Parathënie
Faleminderimi dhe lavdia i takon Zotit të botëve, paqja dhe bekimet qofshin mbi Muhamedin i cili u zgjodh si mëshirë për botët, i cili është i pari i atyre para dhe pas tij, dhe i pastër nga të gjithë mëkatet dhe mangësitë.
Paqja dhe bekimet qofshin mbi pasardhësit e tij të zgjedhur e të pastër - Ehli Bejtin, të cilët janë yjet e udhëzimit dhe llambat që ndriçojnë në errësirën e botës, pra Imamët - pararoja e umetit musliman.
Po, në këtë libër u jam përgjigjur kryesisht pyetjeve të parashtruara nga myslimanët kuriozë, veçanërisht ata nga drejtimi suni, atyre që kanë rezervuar ekskluzivisht për vete ndjekjen e sunetit të pastër të Profetit, paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe pasardhësit e tij të pastër, e të cilët kanë gjykuar myslimanët e tjerë, dhe nganjëherë edhe janë tallur me ta.
Mjerisht, në shumë vende islame, gjithnjë e më shumë po themelohen shoqatat të reja nën pretekstin e mbrojtjes së Sunetit të pastër të Muhamedit, s.a.v.a., ose nën emrin e miqve të Sunetit dhe ndihmësve të sahabëve. Shtypen libra të panumërt në të cilët shiat dhe Imamët e tyre akuzohen dhe përbalten, duke i quajtur të pafe, ndërsa dijetarët e tyre i tallin, ndërkohë që të gjitha këto ide i plasojnë në gjithë botën islame dhe joislame përmes mediave masive ndërkombëtare, kështu që kjo ka eskaluar deri në atë pikë sa që edhe bisedat e rëndomta të njerëzve janë redukuar në debat mbi relacionin suni - shia.
Dhe shumë herë ka ndodhur që në raste të ndryshme jam takuar me të rinjë, të etur për të vërtetën, me intelektualë që hulumtonin të vërtetën mbi shiat dhe të cilët, pasi që në këto biseda fitonin njohuri për mësimet e shiave dhe nga literatura e lexuar, viheshin para dilemës se ku është fshehur e vërteta? Me disa prej tyre kam biseduar personalisht duke u dhuaruar librin tim Mandej u bëra i udhëzuar, ashtu që një pjesë e konsiderueshme e tyre, pas një serie diskutimesh dhe bisedash në kërkim të së vërtetës, e pranuan të vërtetën mbi Ehli Bejtin duke i mbetur besnik atyre.
Mirëpo kjo përkon vetëm me ata të cilët kanë patur rastin të takohen dhe të bisedojnë me mua. Sa i përket pjesës tjetër të rinisë, që nuk kanë patur rastin të njihen me shiat, pa dyshim se me të dëgjuar të këtyre ideve shqetësohen dhe zemërohen.
Sado të shumta, të fuqishme dhe të qarta të jenë argumentet e shpalosura në librat Mandej u bëra i udhëzuar dhe Në shoqëri me të sinqertit, ato megjithatë duket se nuk mjaftojnë për t'u ballafaquar me idetë agresive dhe të rrezikshme dhe me propagandën helmuese e cila stimulohet përmes buxheteve të mëdha të petro-dollarit nga shtete të caktuara dhe publikohet përmes mas mediave të dirigjuara.
