Përse na ka urdhëruar Allahu të falemi?
Cila është vlera e faljes?
Cilët janë ata që e kryejnë realisht namazin?
Deri tani folëm se si i përgjigjemi thirrjes së Allahut për t'u pastruar sepse Allahu i do ata që pendohen dhe pastrohen. Tani, të mësojmë se si t'i përgjigjemi thirrjes së dytë të Allahut, duke kryer detyrimin më të madh: faljen. Falja është mjeti për t'u lartësuar tek Allahu dhe është detyrim i çdo besimtari të përkushtuar. Le të njohim së pari arsyen përse Allahu na ka urdhëruar për t'u falur.
Ali bin Ebi Talib (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), Prijësi i besimtarëve, thotë:
"Allahu i ka krijuar të gjitha krijesat e Tij, por Ai nuk ka nevojë për bindjen e tyre sepse as gjynahet e tyre, as bindja e tyre nuk ndikojnë tek Ai." (Bihar el Anuar (Detet e Dritës), vëll: 64, f. 342.)
Allahu e di se ne na rrëmbejnë problemet dhe kënaqësitë e jetës dhe se mund të harrojmë veteveten. Kënaqësitë e jetës mund të na rrëmbejnë jetët tona dhe paratë tona. Dëfrimet dhe kotësitë mund të na shmangin nga qëllimi i krijimit tonë. Kështu, mund ta harrojmë Krijuesin tonë dhe të humbasim. Ne mund të shijojmë vetëm gjërat lëndore të jetës dhe nuk arrijmë të kujtojmë kënaqësitë e adhurimit dhe të njohjes së Allahut.
I Gjithëfuqishmi nuk ka qëllim të na privojë nga kënaqësitë shpirtërore të jetës, por do që ne të shijojmë ëmbëlsinë e njohjes së Tij dhe të qenies afër Tij. Ai do të na çojë nga luginat e neglizhencës dhe nga fushat e lojës te shpëtimi, duke e përmendur Atë, duke e adhuruar Atë dhe duke u afruar tek Ai. Ai e di se ne kemi nevojë për një lidhje të fortë ndërmjet Atij dhe nesh. Ai e di se ne kemi nevojë për diçka që i qetëson shpirtrat tanë.
Ai di se ne kemi nevojë për diçka që i pastron shpirtrat tanë dhe zemrat tona nga gjurmët e gjynaheve dhe të pakujdesisë. Prandaj, Ai na ka dhuruar një mjet të përhershëm, për ta mbajtur këtë lidhje të fortë - faljen (namazin). Allahu thotë: "… Dhe kryejeni faljen rregullisht për të më kujtuar Mua!" (Ta Ha (Surja 20), ajeti 14.)
Kështu, qëllimi i faljes është ta kujtojmë Allahun, Bujarin që na ka krijuar ne, që na dërgon vazhdimisht mirësitë e Tij dhe që kujdeset vashdimisht për ne dhe Ai e meriton ta përmendim Atë gjithnjë dhe ta mbajmë Atë gjithnjë në mendje. Ne kemi nevojë patjetër të falemi, kurse Ai nuk ka nevojë për faljen tonë. Mirësia që Ai na ka lejuar që ne të falemi për Të, është kaq e madhe. Imam Sexhadi thotë: "Mirësia Jote më e rëndësishme është të të mbajmë në gjuhët tona duke të përmendur Ty." (As - Sahifa Al - Sijadiah, f. 418)
Në ajetin e mëparshëm falja konsiderohet kujtim i Allahut. Nëpërmjet faljes njeriu lidhet me Allahun. Falja është ndër veprat më të rëndësishme të njeriut. Ajo e bën njeriun ta kujtojë Allahun vazhdimisht. Ajo e forcon lidhjen e njeriut me Allahun. Ajo e zgjon njeriun dhe e drejton për në rrugën e drejtë.
Ajo nuk e lë njeriun të bjerë në rrugë të shtrembër. Ajo është një zgjim që e bën njeriun të mos zhytet në kënaqësitë e kësaj jete. Ajo i thotë njeriut se ka vetëm një Zot, se ka Xhenet dhe Xhehenem. Ajo i thotë njeriut se ai ka përgjegjësi e detyra më të rëndësishme të tjera para punës, gjumit, parasë e dëfrimit. Falja i kujton njeriut qëllimet e vërteta të ekzistencës së tij dhe kështu, ai nuk i harron këto qëllime, ndërkohë që ka edhe probleme të tjera. Falja na kujton Allahun; ne kujtojmë qëllimet tona; ne kujtojmë Jetën Tjetër.
Falja është zbatimi praktik i shtyllave të fesë. Ajo është zbatimi praktik i monoteizmit sepse është dëshmi praktike e njeriut për monoteizmin, sepse cilësohet vetëm Allahu, Ai që duhet adhuruar. Këtë e themi në vetë faljen, "Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkojmë" dhe kur shqiptojmë dëshminë, "Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut" dhe kur pohojmë profetësinë e profetit Muhamed: "Dhe unë dëshmoj se Muhamedi është rob i Tij dhe i Dërguari i Tij."
