Si i përgjigjemi thirrjes?
Përse pastrohemi?
Si pastrohemi?
Hyrje:
Në mësimin e mëparshëm kemi mësuar që Allahu do nga ne të bëjmë dhe të jetojmë jetën e vërtetë, e cila nuk mund të arrihet në qoftë se nuk e njohim Atë dhe në qoftë se nuk e nderojmë vetveten duke u afruar më shumë tek Ai. Prandaj, Allahu na ka thirrur dhe ne duhet t'i përgjigjemi kësaj thirrjeje e t'i jemi mirënjohës Atij që na ka nderuar ne dhe që kujdeset për ne. Kjo përgjigje, siç dihet, ka moralet dhe format e saj të pastrimit, faljet, këndimin e Kur'anit, duanë dhe lutjen etj… Tani le të fillojmë me pastrimin, për t'iu përgjigjur thirrjes së Allahut.
Në mësimet e mëparshme kemi thënë që gjatë gjithë jetës sonë ne kërkojmë lumturinë e vërtetë. Ne kemi thënë, gjithashtu që e vërteta për të cilën ne jemi krijuar dhe kënaqësia më e madhe që do të arrijmë ndonjëherë është ta njohim Allahun dhe ta adhurojmë Allahun. Vërtet, kjo është krenaria dhe lumturia më e madhe. Siç u tha më parë, ne jemi thirrur nga Allahu për t'iu afruar Atij. Allahu na ka nderuar me këtë thirrje.
Le të supozojmë sikur një njeri i madh, i përmendur na ka ftuar në një ceremoni. Gjatë ceremonisë ai duhet të nderohet. Mikut i pëlqen të fitojë miqësinë e mikpritësit. Për këtë arsye ai përpiqet të kujdeset për çdo gjë, në mënyrë që të ndihet i nderuar e ta takojë mikpritësin. Miku do të bëjë çmos të jetë sa më afër këtij njeriu. Dhe ai bën dush, parfumoset, vesh rrobat më të mira dhe shton ndonjë zbukurim që të duket sa më i përshtatshëm. Po ta dijë ai se mikpritësit nuk i pëlqen diçka, nuk do ta bëjë. Pra, Allahu na do t'i afrohemi Atij të zbukuruar me gjithçka që e shton afërsinë dhe miqësinë me Atë.
Allahu na do të heqim gjithçka që do ta bënte Atë ta largonte fytyrën e Tij nga ne. Atë që Allahu e do shumë nga ne, është ta pastrojmë veten nga të gjitha papastërtitë lëndore dhe jolëndore sepse ato na pengojnë që të afrohemi tek Ai. Prandaj Allahu na drejton te rruga që na çon te fitimi i dashurisë së Tij. Allahu thotë: "… Dhe Allahu i do ata që e pastrojnë veten." Allahu i do ata që e qortojnë dhe e pastrojnë veten nga mëkatet. Allahu i do ata që e pastrojnë veten nga ndyrësitë dhe papastërtitë. Allahu thotë, gjithashtu: "Në të ka njerëz të cilët duan të pastrohen dhe Allahu i do ata që e pastrojnë veten e tyre." (Et Teube (Surja 9), ajeti 108.)
Gjërat lëndore janë imazhi i gjërave jolëndore. Për shembull, kur një njeri nuk kujdeset për trupin e tij, domethënë, kur nuk pastrohet, nuk lahet, pasojat janë këto: Trupi do të bëhet i papastër dhe gjurmët e papastërtisë do të duken në organet e trupit. Rrobat do të bëhen të papastra dhe ai do të duket i neveritshëm
Një erë e rëndë do të ndihet nga trupi dhe rrobat e tij. Të gjitha këto çojnë në shtimin e mikrobeve, të sëmundjeve dhe pastaj të vdekjes; shto këtu edhe neveritjen që u sjell njerëzve të tjerë. Prandaj, pastërtia është shumë e rëndësishme për shpëtimin e trupit dhe të shpirtit.
Ja përse Prijësi i besimtarëve (paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë:
"Pastroni rrobat, mos u hidhëroni dhe mos u mërzisni sepse kështu jeni të pastrër për namaz!"
