit të më të Mëdhenjve, e Fuqisë së Qiejve dhe të Tokave, e Sunduesit dhe e Mbretit të Mbretërve, do të shohim që gjëja e parë që ne duhet të bëjmë për xhamitë, është ta madhërojmë Zotëruesin e tyre. Imam Sadiku (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë:
"Po mbërrite te dera e xhamisë, ta dish se ke ardhur te një mbret i madh dhe aty mund të hyjnë dhe të ulen vetëm ata që janë të pastër dhe vetëm ata që janë të çiltër. Atëherë, ejani t'i shërbeni këtij Mbreti!" (Misbah Al Sharia, f. 130.)
Xhamitë janë vendet ku adhurohet Allahu. Prandaj njeriu e ka detyrë ta ruajë shenjtërinë e tyre, duke i mbajtur ato të pastra, duke ulur zërin, duke përmendur vetëm Allahun, duke bërë adhurime të tilla, si namaz, lutje, duke bërë mësim etj. Ne nuk duhet t'ia kthejmë shpinën kurrë xhamisë. Imam Sadiku (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) thotë, gjithashtu:
"Tri gjëra ankohen tek Allahu: një xhami e braktisur, ku nuk falet askush; një dijetar midis njerëzve të paditur dhe një Kur'an i Shenjtë që është lënë në pluhur dhe askush nuk e lexon."
(Favor of Jumaa and Jama'a, f. 10)
Njeriu këshillohet shumë të pastrohet në shtëpi dhe pastaj të vijë në xhami për t'u falur në vende të ndryshme. Imam Sadiku (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) thotë, gjithashtu: "Faluni në vende të ndryshme të xhamisë, sepse çdo vend do të dëshmojë për faljen në Ditën e Gjykimit."
(Favor of Jumaa and Jama'a, f. 9,)
Imam Sadiku (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) thotë, gjithashtu: "Kushdo që shkon në xhami dhe shkel mbi sende të lagëta dhe të thata, do ta lavdërojë dheu deri në tokën e shtatë." (Ibid)
Nuk është mirë që një fqinj i xhamisë të falet diku tjetër. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Fqinji i xhamisë duhet të falet vetëm në xhami." (Ibid)
Allahu i Gjithëfuqishëm kërkon nga ne që ta bëjmë faljen të gjallë. Çdo gjë do bërë siç duhet. Të ndërtosh një karrige, do të thotë ta bësh atë të qëndrojë në këmbët e saj. Ta bësh një fëmijë të qëndrojë, do të thotë që ai të rrijë në këmbët e veta. Kështu është edhe falja. Ne duhet të kujdesemi ta bëjmë faljen me nderim të madh, me çiltëri, me përkushtimin e zemrës dhe me përulje përpara Allahut.
"Kjo nuk është e lehtë për t'u arritur." Atëherë, mënyra më e mirë për t'u falur dhe për t'u afruar tek Allahu është të bashkpunojmë për kryerjen e saj. Kjo bëhet nëpërmjet faljes me xhemat, sepse kur falemi bashkë, namazi do të na pranohet edhe sikur t'i pranohet një faltari të vetëm. Kur falemi me xhemat, shpërblimi dyfishohet. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i ka thënë një herë Xhibrilit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!):
"Çfarë shpërblimi do të ketë bashkësia (ymeti) ime në faljen me xhemat?"
"O Muhamed! Po të jenë dy faltarë, Allahu do t'i shkruajë një qind e pesëdhjetë falje për çdo rekatë dhe po të jenë tre, Allahu do t'i shkruajë gjashtë qind falje për çdo rekatë."
Më tej Xhibrili vazhdoi: "Po të bëhen mbi dhjetë, shpërblimi nuk do t'i matet kurrë, edhe sikur detet dhe oqeanet të bëhen bojë, drurët e tokës, njerëzit, xhindet dhe melekët të bëhen shkrues. O Muhamed! Kur thuhet 'Allahu Ekber' me imamin, është më mirë se gjashtëdhjetë mijë haxhinj dhe se kjo jetë dhe çfarë ajo përmban për shtatëdhjetë mijë herë. Një rekat i falur me imam është më mirë se njëqind mijë dinarë që jepen për një të varfër dhe një sexhde e bërë me imam është më mirë se lirimi i njëqind skllevërve." (Favor of Jumaa Jumaa and Jama'a, f. 11 - 12.)
79
Falja më e mirë me xhemat është të bëhet pas një dijetari të fesë. Imam Sadiku (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) thotë: "Falja me një dijetar fetar është e barabartë me një mijë rekatë."
(Favor of Jumaa and Jama'a, f. 12.)
1. Xhamitë janë sinorë për praninë e myslimanëve në një vend.
2. Xhamia është vendi ku myslimanët ripërtërijnë fuqitë e tyre shpirtërore.
3. Xhamia ka të drejtat e saj ndaj nesh dhe ne duhet t'i përmbushim këto të drejta.
4. Falja në xhami është falje me xhemat; ne bashkohemi për të na përfshirë Mëshira e Allahut.
22. Cilat janë të drejtat e xhamisë ndaj nesh?
23. Cili është shpërblimi i faljes me xhemat?
24. Thoni i Vërtetë ose i Gabuar në pohimet e mëposhtme:
a. Xhamia është vendi ku myslimanët bashkohen për të qenë një dorë.
b. Falja veças gjatë faljes me xhemat është e ndaluar.
c. Të falesh në shtëpi dhe ta lësh faljen me xhemat, e bën xhaminë të ankohet kundër nesh.
ç. Njeriu nuk mund të fitojë moral pa xhaminë.
Thuhet se Sejjida Zahra'a e pyeti një herë babanë e saj (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!):
"O baba! Çfarë thua ti për burrat dhe gratë që janë të plogët kur falen?"
Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) u përgjigj:
"Oj Fatime! Ai që e fal namazin me plogështi, do të dënohet me pesëmbëdhjetë mënyra, gjashtë në këtë jetë, tri kur të vdesë, tri në varrin e tij dhe tri në Ditën e Gjykimit.
Për dënimet në këtë jetë:
Allahu do t'i heqë bekimin e moshës, të jetesës dhe të riskut dhe do ta lërë pa tiparet e njeriut të mirë në fytyrën e tij dhe çdo vepër që do ta bëjë, nuk do ta marrë shpërblimin për aq sa bën, lutja e tij nuk do të shkojë në qiell dhe nuk do ketë pjesë në lutjen për mirë.
Për dënimet në vdekje: ai do të vdesë i poshtëruar; ai do të vdesë i uritur; ai do të vdesë i etur. Po t'i jepen lumenjtë e kësaj bote për të pirë, asnjë lumë nuk do t'ia shuajë etjen.
Për dënimet në varr: Allahu do t'i dërgojë atij një melek që e shqetëson atë, pastaj ia ngushton dhe ia errëson varrin.
Për dënimet në Ditën e Gjykimit:
Allahu do t'i dërgojë atij një melek, që do ta tërheqë zvarrë me fytyrë përmbys, kur të tjerët e shohin; pastaj do të gjykohet rreptë dhe në fund, Allahu nuk do t'ia hedhë sytë dhe nuk do ta caktojë për në Xhenet dhe do të vuajë dënimin më të rëndë." Al Mustadrak.