Kur vazhdojmë më tej faljen, siç na ka mësuar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), ne zbatojmë besimin në Jetën Tjetër - Xhenetin dhe Xhehenemin. Prandaj ne falemi me gjithë zemër, duke pranuar "Zotin e Ditës së Gjykimit". Ja përse imam Bakiri ka thënë: "Njeriu do të japë llogari për faljen. Po të pranohet ajo, të gjitha të tjerat do të pranohen, gjithashtu." (Al Kafi, volume 3, f. 268)
Kjo është një pyetje që na imponohet. A konsiderohet ndër ata që falen ai që thotë Allahu Ekber, këndon ajetet e faljes, bie në ruku, bie në sexhde?
A ka falja karakteristika të caktuara përpara Allahut? Besimtari im i nderuar! Përgjigjja juaj e parë mund të jetë mohuese. Atëherë, cilët janë ata që janë të ngulmët në falje?
Përgjigjja është: Ata që e përmendin Allahun e Gjithëfuqishëm. Asnjë falje nuk e përmbush qëllimin e saj, në qoftë se bëhet pa kujdes dhe duke harruar Allahun. Për rrjedhojë, ajo nuk është falje.
Allahu thotë:
"Mjerë ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm! " 38
Allahu e cilëson pakujdesshmërinë e tyre si një të keqe të tmerrshme. Ai thotë:
"O ju që keni besuar! Mos iu afroni namazit me mendje të mjegulluar, derisa ta kuptoni gjithçka që thoni!" 39
Ky është një paralajmërim për pakujdesinë tonë për çfarë themi dhe për çfarë bëjmë. Që të jetë falja ashtu siç duhet, sepse kur falemi jemi para Allahut e Allahu na sheh, ne duhet të jemi të përulur dhe ta ndiejmë forcën e fjalëve dhe forcën e Atij të cilit i drejtohemi:
"Ata që janë të përulur në namazin e tyre." (El Mu’minun (Surja 23), ajeti 2.)
Fytyra e imam Aliut (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ndryshonte kur donte të pastrohej nga frika nga Allahu. (Bihar el Anuar, volume 67, f. 400.)
Kur vinte koha e faljes, ai dridhëronte dhe kur e pyesnin ç'ndodhte kështu me të, ai thoshte:
"Ka ardhur koha për besimin që iu ofrua qiejve dhe Tokës dhe qiejt dhe Toka nuk e pranuan sepse kishin të njëjtën frikë." (Haka' ik, f. 222.)
Nga ana tjetër, falja e vërtetë duhet të ndikojë në jetën e njeriut. Ai që falet duhet të jetë njeri i mirë e të sillet mirë sepse falja ka një qëllim aspirues - ta bëjë njeriun të mirë. Për këtë Allahu thotë: "… Dhe fale namazin rregullisht sepse namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar…" (El Ankebut (Surja 29), ajeti 45.)
Një njeri që vetëm betohet, nuk është ndër ata që falet. Ai që shkel të drejtat e njerëzve në pasurinë e tyre, në paranë e tyre, në nderin e tyre dhe në reputacionin e tyre, nuk është njeri që falet. Prandaj i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
"Ai, namazi i të cilit nuk e ndalon nga veprat e shëmtuara dhe të këqija, nuk është nga ata që falet."
Pasi marrim abdes ose bëjmë gusul, qëndrojmë drejt përpara Kibles. Themi All’llahu Ekber një herë, domethënë, Takbirat el Ihram. Këndojmë suren El Fatiha. Këndojmë ndonjë sure tjetër të vogël (p.sh., El Ikhlas etj.). Themi All’llahu Ekber një herë, përkulemi duke vënë duart në gjunjë (rekati i parë) dhe themi: "Subhane rabbijel adhiim ue bihamdih". Qëndrojmë përsëri në këmbë dhe themi All’llahu Ekber një herë dhe pastaj shkojmë në sexhde. Bëjmë sexhden me katër pjesët e trupit, të cilat janë: balli, pëllëmbët e duarve, gjunjët dhe gishtat e mëdhenj të këmbëve. Pasi kemi vënë ballin në sexhde, themi: "Subhane rabbijel a’la ue bihamdih."
Themi All’llahu Ekber një herë dhe ngremë kokën e rrimë drejt; pastaj themi All’llahu Ekber një herë dhe bëjmë siç bëmë në sexhden e parë. Ngrihemi për të kryer rekatin e dytë dhe veprojmë siç vepruam në rekatin e parë, përveç Allahu Ekber të parë. Pasi kemi bërë sexhden e dytë, kur falim namazin e sabahut, themi:
"Esh’heduen la ilahe il’l all’llah Uahdehu la Sheriike leh ue esh’heduen’ne Muhammeden abduhu ue Resuluhu, All’llahumme sal’li ala Muhammed ue ali Muhammed"
(Unë dëshmoj se Allahu është i vetmi Zot, i Cili nuk ka shok dhe se Muhamedi është robi i tij dhe i Dërguari i Tij; paqja qoftë mbi Muhamedin dhe mbi pasardhësit e tij!)."