Gjithësesi unë jam plotësisht i bindur se zëri i së vërtetës do të depërtoj në gjithë atë zhurmë, se rrezet e dritës do ta heqin velon e errësirës, ngase premtimi i Allahut është i vërtetë:
„Ata duan ta shmangin dritën e Allahut me gojët e tyre, ndërsa Allahu do të bëjë që drita e tij të dominojë, madje edhe nëse jobesimtarëve iu vie rëndë“.Saff, 8
“Ata që nuk besojnë shpenzojnë pasurinë e tyre që t'i largojnë nga rruga e Allahut. Ata me siguri se do ta harxhojnë atë, ndërsa më vonë për këtë do të ndjehen keq dhe në fund do të jenë të mundur. Ndërsa ata që nuk do të besojnë – do të dëbohen në Ferr.“ Anfal, 36
Andaj dijetarët, shkrimtarët dhe intelektualët e kanë për obligim që t'i eliminojnë problemet e kësaj natyre dhe t'ia tregojnë të tjerëve rrugën e vërtetë. Allahu i Lartësuar thotë:
„Ata që do t'i fshehin dëshmitë e qarta, të cilat Ne i kemi shpallur dhe rrugën e vërtetë të cilën njerëzve ia kemi treguar në libër, ata Allahu do t'i mallkoj, ndërkaq do të mallkohen edhe nga ata që kanë të drejtë t'i mallkojnë. Do t'ia fali vetëm atyre që pendohen dhe përmirësohen dhe këtë e dëshmojnë publikisht, ndërsa Unë e pranojë pendimin dhe jam i Mëshirshëm“.Bekare, 159-160
Andaj për këtë të diturit që janë të sinqertë dhe serioz në emër të Allahut nuk lëshohen në debate mbi këtë çështje me rëndësi të veçantë, sepse, meqë Allahu e ka lëshuar udhëzimin dhe sqarimin e Tij, e ka përsosur besimin, e ka plotësuar begatinëe tij dhe nëse i Dërguari i Allahut, s.a.a, i ka plotësuar premtimet e tij dhe ummetit ia ka komunikuar porosinë e tij, krahas këshillave të nevojshme, atëherë prej nga e gjithë kjo përçarje, urrejtje, armiqësi, intolerancë, tallje dhe mohim. Po, sot unë në mënyrë eksplicite po ia publikoj të gjithë muslimanëve se nuk ka rrugë tjetër për shpëtim, fitore, unitet, lumturi, kënaqësi, sukses dhe fitim të Parajsës, përveç se duke iu kthyer dy parimeve themelore,e këto janë:
1. Libri i Allahut - Kur'ani
2. Ehli-Bejti (Pasardhësit e të Dërguarit)
Dhe nuk është kështu ngase po e them unë, por ky është të Folurit e Allahut nga Kur'ani dhe të folurit e të Dërguarit të Tij, s.a.a.. Për arritjen e unitetit mes muslimanëve, ata duhet t'i tejkalojnë dilemat të cilat janë edhe pengesa në këtë rrugë.
Së pari: Ehli suneti do të duhej t'i pranojnë pasuesit e Ehli Bejtit (që njihen me emërtimin shia), si mesheb i pestë dhe të sillen em ta sikur me 4 meshebet e tjera sunite. Ata nuk duhet të nënvlerësojnë ose t'i akuzojnë pjesëtarët e këtij drejtimi të mendimit.. Përkundrazi, ata duhet t'i japin lirinë e zgjedhjes intelektualëve të arsyeshëm për të zgjedhur drejtimin e mendimit që atyre u përshtatet. Në këtë mënyrë, është e nevojshme që sunitët dhe shiitët të njohin shkollat e tjera të mendimit si ibadi dhe zaidi. Dhe aq sa kjo mund të eliminojë përçarjet dhe urrejtjet në umetin islam, fakti është se nuk ka zgjidhje të plotë për problemin e dytë historik.