(Truths, f. 215)
I Dërguari më i madh (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Papastërtia është gjëja më e keqe që mund të bëjë një rob." (Truths, f. 215)
Dhe: "Pastërtia është gjysma e besimit." (Truths, f. 215)
Njeriu ka dy dimensione:
Paraqitjen e tij dhe trupin e tij.
Brendësinë e tij dhe shpirtin e tij.
Pastërtia e veshjes dhe e trupit është pastërtia e jashtme, kurse pendimi dhe puna e mirë janë pastërtia e brendshme. Siç duhet të kujdesemi për pastërtinë e trupit, të rrobave, të ushqimeve dhe të ujit, po kështu duhet të kujdesemi për dijen që marrim, me qëllim që të mos e infektojmë shpirtin tonë me mëkate dhe me vepra të këqija. Duke u pastruar nga papastërtia lëndore me ujë, ne e mbajmë trupin të pastër dhe bëhemi dinjitarë kur takohemi me njerëz.
Po kështu është pastrimi nga papastërtitë jolëndore. Papastërtia që kërkon abdes ose gusul e pengon njeriun të jetë ndërmjet atyre që falen ose ndërmjet atyre që janë në Shtëpinë e Allahut në Mekë. Meqë Allahu e di ndikimin e gjumit, të urinimit, të marrëdhënies seksuale dhe të prekjes së trupave të vdekur dhe meqë Ai e di se këto na pengojnë ta adhurojmë Atë, Ai Vetë na mëson si t'i shmangim këto pengesa.
Imam Rizai (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë për abdesin:
"Robi duhet të pastrohet sa herë qëndron përpara Allahut për sexhde, duke iu bindur kështu Atij në të gjithë urdhrat e Tij. Pastrimi fshin plogështinë dhe përgjumjen dhe pastron zemrën, për të qenë e përshtatshme për të dalë përpara Allahut."
Papastërtia është dy llojesh: papastërti lëndore dhe papastërti jolëndore (rituale). Papastërtia lëndore: është papastërtia në trup ose në veshje: urina, feçet, gjaku, sperma, qeni, derri, pijet alkoolike, dhe trupat e vdekur. Papastërtia jolëndore (hadath), e cila ka të bëjë me veprime të caktuara të njeriut, ka dy aspekte:
Papastërtia që ka të bëjë me ritualin e vogël - veprime që kërkojnë pastrimin e vogël (abdesin), të tilla si, dremitja, urinimi, feçet, pavetëdijëshmëria etj. Papastërtia që ka të bëjë me ritualin e madh - veprime që kërkojnë pastrimin e madh (gusul), të tilla si, marrëdhëniet seksuale, prekja e trupit të një të vdekuri etj.
I dashur vëlla! Mëso nga ajo që ke parë në jetë! Jeta e vërtetë e njeriut është në zemrën e tij dhe në shpirtin e tij dhe jo vetëm në trupin e tij. Pastërtia e trupit dhe e veshjes janë një detyrim, por realiteti i njeriut është brenda zemrës së tij. Supozojmë se një njeri është shumë i kujdesshëm dhe i rregullt në mbajtjen e pastërtisë së tij të jashtme, por ka gjuhë vulgare dhe të turpshme, do të quhej ai i pastër? Nëse një njeri është dashakeqës dhe ka zemër të zezë, a do të quhej ai i pastër? Trupi dhe rrobat kanë pastërtinë e tyre, ndërsa zemra dhe shpirti kanë integritetin dhe dëlirësinë e tyre.
Prandaj le të jemi shumë të kujdesshëm në pastërtinë e zemrave tona! Le të mos i bëjmë ato ta harrojnë Allahun! Le t'i pastrojmë ato me ujin e pendimit! Le t'i rigjallërojmë gjithmonë ato me dije, me punë të mira dhe me besime e doktrina të vërteta! A e ke spastruar zemrën tënde me ujin e shlyerjes së fajit? A e ke spastruar gjuhën tënde nga mëkati i thashethemeve dhe i paçiltërsisë? A e ke spastruar shpirtin tënd nga urrejtja, paragjykimi dhe zilia? Nëse e ke bërë këtë, atëherë ti je ndër të pastruarit e ndër të penduarit dhe ndër ata që i duan Allahu dhe i Dërguari i Tij (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).