Pastaj themi: "Es’selamu alejke ej’juhen nebij’ju ue rahmetull’llahi ue berekatuhu" (Paqja, mëshira dhe mirësitë e Allahut qofshin mbi ty, o i Dërguari i Allahut! Paqja, mëshira dhe mirësitë e Allahut qofshin mbi ne dhe mbi adhuruesit e përkushtuar të Allahut! Paqja, mëshira dhe mirësitë e Allahut qofshin mbi ju!)."
1. Vendi ku bëhet sexhdja, duhet të jetë i pastër dhe nuk duhet të ketë copëra ushqimesh ose rroba e sende të tjera.
2. Mos fol, as mos lëviz gjatë faljes!
3. All’llahu Ekber (Tekbirat el Ihram) i parë duhet të thuhet një herë. Në qoftë se e thua atë përsëri, të dy bëhen të pavlefshëm.
4. Kur fal namaz, që ka tre rekatë dhe pas sexhdes së dytë të rukusë së dytë, thua vetëm pjesën e parë të Dëshmisë; pastaj ngrihesh për të vazhduar rekatët e mbetur. Ti mund të këndosh vetëm suren El Fatiha ose vetëm të thuash "Subhanall’llah uel hamdulil’lah ue la ilahe il’lall’llah uall’llahu Ekber" (I Lavdëruar qoftë Allahu dhe mirënjohja qoftë për Allahun dhe nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Allahu është më i madhi) një herë ose tri herë. Kur mbaron rekatin që ka mbetur, thoni përsëri Dëshminë si më lart. Allahu i pranoftë veprat tuaja dhe tonat!
Meqë në jetën tonë kemi dëshira dhe kënaqësi, Allahu e di se ne kemi nevojë për një lidhje të fortë, që të mos e harrojmë Atë dhe që të kemi brenda vetes paqe dhe pastërti. Ja përse falja e forcon këtë lidhje me Allahun. Ajo është zbatim praktik për shtyllat e fesë.
13. Përse na ka urdhëruar Allahu të falemi, megjithëse Ai nuk ka nevojë për këtë lloj adhurimi tonin?
14. Cilat janë ato veprime që ne duhet t'u kushtojmë vëmendje kur kryejmë namazin?
15. Thoni i Vërtetë ose i Gabuar në pohimet e mëposhtme:
a. Nuk duhet të rrimë në gjunjë pas sexhdes.
b. Allahu nuk i pranon veprat e atyre që e trajtojnë namazin me mendjelehtësi.
c. Falë mëshirës së Tij, Allahu i pranon të gjitha namazet e atyre që i kryejnë ato.
ç. Namazi na jep forcë për të përballuar veprat e shëmtuara dhe të padrejta.
Muzika, këngët dhe vera po u çorodisnin kokat atyre që ishin brenda. Ndërkohë, një robinë haremi doli nga shtëpia për të hedhur mbeturinat. Në rrugë ndeshi një burrë, që dukej si adhurues. Burri kaloi pranë dhe e pyeti atë:
"A është pronari i kësaj shtëpie skllav apo njeri i lirë?"
"Njeri i lirë", u përgjigj ajo. "Kështu është", - tha burri.
"Po të mos kishte qenë njeri i lirë, ai do ta kishte frikë pronarin e tij."
Kur erdhi robina, pronari i saj e pyeti "Përse u vonove kaq shumë?"
Ajo i tregoi atij çfarë kishte ndodhur me të dhe me njeriun në rrugë. Kur ajo mbaroi, pronari i saj meditoi për fjalinë e fundit, 'Po të mos kishte qenë njeri i lirë, ai do ta kishte frikë pronarin e tij', sepse ajo e goditi në zemër. Pastaj ai doli e vrapoi këmbëzbathur pas njeriut. Njeriu kishte qenë imam Musa ibn Xhafer (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).
I shprehu pendesën atij dhe që atëherë nuk mbathi gjë në këmbë derisa vdiq. Përpara asaj dite pronari i shtëpisë njihej me emrin Ebi Nasr Bishr ibn Harith ibn Abdul Rahman el Maruzi. Pas kësaj dite ai u bë i njohur me emrin 'Bishr Këmbëzbathuri'. Bishri njihej për dashurinë e tij për argëtime e dëfrime pa mbarim; por, me siguri, fjala e imam Musa ibn Xhaferit ndikoi shumë tek ai dhe u bë arsyeja për pendimin e tij. Bishri u bë një adhurues i ditur.