Së dyti: Të gjithë muslimanët duhet të bashkohen në një ide. Kjo është ideja e shpallur nga Libri i Allahut dhe i Dërguari i Tij, s.a.a., dhe kjo është rruga e drejtë (siratul-musteqim) në të cilën nuk ka devijim, në fakt, është rruga e Imamëve të Ehl-Bejtit, pikërisht atyre të cilët Allahu i Plotfuqishëm i ka pastruar nga çdo papastërti., nga ndyrësia dhe gabimi, dhe se ka një pajtueshmëri mes shiave dhe sunive për sjelljet, përsosmërinë, devotshmërinë, njohjen e drejtësisë, heqjen dorë nga gjërat e kësaj bote dhe veprimet praktike, në raport me të gjithë njerëzit e tjerë. Nëse, nga ana tjetër, ka mosmarrëveshje, ato shfaqen në lidhje me disa prej sahabëve. Por a nuk do të ishte më mirë që muslimanët t'i refuzojnë ato në të cilat kanë dallime dhe të pranojnë atë për të cilën bien dakord. Sepse, i Dërguari i Zotit, s.a.v.a., na thotë:
"Lëreni atë për të cilën keni dyshime dhe pranoni atë për të cilën jeni të sigurt!"
(Sunneni i Tirmidhiut, vëll. 4, fq. 2288.; Sunnen ibn Hanbel vëll. 1. fq. 200.)
Prandaj, umeti islam duhet të bashkohet rreth një gjëje të fortë dhe të qëndrueshme të themeluar nga Resulullahu, s.a.v.a, kur ai porosit:
“Unë ju lë dy gjëra të çmuara dhe nëse i përmbaheni fort atyre, nuk do të humbni kurrë, ato janë: Libri i Zoti dhe Ehli Bejti im (familja ime). ”
(Sahihu i Tirmidhiut, vëll. 2, fq. 3008.; Sahihu i Muslimit, vëll. 4., fq. 122.)
Meqenëse ky hadith pranohet si sahih si nga sunitët ashtu edhe nga shiitët, dhe pavarësisht dallimeve që kanë dhe cilës shkollë të mendimit i përkasin, atëherë pse një grup në mesin e muslimanëve nuk vepron sipas tij? Pa dyshim, nëse të gjithë myslimanët do të vepronin në frymën e këtij hadithi, do të krijohej një unitet i fortë islam, që nuk do ta trazonin as erërat e ashpra, nuk do ta dridhnin stuhitë e fuqishme e as natyra nuk do ta dëmtonte e as nuk do të mund ta shfarosnin kurthet e armiqëve.
Unë jam vërtet i bindur se kjo është mënyra e vetme e shpëtimit për myslimanët, dhe çdo gjë që shkon përtej kësaj është një fjalim mashtrues dhe i kotë. Dhe me siguri, nëse dikush dëshiron të ndjekë besnikërisht Kuranin dhe Sunetin e Profetit, s.a.v.a., nëse ai do ta trajtonte historinë me një qasje pa anime, atëherë do të ndanim vlera të përbashkëta me të.
Zgjidhja e parë, për fat të keq, u zhduk nga dita kur Profeti i Shenjtë, s.a.v.a., u shpërngul në Ahiret, pasi shokët e tij u ndanë mes veti, gjë që shkaktoi një përçarje në umetin islam, dhe me shumë keqardhje duhet të theksohet se ky proces vazhdoi në valën e një propagande masive dhe helmuese drejtuar kundër Ehli Bejtit, fillimisht nga sundimtarët umajad, pastaj nga sundimtarët abasidë e deri më sot, me ç'rast ithtarët e Ehli Bejtit prej tyre akuzohen për devijim, madje edhe për mosbesim (kufër).
Pra, për ne, nuk ka ilaç tjetër përveçse të paraqesim fakte të qarta për atë që kërkon të vërtetën, dhe të ballafaqojmë kundërshtarët e këtij mendimi me moton kuranore:
"Thuaj: sillni provat tuaja nëse flisni të vërtetën". Bekare, 111
Dhe dëshmitë dhe faktet e tyre nuk mund të imponohen me forcë, armë, kërcënime, para, etj., ndaj atyre që janë liridashës dhe sakrifikues në emër të Zotit.