Shkoni në vendin ku merret abdesi: Lani fytyrën me dorën e djathtë vertikalisht nga floku në mjekër dhe horizontalisht sa hapësira midis gishtit të madh dhe gishtit të mesëm. Një herë është e mjaftueshme. Lani krahun e djathtë nga bërryli deri te majat e gishhtërinjve. Lani krahun e majtë nga bërryli deri te majat e gishtërinjve.
Fshini me dorën e lagur majën e kokës nga sipër deri poshtë, të paktën sa gjerësia e gishtit. Me pëllëmbën e lagur të dorës së djathtë fshini këmbën e djathtë nga maja e gishtërinjve deri te mesi i këmbës e deri te nyja. Me pëllëmbën e lagur të dorës së majtë fshini këmbën e majtë nga maja e gishtërinjve deri te mesi i këmbës e deri te nyja.
Para se të merrni abdes, sigurohuni që gjymtyrët të jenë të pastra dhe hiqni të gjitha materialet që e pengojnë ujin. Uji duhet të jetë i pastër dhe i rrjedhshëm. Lani fytyrën nga lart poshtë; lani duart nga bërrylat deri te gishtërinjtë. Veprimi i kundërt nuk lejohet. Po kështu, edhe me kokën: nuk lejohet kalimi i dorës nga poshtë lart.
Allahu do që të shkojmë tek Ai me zbukurimet tona dhe me gjithçka që e shton afërsinë dhe miqësinë me Të. Ai do që ne ta zhdukim gjithçka që e bën Atë të largohet nga ne. Prandaj ne duhet të shkojmë tek Allahu me gjithë pastërtinë tonë dhe pendimin tonë. Pastërtia e trupit është ndër gjërat që theksohet nga Allahu për të gjitha kohët, veçanërisht kur përpiqemi t'i afrohemi Atij dhe të komunikojmë me Të. "… Allahu i do ata që e pastrojnë veten dhe pendohen."
10. Thoni tri hadithe për pastërtinë.
11. Cili është dallimi midis papastërtisë së vogël rituale dhe papastërtisë së madhe rituale (hadath akbar dhe hadath asghar)?
12. Thoni i Vërtetë ose i Gabuar në pohimet e mëposhtme:
a. Allahu na ka urdhëruar të marrim abdes dhe të bëjmë gusul për punë pastërtie.
b. Eulijatë janë ata që nuk interesohen për trupin e tyre dhe kurrë nuk kujdesen për shpirtrin e tyre.
c. Abdesi ka dy larje dhe dy fshirje.
ç. Dora e djathtë dhe dora e majtë duhet të lahen tri herë.
Hasani dhe Huseini (Paqja qoftë mbi ta!) kaluan pranë një plaku që po merrte abdes. Ata panë se plaku po merrte abdes keq. Ata (Paqja qoftë mbi ta!) ishin fëmijë, por rregulli fetar i detyronte ta udhëzonin plakun të merrte abdes mirë. Por, si do ta bënin këtë pa e prekur në sedër plakun dhe pa i shkaktuar plagë në shpirtin e tij?
Plaku mund ta merrte këshillën e tyre si përçmim dhe me qëllim ai mund të ngulmonte në mënyrën e tij. Dy djemtë e vegjël menduan pak dhe erdhën te ideja që ta ndihmonin dhe ta udhëzonin plakun jodrejtpërdrejt. Ata bënë sikur po grindeshin me njëri-tjetrin dhe secili prej tyre akuzonte tjetrin se nuk dinte si merrej mirë abdesi.
Përfundimisht, ata vendosën të shkonin te plaku për ta zgjidhur grindjen.
Iu afruan atij dhe i thanë:
"O babush! Ju lutemi, bëhuni arbitri ynë."
Plaku pranoi. Të dy djemtë filluan të merrnin abdes përpara tij dhe plaku i vështronte. Kur mbaruan, e pyetën plakun se cili e kishte marrë abdesin mirë.
Plaku u përgjigj:
"Të dy e morët mirë, kurse plaku nuk e ka marrë mirë abdesin dhe e mësoi nga ju."