Zoti ynë, nëse ulemaja e sotme myslimane do të organizonte një konferencë islame dhe me zemër të hapur, me arsyen e çliruar nga paragjykimet dhe me shpirt të pastër, do të diskutonte të gjitha problemet e përmendura dhe çështjet e pazgjidhura, ky do të ishte një shërbim i madh për umetin musliman; do të eliminoheshin përçarjet dhe mosmarrëveshjet; plagët do të shëroheshin dhe do të rivendosej uniteti islamik.
Pa dyshim se ky unitete është në rrugën e vendosjes së tij, duam apo nuk duam ne. Nga linja e Profetit, s.a.v.a., do të vijë Imami me të cilin do të vendoset drejtësia dhe rendin në Tokë, pasi të ketë qenë e mbushur me plot padrejtësi. Ai Imam i madh i pastër është nga pasardhësit e pastër të Muhamedit.
Zoti i Lartësuar i dha atij fuqi për një periudhë të gjatë kohore, ndërsa gjatë fshehjes së tij nga bota e dukshme (koha e fshehjes) Zoti do ta tundojë umetin, për ta kthyer atë në botën e dukshme (fenomenale) kur për këtë të vie koha (ahiri zaman – koha e fundit). Ai do t'ia nxjerrë në pah umetit besimet e gabuara dhe lajthitjet, dhe do t'u japë njerëzve mundësinë që të kthehen në të Vërtetën dhe të ndjekin Sunetin e pastër të Muahmmed, s.a.v.a., pikërisht ashtu siç ishte lutur dikur: "Zoti im, udhëzoje popullin tim, sepse ata nuk dinë "
Dhe derisa të vijë dita e kthimit të Mehdiu unë ju fali këtë libër në të cilin gjendjen përgjigjet për disa pyetje që i kam zënë nga mësimet e Ehl-i Bejtit. Uroj që muslimanët në të gjithë botën islame të përfitojnë nga ky kontribut dhe le të jetë një nxitje shtesë në përpjekjet e tyre drejt vendosjes së unitetit.
Zoti im, në Ty mbështetem dhe Ty të kthehem (drejtohem). Ti ma lehtëso rrugën time të suksesit, ndërsa suksesin e kërkoj vetëm nga Ti. Zgjeroje gjoksin tim, më lehtëso punët e mia, zgjidh nyjet nga gjuha ime, ashtu që ajo që them të jetë më e kuptueshëm (nga të tjerët) dhe ajo që them të jetë bekuar me mirësi dhe dobi, dhe ky kontribut le të jetë vetëm një tullë në pallatin e unitetit!
E them këtë sepse muslimanët e sotëm janë aq larg nga të drejtat minimale të njeriut dhe bashkëpunimi i ndërsjellë.
Kështu jam ndjerë personalisht në shumicën e vendeve ose enklavave muslimane të cilat i kam vizituar.
Së fundmi kam udhëtuar nëpër Indi, një gadishull në të cilin jetojnë miliona muslimanë. Kam dëgjuar shumëçka, mirëpo ajo që kam parë, vërtetë është një arsye më shumë për t'u habitur dhe brengosur. Kam qarë dhe jamë ndjerë plotësisht i pikëlluar për shkak të rrugës që ndjek ky ummet, dhe po të mos kisha besim dhe shpresë në zemër për pak sa me tërë qenien t'i dorëzohem dëshpërimit.
Me t'u kthyer nga India, i dërrgova letër të hapur dijetarit hindu Ebu Hasan Nadaviut, atij të cilit muslimanët e ehli sunetit në Indi e konsiderojnë si autoritet, në të cilën i kam premtuar se nëse nuk përgjigjet, do t'i bëjë publike të dy letrat. Ende nuk kam asnjë përgjigje prej tij. Për këtë arsye në fillim të këtij libri do ta publikoj letrën time , e cila mund të mbetet si dokument historik, ndërsa para Zotit dhe njerëzve si dëshmi se me të vërtetë e kemi dashur unitetin.